Shqipëria

Operatorët turistikë në Sarandë paralajmërojnë ndikim të protestave në turizëm

Operatorët turistikë në Sarandë kanë ngritur shqetësime se protestat dhe tubimet masive gjatë sezonit veror mund të ndikojnë negativisht në imazhin e Shqipërisë dhe rrjedhimisht në ecurinë e turizmit.

Këto deklarata u bënë gjatë një takimi konsultues mbi sezonin turistik, ku përfaqësues të sektorit diskutuan mbi rezervimet, politikat e çmimeve, cilësinë e shërbimeve dhe sfidat që shoqërojnë muajt e verës, transmeton albinfo.ch.

Kryetari i Shoqatës së Industrisë së Turizmit në Sarandë, Arben Çipa, tha se sezoni po vijon në nivele të mira, por theksoi se zhvillimet në terren dhe çdo faktor që ndikon në imazh mund të reflektohet në vendimmarrjen e turistëve të huaj.

Sipas tij, turizmi është një sektor që mbështetet fuqishëm te perceptimi vizual dhe imazhi i destinacionit, ndaj pamjet e protestave të transmetuara ndërkombëtarisht mund të ndikojnë në zgjedhjet e vizitorëve.

Ndërkohë, në ditët e fundit në vend janë zhvilluar edhe protesta nga qytetarë dhe grupe të ndryshme, të cilat kërkojnë përmirësim të kushteve sociale dhe ekonomike, duke vijuar me tubime në disa qytete kryesore. Pjesëmarrësit në këto protesta kanë theksuar se do të vazhdojnë reagimet e tyre deri në adresimin e kërkesave.

Edhe pse protestat konsiderohen një e drejtë demokratike, operatorët turistikë vlerësojnë se periudha e sezonit veror nuk është momenti më i përshtatshëm për organizimin e tubimeve të mëdha, pasi mund të krijojnë perceptim negativ për destinacionin turistik.

Në takim u raportua gjithashtu për disa anulime të kufizuara rezervimesh, ndërsa u theksua nevoja për forcimin e cilësisë së shërbimeve dhe ruajtjen e imazhit pozitiv të Shqipërisë si destinacion turistik.

Në përfundim, operatorët dhe pjesëmarrësit u dakorduan që fokusi kryesor duhet të mbetet mbarëvajtja e sezonit dhe promovimi i turizmit si një nga sektorët kyç të ekonomisë