Lajme

Zvicër: Masa të reja pas skandalit në kirurgjinë e zemrës në Cyrih

Komisioni Federal Zviceran për Cilësinë (EQK) ka kërkuar masa më të rrepta për spitalet pas skandalit në repartin e kirurgjisë kardiake të Spitalit Universitar të Cyrihut (USZ), ku ngjarjet e viteve 2016–2020 ngritën dyshime për ndikimin e interesave financiare në trajtimin e pacientëve.

Komisioni rekomandon që spitalet të deklarojnë rregullisht konfliktet e interesit të stafit drejtues, ndërsa kantonet të vendosin kushte më të rrepta për licencimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve shëndetësore.

Po ashtu, kërkohet forcimi i kontrollit mbi studimet klinike dhe trajtimet eksperimentale, duke përfshirë miratimin nga komitetet etike, informimin e plotë të pacientëve dhe monitorimin e vazhdueshëm të projekteve kërkimore.

Sipas presidentit të EQK-së, Michael Jordi, këto masa synojnë të mbrojnë pacientët dhe të garantojnë cilësi më të lartë në sistemin shëndetësor zviceran.