Lajme

Trump paralajmëron Iranin: Do të godasim infrastrukturën strategjike nëse sulmohen anijet amerikane

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar Iranin se Uashingtoni do të ndërmarrë sulme ndaj infrastrukturës së tij strategjike nëse Teherani vazhdon të sulmojë anijet në Ngushticën e Hormuzit.

Sipas deklaratës së Trump, çdo sulm i Iranit ndaj mjeteve detare në këtë zonë do të pasohet me goditje ndaj objekteve të rëndësishme, përfshirë ura dhe termocentrale.

Këto deklarata vijnë në një kohë kur tensionet mes SHBA-së dhe Iranit janë rritur ndjeshëm, ndërsa grupi i armatosur huthi në Jemen, i mbështetur nga Teherani, ka kërcënuar me sulme ndaj një tjetër korridori të rëndësishëm të transportit të naftës në rajon.

Nga ana tjetër, një zyrtar iranian ka reaguar duke paralajmëruar se në rast të sulmeve amerikane ndaj infrastrukturës iraniane, “asnjë objekt nuk do të jetë i sigurt”.

Situata në Ngushticën e Hormuzit ka ndikuar në tregjet ndërkombëtare të energjisë. Kufizimet ndaj qarkullimit detar në këtë zonë kanë shkaktuar shqetësime për furnizimin global me naftë, duke çuar në rritje të çmimeve të energjisë.