Lajme

38.8°C: Zvicra thyen për të dytën ditë radhazi rekordin e vapës së qershorit

Zvicra thyen për të dytën ditë radhazi rekordin e vapës për muajin qershor

Zvicra ka regjistruar të premten temperaturën më të lartë të matur ndonjëherë në muajin qershor. Në qytetin e Bazelit termometri arriti në 38.8 gradë Celsius, duke thyer rekordin prej 38 gradësh të vendosur vetëm një ditë më parë në të njëjtin stacion meteorologjik, transmeton albinfo.ch.

Shërbimi Kombëtar Meteorologjik i Zvicrës, MeteoSwiss, bëri të ditur se vala e të nxehtit po vazhdon pa ndërprerje dhe se në shumë stacione meteorologjike në vend janë regjistruar temperatura rekord, jo vetëm për muajin qershor.

Temperatura prej 38.8°C, e matur në stacionin Basel/Binningen rreth orës 15:00, është më e larta e regjistruar ndonjëherë në këtë stacion që nga fillimi i matjeve në vitin 1897. Rekordi i mëparshëm prej 38°C ishte vendosur vetëm të enjten, duke tejkaluar rekordin e qershorit të vitit 1947.

Sipas MeteoSwiss, temperaturat mund të rriten edhe më tej gjatë së shtunës. Parashikimet flasin për vlera nga 38 deri në 39 gradë Celsius, ndërsa në Bazel nuk përjashtohet mundësia që termometri të arrijë edhe 40 gradë.

Nëse kjo ndodh, do të ishte hera e parë në histori që në veri të Alpeve zvicerane regjistrohet një temperaturë prej 40 gradësh Celsius.

Rekordi absolut i temperaturës më të lartë të matur ndonjëherë në Zvicër mbetet 41.5 gradë Celsius, i regjistruar më 11 gusht 2003 në Grono, në kantonin Graubünden, në jug të Alpeve. /Albinfo.ch