Lajme

Marigona Qerkezi triumfon me rolin e Aidës në skenën prestigjioze të Seviljes

Sopranoja kosovare Marigona Qerkezi ka shënuar një tjetër sukses të rëndësishëm në karrierën e saj ndërkombëtare, duke interpretuar rolin kryesor në premierën e operës “Aida” të Giuseppe Verdit në Teatro de la Maestranza në Sevilje, një prej teatrove më të njohur operistikë në Spanjë. Prodhimi i ri i kësaj opere klasike mbyll sezonin artistik të teatrit dhe ka mbledhur emra të njohur të skenës lirike evropiane.

Entuziazmi i publikut u shpreh me ovacione dhe duartrokitje të gjata, të cilat dëshmojnë vlerësimin e lartë për interpretimin e sopranos shqiptare. Emocionet e këtij momenti pasqyrohen edhe në pamjet e realizuara pas shfaqjes, ku publiku e përshëndet Marigona Qerkezin me një pritje të jashtëzakonshme, shkruan albinfo.ch.

Një tjetër paraqitje e suksesshme që forcon edhe më tej profilin ndërkombëtar të artistes kosovare dhe konfirmon vendin e saj në skenat më prestigjioze të operës evropiane.