Kosova

Aeroporti i Prishtinës me tarifa më të shtrenjta se ato të rajonit

Qytetarët e Kosovës, një biletë aeroplani e paguajnë më shtrenjtë se ata të vendeve të rajonit.

Kështu thonë disa nga udhëtarët e intervistuar nga “Radio Kosova”. Ndërkohë, menaxherja e Zyrës së Informimit në Aeroportin Ndërkombëtar ”Adem Jashari”,Valentina Gara, tha për “Radio Kosovën” se me qëllim të uljes së çmimit për biletat e udhëtimit, janë duke punuar që të sjellin linja dhe kompani të reja, përcjell albinfo.ch.

Për një biletë aeroplani për ndonjë destinacion drejt Evropës e më larg, qytetarët e Kosovës paguajnë shumë më shtrenjtë krahasuar me vendet fqinje. Shpeshherë ata detyrohen të zgjedhin Shkupin, por në disa raste edhe qytetet e Serbisë, për shkak të çmimeve më të ulëta për bileta. “Po si zakonisht. E sidomos kur është koha e sezonit, mjaft shtrenjtë”.

“Po shumë. 250 euro një drejtim për Paris, me Wiz Air nga Shkupi ka qenë vetëm 100 euro”, tha Hasanaj.

“Jemi duke punuar vazhdimisht që të sjellim linja të reja dhe kompani të reja, me qëllim të ngritjes së konkurrencës. Besojmë se edhe kjo ndoshta sadopak do të kishte ndikim në  uljen e çmimit të biletave”, deklaroi Valentina Gara.

Ndërkaq, për mos zgjerimin e linjave për destinacione shtesë nga kompanitë e lira, Gara ka vënë në theks se kjo varet nga politikat e tyre biznesore se sa ajo u konvenon atyre.