Lajme

Qumështi për foshnja me gjurmë toksine vazhdon të shitet në Zvicër

RTS ngre pikëpyetje mbi kufijtë e sigurisë, ndërsa autoritetet theksojnë se produktet janë ende brenda standardeve të lejuara

Një hetim i transmetuesit publik zviceran RTS ka zbuluar se disa formula për foshnja që shiten në Zvicër vazhdojnë të përmbajnë gjurmë të toksinës cereulide, e cila prodhohet nga bakteri Bacillus cereus dhe mund të shkaktojë të vjella dhe diarre, veçanërisht te foshnjat. Megjithatë, produktet mbeten në treg pasi nivelet e toksinës konsiderohen brenda kufijve të lejuar nga autoritetet evropiane të sigurisë ushqimore, transmeton albinfo.ch.

Sipas RTS, ekzistojnë dyshime lidhur me bazën shkencore të pragut të vendosur për këtë toksinë, si dhe me metodat laboratorike që përdoren për matjen e saj. Kjo ka ngritur shqetësime nëse kufijtë aktualë garantojnë mbrojtje të mjaftueshme për foshnjat.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë të ditur se kontaminimi me cereulide ka çuar në tërheqjen e produkteve të qumështit për foshnja në dhjetëra vende dhe se hetimet ndërkombëtare për burimin e ndotjes vazhdojnë.

Autoritetet zvicerane theksojnë se produktet që ndodhen aktualisht në treg përmbushin kërkesat ligjore dhe nuk përbëjnë rrezik sipas standardeve në fuqi. Megjithatë, ekspertët u bëjnë thirrje prindërve të ndjekin njoftimet zyrtare për tërheqjet e produkteve dhe të konsultohen me mjekun ose farmacistin nëse kanë paqartësi lidhur me formulën që përdorin për foshnjat.