Kosova

ATK vetëm në janar mbledh mbi 67 milionë euro

Administrata Tatimore e Kosovës e ka nisur mbarë vitin 2020.

Në janar Administrata Tatimore saktësisht ka inkasuar 67 milionë e 100 mijë euro.

“Këtë vit ka vendosur prioritete të shumta, ku realizimi i të cilave do të ndikoj në përmirësimin e proceseve të punës, si dhe arritjen e projeksionit të të hyrave vjetore, por edhe në zvogëlimin e stokut të borxheve. Për këtë qëllim tani janë marr të gjitha veprimet tek konsolidimi i mbledhjes se detyrueshme. Me qëllim të rritjes së rezultateve në mbledhjen e borxheve, është ri-organizuar Departamenti i Mbledhjes së Borxheve në një qendër të vetme në Prishtinë, në kuadër të së cilës do të funksionojnë katër divizione, ku secili divizion do të jetë përgjegjës vetëm për një fazë të caktuar të trajtimit të borxheve “- njofton Administrata Tatimore e Kosovës përcjellë Klan Kosova.

“Qëllimi i këtij reformimi është inicuar duke pas parasysh nivelin e lartë të borxheve të krijuara nga tatimpaguesit, ku përmes projektit të Konsolidimit të Mbledhjes së Borxheve, ATK do të siguroj procedura dhe qasje të re, në përmirësimin e procesit të trajtimit të borxhit në fazë të hershme, si dhe për të zvogëluar stokun e madh të borxheve “.

Sipas ATK-së prioritet do të jetë modernizimi i teknologjisë informative, ku do ta mundësoi automatizimin e punës.

“Reflektim të madh do të ketë edhe modernizimi i teknologjisë informative, ku në fund të muajit janar është finalizuar marrëveshja kontraktuale me konsorciumin, i cili do të mundësoi digjitalizimin dhe automatizimin e proceseve të punës në Administratën Tatimore. Përmes sistemit të ri të teknologjisë informative, do të lehtësohet deklarimi dhe pagesa e tatimeve, si dhe do të mundësohen metoda elektronike shumëkanalëshe të komunikimit. Vizioni i ATK-së është të jemi të besueshëm dhe të respektuar, si dhe të jemi mirë të krahasueshëm me administratat udhëheqëse tatimore në Europë!”- njofton Administrata Tatimore e Kosovës përcjellë Klan Kosova.