Shqipëria

Shkodra sjell model të ri plazhi publik: çmime simbolike dhe kushte moderne për pushuesit

Shkodra po hyn në sezonin turistik me një qasje të re për menaxhimin e vijës së saj bregdetare, duke ofruar plazhe publike me çmime simbolike dhe standarde dinjitoze për të gjithë vizitorët.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga bregdeti i Shkodrës, ku këtë vit bashkia ka vendosur të aplikojë një model të ri administrimi të plazhit publik.

Sipas këtij modeli, përdorimi i plazhit do të kushtojë vetëm 400 lekë, një tarifë simbolike që synon të jetë e përballueshme për çdo qytetar dhe turist që zgjedh këtë destinacion, transmeton albinfo.ch.

Përfaqësues të bashkisë theksojnë se kjo tarifë do të shërbejë për të garantuar shërbime më cilësore, pastërti dhe më shumë komoditet për pushuesit.

Ky projekt shihet si një hap i ri drejt përmirësimit të shërbimeve publike turistike, duke synuar që çdo vizitor të ketë akses në një plazh të rregulluar dhe me kushte të mira, pa kosto të larta.