Lajme
Artisti Sislej Xhafa, sjell ekspozitë të veçantë në Alpet e Zvicrës
Ekspozita e tij e veçantë, ringjall solidaritetin e Zvicrës në kohë lufte në shtetin e Kosovës

Nën sharmin e ekspozitës me titullin “Family album Woven Soil”, Sislej Xhafa, i cili jeton në Nju-Jork, nëpërmjet dhjetë fotografive do t’i kthejë në bjeshkët zvicerane ato që i quan pasardhëse të lopëve që “migruan” në Kosovë më 1999.
“E kam zgjedhur si një mënyrë për të lidhur kujtimin me tokën. ‘Family album’ nuk ka të bëjë vetëm me njerëzit, por me gjithçka që mban kujtesë dhe afërsi. Në këtë rast, lopët janë figura që ruajnë në trupin e tyre një akt mirësie, një dhuratë që erdhi prej Zvicrës në një nga momentet më të vështira për Kosovën”, ka thënë Sislej Xhafa për ekspozitën e cila hapet në Alpet e Zvicrës, transmeton albinfo.ch.
Kthyer në histori, në Kosovën e vitit 1999, pos kthimit në shtëpi të rreth një milion shqiptarëve të dëbuar me forcë nga policia dhe ushtria e Serbisë, janë regjistruar edhe shumë histori të tjera. Midis tyre edhe ato të solidaritetit nga shtete të ndryshme evropiane dhe nga e gjithë bota.
Një prej akteve të ndihmës ishte edhe dhurimi i bagëtive për banorët e një vendi që kishin humbur gjithçka, madje edhe kulmin mbi kokë. Federata e Zvicrës i kishte dalë në ndihmë Kosovës edhe me lopë. Pas më shumë se çerekshekulli, ky akt do të rikthehet në vepër arti. Është artisti nga Kosova me nam botëror, Sislej Xhafa, që nëpërmjet gjuhës së artit do t’i kthejë në Zvicër imazhet e pasardhëseve të lopëve të dhuruara më 1999. Krejt kjo në kuadër të ekspozitës “Passage – arti në Gemmi Pass” në Gemmi Pass në Alpet e Zvicrës.
Për të nuk bëhet fjalë vetëm për një ekspozitë, por ai e sheh si një përpjekje për ta rikthyer në vëmendje një histori të heshtur që mban ende shumë kuptim.
“Titullin ‘Family album Woven Soil’ e kam zgjedhur si një mënyrë për të lidhur kujtimin me tokën. ‘Family album’ nuk ka të bëjë vetëm me njerëzit, por me gjithçka që mban kujtesë dhe afërsi. Në këtë rast, lopët janë figura që ruajnë në trupin e tyre një akt mirësie, një dhuratë që erdhi prej Zvicrës në një nga momentet më të vështira për Kosovën”, ka thënë ai pak ditë para hapjes së ekspozitës. Sipas Xhafës, “Woven soil” është një metaforë për një tokë që nuk është thjesht dhé, por një shtresë e endur me kujtime, dhembje e shpresë.
“Kur i kam fotografuar këto kafshë, pasardhësit, nipat, mbesat e atyre që erdhën në vitin 1999, kam dashur të tregoj diçka që s’ka zë, por që jeton në çdo hap në fushat tona. Kam zgjedhur të tregoj jetën që nisi sërish përmes kujdesit dhe pranisë së tyre”, ka thënë Xhafa, ekspozitat e të cilit kanë shëtitur botën. Në konceptin e Xhafës, i cili ka vepra në hapësira publike në disa vende të botës, pasardhësit e lopëve të Zvicrës në imazhe janë dëshmi të një kujdesi të heshtur, të një akti njerëzor që nuk u bë për bujë, por për jetë.
“Një album familjar ku nuk gjejmë vetëm portrete, por ndjenja që ecin mbi dheun që i ka mbajtur e i ka ushqyer. Një kujtim i gjallë, pa fjalë”, ka thënë ai. Konceptet artistike të Xhafës shquhen për trajtime e perspektiva të holla. Në këtë rast, arti për të nuk është formë komunikimi, por një gjendje qenieje.
Është provokim në të shumtën e rasteve.
“Ai nuk kërkon të shpjegojë botën, as të bindë për të vërtetën e saj, por të dëshmojë praninë e asaj që rrëshqet nga ndërgjegjja jonë, nga historia jonë e folur dhe e shkruar. Arti nuk flet me zë, sepse ai operon përtej gjuhës, në hapësirën ku fjala dështon dhe ndjenja fillon të marrë formë”, ka shpjeguar Xhafa për ekspozitën e cila do të hapet më 6 korrik dhe do të jetë në dispozicion të vizitorëve deri më 6 tetor. Vizitorë të shumtë të asaj pjese të Alpeve do të njihen me aktin e solidaritetit të Zvicrës në raport me Kosovën, e po ashtu me artin në mes si mirënjohje dhe simbolikë e marrëdhënies midis njerëzve dhe kafshëve.
