Shqipëria

Arrestohet në Belgjikë shqiptari i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje dhe trafik droge

Një shtetas shqiptar është ndaluar në Belgjikë në kuadër të një operacioni ndërkombëtar të quajtur “The Wanted”, i realizuar në bashkëpunim mes autoriteteve shqiptare dhe atyre belge.

Sipas Policisë së Shtetit, personi i arrestuar është Gerd Gjinarari, 52 vjeç, i cili dyshohet se jetonte në Belgjikë duke përdorur dokumente italiane të falsifikuara.

Arrestimi është kryer pas shkëmbimit të informacionit mes Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit dhe Interpolit në Bruksel.

Autoritetet theksojnë se Gjinarari është dënuar me burgim të përjetshëm, pas njohjes së vendimeve të gjykatave shqiptare që kanë konfirmuar një dënim të mëparshëm të autoriteteve italiane. Ai është shpallur fajtor për vepra të rënda penale, përfshirë vrasje me paramendim, trafik droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Hetimet dhe procedurat për ekstradimin e tij po vazhdojnë mes Interpolit në Tiranë dhe atij në Bruksel.