Kosova

Kurti: Komunikimi me partitë nis menjëherë pas certifikimit të rezultateve

Kryeministri në detyrë thotë se dialogu politik do të fillojë sapo të përmbyllet procesi zgjedhor dhe të certifikohen rezultatet përfundimtare

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se komunikimet me partitë politike do të nisin menjëherë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, përcjell albinfo.ch.

Ai u përgjigj shkurt para gazetarëve pas hapjes së Edicionit të 8-të të Festivalit Multikulturor dhe Ekspozitës Mobile “KRAH”, duke theksuar se procesi politik do të vazhdojë sapo të përmbyllen procedurat zgjedhore.

“Po sa të certifikohet rezultati do t’i fillojmë komunikimet menjëherë”, u shpreh Kurti.

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave për procesin zgjedhor, para se të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, shpallja e rezultateve varet nga përmbyllja e procedurave ankimore dhe vendimet e institucioneve përkatëse. /Albinfo.ch