Lajme
Vaksina eksperimentale kundër kancerit të pankreasit jep sinjale pozitive në provat e para
Një vaksinë eksperimentale e zhvilluar për të parandaluar kancerin e pankreasit ka treguar rezultate premtuese në fazën e parë të testimeve klinike te njerëzit.
Sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore Cancer Discovery, vaksina mKras-Vax është vlerësuar si e sigurt dhe ka nxitur një përgjigje të fuqishme të sistemit imunitar tek individët me rrezik të lartë për zhvillimin e kësaj sëmundjeje.
Hulumtimi është kryer nga ekspertët e Johns Hopkins Kimmel Cancer Center dhe Skip Viragh Center for Pancreatic Cancer në Shtetet e Bashkuara.
Vaksina synon mutacionin gjenetik KRAS, i cili lidhet ngushtë me adenokarcinomën duktale të pankreasit – forma më e zakonshme dhe më agresive e këtij lloji të kancerit. Objektivi i saj është të ndihmojë sistemin imunitar të identifikojë dhe eliminojë qelizat me këtë mutacion përpara se ato të shndërrohen në tumor.
Në studimin e fazës së parë u përfshinë 20 persona me predispozitë trashëgimore për kancer të pankreasit dhe me ndryshime të evidentuara në pankreas përmes ekzaminimeve radiologjike. Të gjithë pjesëmarrësit morën katër doza të vaksinës përgjatë 13 javëve.
Rezultatet treguan se 18 nga 20 pjesëmarrësit, ose 90 për qind, zhvilluan një përgjigje të fortë imunitare. Gjatë një periudhe mesatare monitorimi prej 16.5 muajsh, asnjë prej tyre nuk u diagnostikua me kancer të pankreasit. Tek disa pacientë u vu re gjithashtu zvogëlim ose zhdukje e plotë e cistave pankreatike.
Sipas studiuesve, vaksina ka nxitur krijimin e qelizave të kujtesës imunitare që kanë mbetur aktive deri në dy vjet pas vaksinimit, duke lënë të kuptohet se mund të ofrojë mbrojtje afatgjatë.
Efektet anësore të raportuara ishin kryesisht të lehta deri mesatare dhe përfshinin skuqje në vendin e injektimit, lodhje, të dridhura dhe simptoma të ngjashme me gripin, të cilat u zhdukën pa pasur nevojë për trajtim.
Megjithatë, autorët e studimit theksojnë se qëllimi kryesor i kësaj faze ishte vlerësimi i sigurisë dhe reagimit imunitar, ndërsa efektiviteti në parandalimin e kancerit mbetet të konfirmohet përmes studimeve më të gjera. Ata nënvizojnë se numri i kufizuar i pjesëmarrësve dhe periudha relativisht e shkurtër e ndjekjes nuk lejojnë ende përfundime përfundimtare.
Ndërkohë, janë iniciuar prova të tjera klinike për të vlerësuar ndikimin e vaksinës tek pacientët me cista pankreatike me rrezik të lartë. Shkencëtarët besojnë se kjo qasje mund të hapë rrugën për zhvillimin e vaksinave parandaluese kundër një prej formave më vdekjeprurëse të kancerit, megjithëse nevojiten studime më të mëdha për të konfirmuar rezultatet.
E-Diaspora
-
Podujevë: Hapet panairi “Ditët e Diasporës” Në Bulevardin e Qytetit në Podujevë sot është hapur Panairi me produkte artizanale, me të cilin... -
Vëllezërit nga Kosova sjellin në Zvicër garazhin ku klientët riparojnë vetë automjetet -
Gjenden të pajetë tre familjarët e zhdukur pas nisjes nga Shkupi -
Tre persona nga Vushtrria raportohen të zhdukur, familjarët kërkojnë ndihmën e qytetarëve -
MPJD njofton për stabilizimin e situatës në pikën kufitare Bajakovo
Jeta në Zvicër
-
Peticion me 110 mijë nënshkrime kërkon gjashtë muaj pushim të lehonisë në Zvicër Një peticion me mbi 110 mijë nënshkrime, i dorëzuar të hënën në Kancelarinë Federale të Zvicrës,... -
Mbyllet tuneli zviceran, San Bernardino, kjo është arsyeja -
Helikopterët furnizojnë me ujë Alpet Zvicerane -
Mblidhen 110 mijë nënshkrime, peticioni zviceran kërkon gjashtë muaj leje lindjeje -
Zvicra po përballet me një formë të re ekstremizmi në vitin 2026












