Lajme

46-vjeçari nga Kosova del para gjykatës në Zvicër, akuzohet për vrasjen e partneres

Prokuroria zvicerane e ngarkon me akuzën për vrasje të rëndë, ndërsa i akuzuari mohon një pjesë të pretendimeve

Një 46-vjeçar me shtetësi të Kosovës ka dalë të martën para Gjykatës Penale në Vevey të Zvicrës, nën akuzën për vrasjen e partneres së tij 38-vjeçare në maj të vitit 2023.

Sipas raportimit të gazetës zvicerane Blick, Prokuroria e akuzon atë për vrasje të rëndë, duke pretenduar se e sulmoi partneren me disa goditje me thikë, nuk i ofroi ndihmë pasi e la të plagosur rëndë dhe u largua nga banesa së bashku me vajzën e tyre të vogël.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 26 maj 2023 në banesën e viktimës në Vevey. I akuzuari, i cili jetonte në Gjermani dhe kishte një lidhje në distancë me partneren, kishte mbërritur në Zvicër dy ditë para ngjarjes.

Hetimet e Prokurorisë pretendojnë se pas konflikteve të vazhdueshme mes çiftit, ai e sulmoi 38-vjeçaren me një armë të ndaluar që kombinonte një dorezë metalike me teh. Viktima pësoi plagë të rënda në qafë dhe kraharor, të cilat, sipas aktakuzës, i shkaktuan gjakderdhje fatale.

Prokuroria pretendon se pas sulmit ai nuk njoftoi shërbimet e emergjencës dhe nuk u përpoq t’i ofronte ndihmën e parë. Përkundrazi, dyshohet se mori telefonin e viktimës, e mbylli banesën dhe u largua me vajzën e tyre, ndërsa partnerja ishte ende gjallë. Më pas ai u nis drejt qytetit të Thun-it, ku banon njëri nga vëllezërit e tij, derisa u arrestua nga policia.

Prokuroria ka ngritur akuzën për vrasje të rëndë, një vepër që sipas legjislacionit penal zviceran zbatohet kur krimi kryhet me egërsi të veçantë, motive të ulëta ose pas planifikimit të qëllimshëm. Nëse shpallet fajtor, ai mund të dënohet me burgim të përjetshëm. Si alternativë, aktakuza përfshin edhe veprën penale të vrasjes, e cila parashikon dënim me të paktën pesë vjet burg.

Sipas dosjes së Prokurorisë, marrëdhënia mes çiftit ishte përkeqësuar prej kohësh për shkak të konflikteve që lidhen me xhelozinë, sjelljen posesive të të akuzuarit, mosmarrëveshjet për vendbanimin, mbiemrin e familjes dhe edukimin fetar të fëmijës. Hetimet janë udhëhequr nga prokurori i përgjithshëm i kantonit Vaud, Eric Kaltenrider.

Në seancën e parë gjyqësore, e zhvilluar me përkthim në gjuhën shqipe dhe në prani të familjarëve të viktimës, i akuzuari mohoi një pjesë të akuzave. Ai deklaroi se nuk kujtonte ta kishte goditur partneren disa herë me thikë, mohoi se marrëdhënia mes tyre kishte qenë problematike dhe hodhi poshtë pretendimet se e kishte kërcënuar më herët me vdekje.

Sipas mediave zvicerane që ndoqën seancën, gjatë marrjes në pyetje i akuzuari dha disa përgjigje të paqarta dhe kontradiktore. Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë me paraqitjen e argumenteve përfundimtare nga palët.