Muzikë

Bebe Rexha shkëlqen me “Dirty Blonde”, albumi renditet i treti më i dëgjuari në Spotify në botë

Projekti i ri i artistes shqiptare debuton në top-listat globale dhe konfirmon suksesin e saj si artiste e pavarur

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, ka shënuar një tjetër sukses në karrierën e saj muzikore me albumin më të ri “Dirty Blonde”, i cili ka debutuar si albumi i tretë më i dëgjuar në Spotify në nivel global, transmeton albinfo.ch.

Lajmi është bërë i ditur nga Spotify, i cili publikoi listën e 10 albumeve debutuese më të dëgjuara në botë për periudhën 12-14 qershor. Në këtë renditje, “Dirty Blonde” zë vendin e tretë, pas albumeve “You Seem Pretty Sad for a Girl So in Love” dhe “Withness”.

Suksesi i albumit është reflektuar edhe në tregun amerikan. Në renditjen e albumeve debutuese më të dëgjuara në Shtetet e Bashkuara, Bebe Rexha pozicionohet në vendin e shtatë, duke dëshmuar interesimin e madh të publikut për projektin e saj më të ri.

“Dirty Blonde” është albumi i katërt në karrierën e artistes dhe projekti i parë që ajo publikon si artiste e pavarur, pas ndarjes nga shtëpia e saj e mëparshme diskografike gjatë vitit 2025.

Albumi përmban 13 këngë dhe përfshin disa bashkëpunime të rëndësishme. Ndër më të komentuaret është “New Religion”, realizuar me grupin legjendar elektronik Faithless, si dhe “Sad Girls”, në bashkëpunim me DJ-in francez David Guetta.

Me këtë debutim të suksesshëm, Bebe Rexha vazhdon të forcojë pozicionin e saj në industrinë muzikore ndërkombëtare, duke dëshmuar se mbetet një nga artistet më të suksesshme shqiptare në skenën globale./Albinfo.ch