Kosova

Kurti shmang pyetjen për mundësinë e koalicionit me LDK-në

Kryeministri në detyrë nuk komentoi mundësinë e bashkëpunimit me opozitën për formimin e institucioneve

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shmangur të përgjigjet lidhur me mundësinë e një koalicioni ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës pas zgjedhjeve të 7 qershorit, përcjell albinfo.ch.

I pyetur nga gazetarët për një bashkëpunim të mundshëm me LDK-në, Kurti nuk dha përgjigje konkrete, duke u kufizuar me një urim me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Shërbimit Publik.

“Urime Dita e shërbimit publik sot”, deklaroi ai teksa po merrte pjesë në aktivitetin e organizuar nga Ministria e Digjitalizimit për shënimin e 23 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Shërbimit Publik.

Megjithatë, ditët e fundit Kurti ka lënë të kuptohet se pret një qasje më bashkëpunuese nga partitë opozitare. Në një video të publikuar në Facebook, ai tha se për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit nevojitet ndryshim i asaj që e quajti sjellje refuzuese e opozitës.

Ndërsa të martën, gjatë përurimit të një rruge, Kurti deklaroi se do të përpiqet të sigurojë bashkëpunim me partitë opozitare për çështjet që lidhen me formimin e institucioneve.

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fituese e zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit dhe, sipas rezultateve të fundit, ka siguruar 53 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Zyrtarë të kësaj partie kanë theksuar se ky rezultat i mundëson Vetëvendosjes formimin e Qeverisë me mbështetjen e deputetëve të komuniteteve joshumicë, pa përfshirë deputetët e Listës Serbe.

Megjithatë, për zgjedhjen e presidentit të vendit nevojitet një konsensus më i gjerë politik, pasi Kushtetuta kërkon pjesëmarrjen e së paku 80 deputetëve në dy raundet e para të votimit./Albinfo.ch