Në botëkuptimin e Xhafës në këtë rast, arti nuk është as mesazh, as protestë, sepse nuk ngrihet mbi një qëllim.
“Ai është një mënyrë e të qenit në botë, një formë e vëmendjes radikale ndaj atyre fragmenteve të jetës që nuk zënë vend në arkiva, në statistika apo në kronika”, ka sqaruar Xhafa, i cili më 2017 përfaqësoi Kosovën në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia, ndërsa më 2013 ishte midis përfaqësuesve të Italisë. Fotografitë i ka shkrepur jo mbi një subjekt estetik, por mbi qenie që janë bartëse të një kujtese.
“Kjo është të pohosh se edhe jeta që zakonisht qëndron në periferi të kujdesit tonë ka një histori, ka një marrëdhënie me dhimbjen dhe me dashurinë. Arti në këtë kontekst bëhet dëgjues i heshtjes së kafshëve, dëshmitar i një toke që është plagosur dhe që ka ringjallur veten nëpërmjet gjesteve të heshtura”, ka thënë ai.
Në perspektivën e Xhafës, i cili është shpallur edhe Akademik Nderi i Akademisë së Arteve të Bukura në Firencë, në ndërthurjen midis vendeve, kafshëve dhe njerëzve, arti nuk ndërton ura artificiale, ai e lejon lidhjen të ndodhë vetvetiu përmes pranisë.
“Ai bëhet një fije pothuaj e padukshme, por e patundshme, që nuk na mban bashkë përmes logjikës, por përmes ndjenjës. Një ndjenjë që nuk kërkon arsye, por njohje të thellë. Njohje të prekjes, të kujtesës trupore, të dashurisë që nuk flet gjuhë njerëzore”, ka thënë ai. Për të, arti është ndoshta e vetmja hapësirë ku koha nuk është lineare. Sipas tij, nëpërmjet artit, e shkuara, e tashmja dhe e mundshmja bashkëjetojnë jo si ngjarje, por si përvoja.
“Dhe pikërisht për këtë, arti ka fuqi që asnjë medium tjetër nuk e ka. Ai e shfaq atë që nuk mund të vërtetohet, e ndien atë që nuk mund të përshkruhet dhe e shpëton nga harresa”, ka thënë Xhafa derisa ka folur për ekspozitën që organizohet nga Klubi Alpin Zviceran.
Sipas organizatorëve, “Passage – Arti në Gemmi Pass” fton vizitorët të ndjekin një shteg frymëzues arti.
“Gjatë rrugës, vizitorët do të gjejnë 13 vepra arti që i inkurajojnë të lidhen me mjedisin përreth, të reflektojnë dhe të përjetojnë artin me të gjitha shqisat. Këto vepra ndërveprojnë në mënyrë krijuese me natyrën përreth, turizmin dhe rëndësinë historike të Gemmi Pass si një rrugë kalimi e Alpeve”, shkruhet në sqarimet për ekspozitën e kuruar nga Beate Engel dhe Peter Erismann. Sipas organizatorëve, veprat e artit në këtë rast janë shumëllojshmëri metodash pune, përfshirë formatet performative.
“Në qendër të vëmendjes është kalimi nga Lämmerenhütte SAC drejt Daubensee, nga hoteli alpin ‘Schwarenbach’ drejt Spittelmatte dhe deri në stacionin malor ‘Sunnbüel’. Marrëdhënia midis njeriut dhe natyrës në kohën e krizës klimatike trajtohet në mënyrë të gjallë. Vizitorët mund të presin gjithashtu një program mbështetës tërheqës, përfshirë turne të udhëhequr dhe shpjegime gjatë ekspozitës tremujore”, shkruhet në sqarime për ekspozitën ku midis 13 artistësh marrin pjesë edhe Christophe Burgess, Mawlle Cornut, Bob Gramsm dhe Séverin Guelp. Sislej Xhafa në këtë rast paraqet simbolikën e tokës së ndërthurur nëpërmjet një akti solidariteti ku kafshët bartin histori.
E-Diaspora
-
Madrid: Baritoni shqiptar Gëzim Myshketa debuton në “Teatro Real” Baritoni Gëzim Myshketa debuton në Madrid përkrah emrave të mëdhenj të operës botërore...
-
Spitex BajRon AG, ju flet shqip
-
Byreku shqiptar në festivalin 2025 në Illinois
-
Prizreni mirëpret diasporën me parkim falas në oborret e shkollave
-
Arratiset gjatë transportit të të burgosurve – Policia kërkon 23-vjeçarin shqiptar
Jeta në Zvicër
-
Grabiten implante dentare me vlerë rreth 1 milion CHF në Oensingen Një grabitje profesionale ka ndodhur të martën në mbrëmje në një kompani të specializuar në prodhimin...
-
UBS fillon migrimin e klientëve zviceranë të Credit Suisse
-
Tre sulme seksuale në vetëm dy orë në Biel
-
Gotthard: Radhë prej 10 kilometrash në nisje të pushimeve verore
-
Taksimi i shoferëve të huaj: A është zgjidhja për bllokimet e trafikut gjatë verës?