Lajme

Afërdita Krasniqi, dritë për kulturën shqiptare në Gjenevë

Afërdita Krasniqi është ekonomiste, këngëtare, udhëheqëse e grupit muzikor “Hareja” në Gjenevë dhe kryetare e shoqatës “Komunitetit Shqiptar në Gjenevë”.

Ajo ka treguar sa e thjeshtë është të qëndrosh në këmbë, të hapësh horizonte të rinj për ata që kanë humbur vizionin largpamës.

Afërdita është lindur në qytetin e Prizrenit, në një familje atdhetare që është persekutuar nga pushtuesit serbë.

Kjo i ka ngjallur dashurinë për atdheun e kulturën shqiptare, edhe pse ka mërguar para më shumë se 30 vjetësh. “Në familje e kultivojmë këngën shqipe. Së bashku me bashkëshortin Shpejtim Krasniqi jemi të pranishëm në fushën e kulturës, të këngës dhe muzikës. Në mërgim kaluam mbi 30 vjet malli dhe dashuria për vendlindjen sa vjen e shtohet”, është shprehur ajo.

Tash Krasniqi punon si nëpunëse në sektorin e aferave internacionale e juridike, pranë Konfederatës së Zvicrës, dega në Gjenevë.

Si këngëtare ajo është frymëzuar më së shumti nga këngët patriotike.

“Jam rritur e ushqyer me muzikën shqipe. Këngën gjithmonë e kam pas në shpirt , që nga mosha 14 vjeçare kam qenë soliste në SHKA « Besa » në Prizren. Këndoja bashkë me motrën time Merita Veseli, albumin e parë e kemi realizuar në vitin 1992 me titull « Kushtrimi » . Me krenari e shumë dashuri u këndoja heronjve, flamurit, kurbetit kësaj plage të madhe të popullit tonë. Në teatrin amator të Prizrenit isha anëtare e rregullt”, tregon Afërdita.

Mërgimi i ka shtuar mallin për atdheun dhe kënga e ka afruar atë me vendlindjen.

“Së bashku me shokun tim të jetës e partnerin tim në skenë Shpejtim Krasniqin, në vitin 2017 mblodhëm adhurues të këngës, miq e dashamirës të artit e kulturës formuam grupin muzikor “Hareja”. Fillimisht si korali “Nostalgjia” emër që i këndonte mallit të pashuar për vendlindjet tona. Të mbledhur nën ombrellën e KSHGJ-së jemi prezantuar me shumë sukses në aktivitete të ndryshme kulturore këtu në Gjenevë”, tregoi Krasniqi.

Sukseset e saj janë të shumta, për të cilat ajo është shumë krenare për anëtarët e shoqatës. “Vitin që shkoi morëm pjesë edhe në Festivalin Ndërkombëtare “AULONA INTER FOLK FESTIVAL” në Vlorë në edicionin e 14-të. Festival shumë prestigjioz me pjesëmarrje të grupeve e ansambleve nga Ballkani, Evropa e Azia. Prezantimi ynë brilant bëri që edhe këtë vit të marrim ftesë për pjesëmarrjen në edicionin e tij të 15-të. Këto ditë ishim në mesin e vëllezërve arbëreshë në fshatin CIFTI (CIVITA) shfaqem një koncert të përbashkët me rastin e festës së tyre të quajtur “Festa e Valles”. Një veprimtari e bukur që u kënaqem të gjithë. Ajo çka na bëri përshtypje ishte ruajtja e gjuhës dhe kulturës arbëreshe- shqiptare edhe pas 500 vjetësh duhet t’i bëjë shqiptarët kudo janë të ndërgjegjësohen për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare”, tregoi Afërdita për albinfo.ch.

Që nga viti 2013 funksionon Komuniteti Shqiptar në Gjenevë me qëllim bashkimin e shqiptarëve të Zvicrës.

“Kam pasur nderin të jem anëtare e kryesisë së kësaj shoqate ku mbledh në gjirin e vet gjithë shqiptarët pa dallim. Historia dhe aktiviteti shumëvjeçar i kësaj shoqate e dëshmojnë këtë më së miri. Vazhdimisht shoqata ka organizuar dhe organizon aktivitete të shumta kulturore dhe argëtuese për nxënësit dhe brezin e ri që po lind dhe rritet larg atdheut. Nga viti 2017 jam zgjedhur Kryetare e KSHGJ-së, vazhdoj të organizoj aktivitete të shumta kulturore e kombëtare për komunitetin shqiptar në Gjenevë dhe më tej. Këto aktivitete kanë për qëllim ruajtjen e gjuhës, traditës, kulturës dhe mbjellin dashurinë për atdheun”, shprehet ajo.

Këtë po e bëjnë në forma të ndryshme, që sa më e freskët të mbetet kultura shqipe.

“Që të sjellim një pjesëz të kupolës qiellore shqiptare për bashkatdhetarët kemi mundësuar shfaqjen e filmit dokumentar “Një jetë në tri epoka » prodhim i RTSH-së kushtuar prof.. Astrit Leka. Dy shfaqjet teatrale nga artisti i popullit z. Mirush Kabashi. Tash së fundi pritem grupin polifonik “Bilbili” – nga Vlora”, thotë ajo për albinfo.ch.

Afërdita Krasniqi thotë se është e vështirë të zhvillohen aktivitetet, megjithatë bashkëpunimi është shumë i mirë brenda organizatës.

Krasniqi thotë se ka edhe plane sa i përket mbajtjes gjallë të kulturës shqiptare. “Ka vite që në Gjenevë përveç Shkollës shqipe, punojnë me përkushtim Ansambli “Gëzuar”” e “RINIA CONTACT” ku fëmijët dhe rinia jonë kultivojnë e ruajnë gjuhën dhe kulturën shqiptare. Zemra ma do që sa më shpejt të hapet një qendër kulturore për të cilën është folur vite më parë. Të rinj të talentuar kemi mjaft dhe nëse realizohet ky projekt jam e bindur se edhe pse në dhe të huaj vlerat e trashëgimisë sonë kulturore do të gjallërojnë e frymojnë lirshëm se fundja të gjithë kemi nevojë ta ndjejmë dorën, mbështetjen e shtetit – shteteve tona, të cilat deri tani lënë shumë për të dëshiruar”, është shprehur ajo.

Veprimtarja Afërdita Krasniqi ka edhe një mesazh të vlefshëm për të gjithë shqiptarët që jetojnë në mërgim. “Mos pritni që t’ ju vlerësojnë të tjerët, nëse ti vetë nuk e vlerëson veten. Duani gjuhën shqipe, ruani kulturën tonë shqiptare, kultivoni këngën e bukur shqiptare. Mbilleni atë edhe tek fëmijët tuaj. Bukur e ka thënë i madhi Gjergj Fishta:

“……gjuhën tuaj kurrë mos ta lini, Mos ta lini sa të jetë jeta……… «”, është shprehur ajo.

Gjenevë, 27. 04. 2023                           Intervistoi Nexhmije Mehmetaj