Lajme

Tërmetet 7.2 dhe 7.5 në Venezuelë, deri në 10 mijë të vdekur sipas USGS

USGS paralajmëron: Deri në 10 mijë të vdekur nga tërmetet e fuqishme në Venezuelë

Dy tërmete të fuqishme kanë goditur Venezuelën gjatë natës, duke shkaktuar frikë për pasoja të rënda humanitare dhe humbje të mëdha në njerëz, përcjell albinfo.ch.

Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), tërmeti i parë me magnitudë 7.2 goditi rreth 160 kilometra në perëndim të kryeqytetit Karakas. Më pak se një minutë më vonë, u regjistrua edhe një tërmet i dytë, edhe më i fortë, me magnitudë 7.5.

USGS ka përdorur modele parashikuese për të vlerësuar ndikimin e mundshëm të lëkundjeve, duke paralajmëruar se numri i viktimave mund të arrijë në mijëra. Sipas këtyre vlerësimeve, ekziston një probabilitet i konsiderueshëm që bilanci përfundimtar i të vdekurve të tejkalojë shifrën prej 10 mijë personash.

Presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodriguez, deklaroi se sipas të dhënave paraprake janë konfirmuar të paktën 32 viktima dhe rreth 700 të plagosur. Megjithatë, ajo theksoi se këto shifra nuk përfshijnë ende të dhënat nga shteti i La Guaira, një nga zonat e prekura nga tërmeti.

Autoritetet dhe ekipet e emergjencës po vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa pritet që numri i viktimave dhe i të lënduarve të rritet në orët dhe ditët në vijim./Albinfo.ch