Tematike

Atdheu i humbur i demokracisë*

Guri më i rëndësishëm i themelit të demokracisë në dekadat e fundit ka filluar të rrëshqasë. Deri sa demokracia të ketë mundësi që sërish të shpalosë mirësinë e vet, ne duhet që së pari ta gjejmë një vend të ri për të

Guri themeltar qendror dhe më i rëndësishëm për secilën demokraci deri tash është shteti. Qoftë ky një shtet nacional si Franca ose “multinacional” si Zvicra. Ky gur themeltar gjatë dekadave të fundit të shumtën ka marrë rrëshqitjen dhe rëndësia e shtetit si njësisë qendrore për demokracinë është bërë gjithnjë më relative. Demokracia, ndërkaq, ka gjetur një vend të ri, në të cilin dhe me të cilin do të mund ta mbronte primatin e politikës kundrejt tregut dhe ekonomisë.
Rreth treqind vjet, shteti, në forma dhe gjendje të ndryshme ka përbërë hapësirën qendrore të jetës para së gjithash për evropianët. Fuqia politike, e kësobotshme në këtë shtet koncentrohej te “sovrani”. Një kohë të gjet¨dhe në shumicën e këtyre shteteve “sovranët” ishin mbretërit, perandorët ose princërit. Ata mbretëronin mbi shtetet.
Ngritja e të shumtëve

Në shumicën e revolucioneve nacionale të viteve 1789, 1830, 1848, 1918 dhe pas vitit 1945, populli është bërë “sovran në shtet”: Kështu, të shumtët zunë vendet e të vetëmve ose të të paktëve “Sovraniteti i popullit” – që është zhvilluar dhe paraparë nga iluministi Jean-Jacqus Rousseau në vitin 1762 në veprën e tij të njohur “contrat social” (Marrëveshja Shoqërore) – ishte bërë në demokraci si burimi i vetëm i fqisë legjitime politike brenda shtetit. Në kushtetutën e tyre, siç quhej tashmë “contrat social” përkatës, merreshin vesh këta të shumtët (fillimisht burrat, e më vonë edhe gratë) si dëshironin ta organizojnë fuqinë e tyre, që domethënë se cilat institucione që dalin nga burimi i sovranitetit të popullit në çfarë mënyre do të konsumohen.

Edhe në mes të kësaj fuqie shtetërore ekzistonin sisteme të tjera rregullimi të rendit – sikur për shembull ekonomia e organizuar sipas modelit kapitalist, të cilat nuk ishin krejt identike me të.

Por, ekonomia, përkundër faktit të ekzistimit shumë të hershëm të tregjeve transnacionale, në thelb vazhdonte të ishte “Ekonomi popullore”. Kjo nënkupton po ashtu që hapësira e saj kryesore ishte shteti. Dhe kështu ajo funksiononte sipas rregullave të veta, pra sipas ligjeve dhe urdhëresave të miratuara “Në emrin e popullit, sovranit”. Primati i politikës konsiderohej pretendimi vendimtar i demokracisë për jetësimin e lirisë së secilit, pavarësisht nga lindja, gjendja. prona ose të ardhurat.

Në vitet e shtatëdhjeta kjo radhitje prioritetesh filloi të rrëshqasë. Lidhur me shkaqet, janë shkruar edhe libra; Njëri ndër kërkuesit ishte libri i botuar para afër 20 vitesh nga Hans-Peter Martin dhe Harald Schumann me titullin “Kurthi i globalizimit”. Efekti relevant politik demokratik ishte i qartë: Shteti dhe sovrani i tij ishin shfronësuar gjithnjë e më shumë. Fuqia vendimtare e rendit nuk ishte më shteti dhe politika e tij demokratike por tregu transnacional, global. Shtetet nuk ishin më në gjendje tu qaseshin tregjeve dhe të civilizonin, disiplinonin pasojat që ato i krijonin.
Tash luhej ndryshe: Tregjet fusnin shtetet brenda tyre. Tash janë lojtarët globalë ata që ua caktonin rregullat shteteve. Efikasiteti, konkurrenca, fitimi zëvendësuan mirëqenien e përgjithshme, barasvlerën dhe konsideratën. Me fjalët e sociologut gjerman Wolfgang Streeck roli i politikës tashti qëndronte në atë që “t`i nënshtrohej sa më shumë ë të jetë e mundur ligjeve ekonomike dhe që rregullimi shoqëror (dhe e drejta A.G.) të përshtatet në vazhdimësi me kërkesat gjithnjë në ndryshim te konkurrencës ekonomike dhe të akumulimit të kapitalit”.

Tepër i dobët për qenësoren

Vendimi për atë se çka është e mirë dhe e rëndësishme dhe para së gjithash se çka do të na bënte mirë ne të gjithëve, tash nuk ishte më në duar të qytetarëve të një shteti por çështje e tregut transnacional të verbër socialisht dhe ekologjikisht. Demokracia patit humbur hapësirën, vendin e saj. Ajo vazhdon të vlejë brenda hapësirave të kufizuara të shteteve. Por kur shtetet nuk kanë më ndikim të vendimtar mbi qenësoren, frytet dhe trajtën e punës sonë dhe demokracia gjithnjë përfundon te kufijtë shtetërorë, ajo është e shfronësuar. Ashtu sikur që shteti u bë tepër i vogël për të madhen, ashtu edhe demokracia u bë tepër e dobët për qenësoren. Ashtu sikurse në një kabinë telefoni nuk mund të luhet futboll i bukur, ashtu edhe demokracia sot nuk mund ta zhvillojë më mirësinë e saj në asnjë shtet.

Por kjo nuk duhet të kuptohet si “Fundi i demokracisë”. Po ashtu nuk duhet të kuptohet sikur demokracia realisht ekzistuese duhet të degjenerojë në “postdemokracinë” e simuluar. Pretendimi i demokracisë për të qenë kusht për lirinë e të gjithëve, jo vetëm që vazhdon të jetë i vlefshëm por është më universal se kurrë. Ne vetëm duhet të jemi të vetëdijshëm se demokracia për jetësimin e këtij pretendimi ka nevojë për një vend të ri transnacional, mbishtetëror. Një vend i tillë, natyrisht nuk ekziston ende. Është pra një U-Topos, një utopi. Prandaj ne duhet të bëjmë edhe diçka në mënyrë që k vend edhe të bëhet. Ashtu sikurse të gjitha të arriturat politike për të cilat ne sot jemi krenarë, para 150 vitesh ishin pak a shumë utopike dhe për shumë prej tyre ende na duhet të punojmë. (nga gjermanishtja: B.SH.)

*Andreas Gross është politikan dhe politolog, deputet nacional i Zvcres në disa legjislatura si dhe deputet dhe shef i grupit parlamentar socialdemokrat të Këshillit Evropian. 
Nga dhjetori i vitit të kaluar, Gross është edhe kryetar i shoqatës albinfo.ch. 
Shkrimet e tij të përkthyera nga gjermanishtja, janë botuar më parë në Tageswoche të Bazelit. albinfo.ch i publikon ato me rekomandimin e autorit dhe me autorizimin e gazetës në fjalë.