Lajme

Zvicra do të presë një vit për bilancin e viktimave nga vala e të nxehtit

Zvicra nuk do të ketë një bilanc zyrtar të viktimave të lidhura me valën e të nxehtit të këtij qershori edhe për të paktën një vit, ndërkohë që vende të tjera evropiane tashmë kanë publikuar vlerësimet e para.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), vala ekstreme e të nxehtit ka shkaktuar mbi 1.300 vdekje shtesë në Evropë, ndërsa vetëm në Francë janë regjistruar rreth 1.000 vdekje të tepërta në vlerësimet fillestare, transmeton albinfo.ch.

Në Zvicër, Zyra Federale e Shëndetit Publik ka bërë të ditur se analiza e vdekshmërisë së tepërt kërkon një proces të gjatë statistikor, ndaj rezultatet përfundimtare nuk do të jenë të disponueshme para vitit të ardhshëm.

Megjithatë, spitalet zvicerane kanë raportuar një rritje të ndjeshme të pacientëve gjatë ditëve me temperatura ekstreme. Ekspertët paralajmërojnë se sistemi shëndetësor po përballet gjithnjë e më shpesh me presion, pasi valët e të nxehtit po bëhen më të shpeshta, më intensive dhe po nisin më herët gjatë vitit.