Tematike

Aventura e një fluture

Metafora e fluturave të cilat natën drejtohen nga burimi i dritës paraqet përshkrimin më të përafërt të asaj që ndodhte në Bernë gjatë Natës së Muzeve (Museumsnacht).

Turma njerëzish, mu si fluturat e natës, endeshin prej një muzeu në muzeun tjetër duke qenë të mirëseardhur në këto ndërtesa të ndriçuara me drita të llojllojshme. Gjithë udhëtimi filloi prej para Parlamentit (Bundeshaus).

Bundeshaus

Këtu fillonte e gjitha aventura. Bileta të cilën bleva këtu i përngjante një broshi me formë të fluturës. Kjo flutur duhej mbajtur në vend të dukshëm dhe, besomëni, ajo i hapte gjitha dyert e muzeve të cilat arrita t’i vizitoj. Pallati i parlamentit ofronte mjaft për të parë. Nëse jo tjetër, do të mundesha të lavdërohem se kam hyrë së paku njëherë në të.

Gjithë ai entuziazëm për të qenë brenda m’u shua kur e pash rendin e gjatë të pritjes që u përngjante pritjeve të gjata për bukë të zezë te dyqani shtetërorë te mëhalla ime në Shkup. Vazhdova me shpresë se më vonë rendi do të zvogëlohet. Kësaj radhe nuk e kisha brengën se do të kthehem në shtëpi pa bukë të zezë dhe prindërit do të më qortonin.

Duke dashur të vendos se cilin autobus ta marr, hasa në kolonë veturash të vjetra që parakalonin përreth qytetit dhe vozitnin njerëz. U mendova a thua edhe Folksvageni (VW) i im I 1967-tës, të cilin ia dhurova gruas për martesë, do të gjente vend në mesin e këtyre veturave?! 

Kunsthalle

Linja blu shpinte në destinacion të sigurt, atje ku kisha mjaft vende për të vizituar në një distancë relativisht të vogël. Era e djathit të shkrirë, të kombinuar me salsiçe të përgatitura në skarë, nuk më penguan që së pari të hyj në Kunsthalle për të parë, mes tjerash, një ekspozitë dokumentare e cila hidhte një këndvështrim të ri mbi antropologjinë e sotme dhe e cila në prapavijë e kishte sloganin “E bardha e ka prejardhjen prej të zezës”.  

Bernisches Historisches Museum

Naturhistorisches Museum

Disa hapa më larg ishte Muzeu Historik i Bernit. Aty e anashkalova pjesën e dedikuar Albert Ajnshtajnit, jo nga mossrespekti që kam ndaj tij, sa nga frika se mos hasi në ndonjë informacion lidhur me të arriturat e tij në moshën time dhe kështu të demoralizohem edhe të kthehem drejt në shtëpi.

Por, Shtëpia Orientale më mori pak më shumë kohë duke eksploruar eksponatet e shumta, ndër të cilat shpatat ceremoniale me lanë përshtypje të veçantë. Vazhdova më tutje në këtë muze, që kështu të arrij te një turmë njerëzish të cilët pritnin rend. Aty njerëzit “prodhonin” monedha metali.

Në fakt, secili prej tyre kishte blere nga një copë metali në forme te monedhës, të cilën e fusnin në një kallëp dhe duke i rënë fortë me çekan, i vulosnin të dyja anët e monedhës. Edhe pse rendi ishte përplot me fëmijë, unë vendosa të pres rend me ta me arsyetimin se dua të bëj një monedhë si dhuratë për djalin tim!

Naturhistorisches Museum

Museum für Kommunikation

 Si student i komunikimit, muzeu i radhës, “Museum für Kommunikation“, padyshim që për mua ishte interesanti. Mahnitëse ishte ta krahasoj kompjuterin IBM 360, të prodhuar viteve të ’60-ta dhe ’70-ta dhe telefonin tim mobil që pa problem e fuaja në xhep. Ilustrim interesant i asaj se si zvogëlohet bota. Kthim në të kaluarën kisha edhe kur hyra në seksionin e pullave postare dhe pashë rolin që kanë pasur ato në komunikimin mes njerëzve. Sot aq i dalldisur me mënyrat e ndryshme elektronike të komunikimit, njeriu pothuajse harron se si duket pulla postare dhe për çka shërben ajo. Për fat të mirë, një pjesë e korrespondencës që kam me Albinfon është përmes letrave dhe kjo më ndihmon që së paku të mos harroj ku ta vendos pullën postare.

Ora u bë 22.30. Unë vendosa të provoj fatin dhe të shkoj para hotelit “Bellevue Palace”, me shpresë se ndoshta rendi është më i vogël dhe aty do të kem mundësi të ngjitem në ndonjë oldtajmer. Kur arrita aty, u vërtetova se ka mjaft entuziastë tjerë të cilët kishin dëshirë më të madhe se unë për t’u vozitur dhe të cilët ishin të gatshëm të presin edhe nga gjysmë ore. Unë nuk isha i gatshëm. Duke qenë edhe pak i lodhur nga qëndrimi i gjatë në këmbë, vendosa të drejtohem drejt Qendrës së Paul Klee-së.

Paul Klee Zentrum

“Dialog përmes pikturave” mbante emrin ekspozita kushtuar këmbimit të letrave mes Paul Klee-së dhe Franz Marc-ut. Duke parë kartolinat të cilat ata vetë i kanë pikturuar dhe pastaj ia kanë dërguar njeri tjetrit, fillova të mendoj mbi atë se sa gjëra mund të thuhen me një ilustrim. Fjalët ishin të tepërta dhe të vlefshme për t’u harxhuar, megjithatë ato kartolina në vete përmbanin porosi aq të mëdha. Duke qenë i bindur në principin se një fotografi mund të vlejë sa 1000 fjalë, lexuesin e këtij teksti vendosa ta shpërblejë me një shëtitje vizuale të këtij udhëpërshkrimi.

Linku i udhëpërshkrimit vizual: http://youtu.be/GNWQfhscMKA