Kosova

AKK: Komisioni i ri në mënyrë tendencioze, trajtoi saktësinë e dokumentacionit territorial

Agjencia Kadastrale e Kosovës ka reaguar për të gjeturat që ka prezantuar komisioni i ri për demarkacionin me Malin e Zi.

AKK-ja thotë se Komisioni i ri për kufirin, në mënyrë tendencioze, ka trajtuar saktësinë e dokumentacionit kadastral për territorin e Kosovës.

“Të dhëna kadastrale teknike dhe juridike për territorin e Kosovës janë në zbatim dhe në funksion që nga viti 1931 e deri më sot. Këto të dhëna kadastrale për pronën e paluajtshme janë të regjistruara për të gjithë pronarët e pronave private, pronarët e Ndërmarrjeve Shoqërore, pronarët e pronave publike dhe pronarët e pronave shtetërore. Dokumentacioni zyrtar kadastral dhe territori i Kosovës janë të pandryshueshëm prej vitit 1974 e deri më tani, andaj Agjencia Kadastrale e Kosovës do të reagojë ndaj të gjitha tendencave për shtrembërim të dokumentacionit kadastral, që mund të jenë të përfshira në raportin e Komisionit aktual”, thuhet në reagim, përcjell albinfo.ch.