Kultura

Artistja kosovare sjell ekspozitën “Koha” në galerinë “Qyteti i kohës”

Ekspozita hapet më 18 janar 2018 me fillim në orën 18.30, në galerinë “Cité du Temps” në Gjenevë

Më 18 janar 2018 artistja nga Ferizaj, Lebibe Topalli-Shabani hap në galerinë e njohur të Gjenevës “Cité du Temps” ekspozitën e saj personale të titulluar “The time” – “Le temps” (Koha). Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 28 shkurt 2018.

Ekspozita përbëhet nga tri tërësi: “The time”, “Don`t Stop My Time” & “Non-Stop”. Emërtimi “The time” i ekspozitës lidhet me një arsye të fortë, pasi që është koha ajo që kalon të gjitha dhe mbijeton përgjithmonë, shkruan albinfo.ch. Është koha ajo e cila ndjek besnikërinë e njeriut duke shkaktuar përherë paradokse. Dhe është zemra jonë sinonimi i tiktakut që mat kohën.

Është evidente se secila pikturë e kësaj ekspozite tregon akrepat e orës, të cilët krijojnë qarkun e tyre përcaktues. Në shumicën e këtyre krijimeve artistike shpërfaqet optimizmi përmes ngjyrave të ngrohta dhe të buta, përveç te kapitulli “Don`t stop my time”, pikturat e të cilit si laitmotiv kanë ndërgjegjësimin e njerëzve, shkruan albinfo.ch. Ndërgjegjësim lidhur me atë që kohën duhet ta vlerësojmë dhe ta përdorim në mënyrë pozitive sepse ajo nuk ndalon kurrë dhe ne mund ta humbasim atë.

Lebibe Topalli Shabani është e lindur në Ferizaj në vitin 1981. Ajo ka mbaruar studimet për arte pamore në Universitetin e Tetovës ndërsa masterin në arte e ka bërë në Universitetin e Prishtinës. Aktualisht punon si mësimdhënëse në Shkollën e Mesme të Arteve  “Çesk Zadeja” në Ferizaj.

E dashuruar që në vitet e hershme me pikturën, ajo ka punuar shumë për të realizuar dashurinë e saj dhe thotë se ka fituar më shumë se ç`ka pritur. Deri tash, artistja ka qenë pjesë e 46 ekspozitave kolektive, ndërsa “The Time” është ekspozita e saj e pestë personale.

Vendet ku ajo ka ekspozuar, veç Kosovës janë edhe: Zvicra, Franca, Turqia dhe Maqedonia.

Momenti me të cilin mburret më së shumti ka qenë në vitin 2004, kur ajo kishte krijuar muralin e parë në qytetin e Ferizajt, me titullin “Integrimi në Evropë”. Po ashtu në vitin 2004  ajo së bashku me artistet  tjera femra të qytetit është paraqitur me muralin tjetër kushtuar “8 Marsit”, Ditës së gruas, thotë Lebibe Topalli për albinfo.ch. Tema e muralit ka qenë: “Bashkimi familjar”.

 

Në vitin 2016 ajo ka fituar çmimin “Artisti i vitit”. Lebibe Topalli Shabani është themeluese e festivalit të parë ndërkombëtar të muraleve në regjion, të quajtur “Mural Fest”, në të cilin ajo ka ka mbajtur postin e drejtoreshës kryesore.

Maksima që artistja përdor më së shpeshti është “Jeta ime është e mbushur me ngjyra, ngjyrat kanë krijuar rrugën time”.

Shumica e punimeve që do të ekspozohen në Gjenevë janë ntë punuara në teknikën akrilike në kanavacë, ndërsa disa tyre janë kolazh.

Qendra Kulturoree e Koosvës në Cyrih do të ndihmojë në pjesën organizative të ekspozitës si ofrimi i koktejit të verërave nga Kosova dhe i  muzikës instrumentale në hapje.

Ekspozita hapet më 18 janar 2018 me fillim në orën 18.30, në galerinë “Cité du Temps” në Gjenevë.