E-Diaspora

Arrestohen tre shqiptarë në Itali

Në Ravena të Italisë janë sekuestruar mbi dy tonë hashash e marihuanë. Hetimet e zhvilluara nga karabinierët e komandës rajonale të Ravenës çuan në arrestimin e një 26-vjeçari italian, i njohur për forcat e rendit, e gjithashtu të tre shqiptarëve, respektivisht 27, 53 dhe 21 vjeç. Të gjithë u burgosen nën akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike, shkruajnë mediat shqiptare.

Sekuestrimi u bë i mundur pas një kontrolli territori, i zhvilluar natën mes të enjtes dhe të premtes. Një patrullë evidentoi një furgon që po lëvizte në zonën e Savios në drejtim të Ravenës, përcjell albinfo.ch.

Ata nuk ishin ndalur para policisë. Kjo detyroi efektivet ta ndiqnin mjetin dhe pas disa minutash pasagjeri u arratis nëpër fusha. Drejtuesi i ndaluar, u identifikua si një 26-vjeçar nga Piemonte.

Brenda furgonit u gjetën 2.4 tonë marijuanë, 62 kilogramë hashash dhe katër kilogramë vaj hashashi. Autoritetet e cilësojnë këtë si një prej konfiskimeve më të rëndësishme në këtë territor.

Policia u vu më pas në kërkim të personit të arratisur dhe pas një operacioni që rezultoi me të shtëna armësh e mobilizimin e disa patrullave e një helikopteri u vunë në pranga tre shqiptare.