Lajme

Gjermani: Procedim penal për dy shtetas të Kosovës që qëndronin ilegalisht në vend

22-vjeçari dhe 32-vjeçari u ndaluan pranë Aeroportit të Memmingerbergut, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë edhe dëbimin e tyre nga Gjermania.

Dy shtetas të Kosovës, të moshës 22 dhe 32 vjeç, janë ndaluar nga Policia Kufitare gjermane pranë Aeroportit të Memmingerbergut, pasi u konstatua se po qëndronin në mënyrë të paligjshme në Gjermani, transmeton albinfo.ch.

Sipas autoriteteve gjermane, gjatë një kontrolli të kryer në rrugën hyrëse drejt aeroportit, policia verifikoi dokumentet e identifikimit të dy personave dhe zbuloi se ata nuk posedonin dokumentacionin e nevojshëm për qëndrim të ligjshëm në territorin gjerman.

Pas përfundimit të verifikimeve, ndaj dy shtetasve të Kosovës është iniciuar procedim penal për shkelje të Ligjit gjerman për Qëndrimin e të Huajve.

Autoritetet kanë bërë të ditur se, krahas procedurave penale, po shqyrtohen edhe masat e mëtejshme administrative, përfshirë mundësinë e largimit të tyre nga Gjermania. /Albinfo.ch