Integrimi

Bashkësitë shqiptare islame marrin rol prijës në njohjen e shtetit ligjor në Zvicër

André Duvillard: "Në një botë ideale, edhe bashkësitë tjera fetare do ta bënin këtë zotim që po e bëni ju sot këtu. Ky dokument do të shërbejë si pikë referimi për të ardhmen”

Të hënën në Bernë, në shtëpinë e Religjioneve, dy subjektet e besimtarëve myslimanë të shqiptarëve të Zvicrës, kanë nënshkruar një deklaratë ku ato zotohen për laicitet dhe për respektim të shtetit ligjor në vend. Nënshkrimin e kanë dhënë imamët: Mustafa Memeti, kryetar i Bashkësisë Islame Shqiptare të Zvicrës dhe Nehat Ismaili, kryetar i Unionit të Imamëve Shqiptarë të Zvicrës. Iniciator dhe ndërmjetësues ka qenë ish ambasadori i Kosovës në Zvicër, Naim Malaj.

Në aktin e nënshkrimit ishin të pranishëm edhe mbasadorët e vendeve prej nga vijnë shqiptarët: Nazane Breca (Kosovë), Ilir Gjoni (Shqipëri) dhe Rafet Hajdari (Maqedoni).

Ish ambasadori Malaj në fjalën e tij të hapjes, ka folur për “islamin shqiptar” duke iu referuar besimit islam të praktikuar ndër shqiptarët, si një besim tolerant dhe i orientuar nga bashkëjetesa në mes të feve. Këtë ai e ka ilustruar me paqen në mes të tri feve te shqiptarët dhe në identifikimin e tyre në radhë të parë me kombin. Në këtë kontekst ai ka përmendur edhe sloganin e njohur rilindës “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, i cili ka shërbyer si një udhërrëfyes për idealet properëndimore dhe laike të shoqërisë shqiptare. Më tutje ish ambasadori është ndalur edhe në realitetin zviceran ku më shumë se gjysmën e myslimanëve e përbëjnë shqiptarët. Së këndejmi, sipas tij, nuk është e arsyeshme që në emrin e besimtarëve myslimanë shqiptarë të flasin të tjerët, ata që janë pakicë. Më tutje ai ka arsyetuar këtë akt duke thënë se i kontribuon evitimit të keqkuptimeve, përgjithësimeve dhe paragjykimeve lidhur me islamin në shoqërinë e këtushme.

  • Dokumenti si pikë referimi

Në cilësinë e të ngarkuarit në nivel federal për përpunimin e një plani parandalues kundër radikalizimit të dhunshëm në baza fetare, Andre Duvillard ka përshëndetur nismën duke e quajtur atë si një reaksion pozitiv të komunitetit mysliman shqiptar. “E çmoj faktin se bashkësitë fetare shqiptare, duke ndjerë përgjegjësitë e veta si pjesë e shoqërisë civile e kanë marrë këtë nismë. Në një botë ideale, edhe bashkësitë tjera fetare do ta bënin këtë zotim që po e bëni ju sot këtu prandaj shpresojmë që të tjerët, do t`i bashkëngjiten kësaj. Ky dokument do të shërbejë si pikë referimi për të ardhmen”, ka thënë ai.

I pyetur nga albinfo.ch, rreth rëndësisë së nënshkrimit të kësaj deklarate, Duvillard ka thënë: “Kjo deklaratë bëhet edhe më e rëndësishme për faktin se viteve të fundit kemi më shumë raste të radikalizimit të dhunshëm në emër të myslimanëve. Prandaj akti i këtyre dy shoqatave është apel kundër këtij trendi”. Ndërsa pyetjes përse ka rëndësi që kjo deklaratë është bërë nga shqiptarët, Duvillard i është përgjigjur: “për faktin se shqiptarët përbëjnë mbi gjysmën e të gjithë myslimanëve në Zvicër dhe për këtë arsye përbëjnë faktor të rëndësishëm në vend. Prandaj ne shpresojmë që edhe bashkësitë tjera të bëjnë deklarime të ngjashme, të mbështetura në këtë model. Duke u nisur edhe nga jehona e madhe që i ka dhënë dhe po i jep media këtij akti, kam besim se ai do të ketë sukses”, ka thënë Duvillard për albinfo.ch.

  • Për një “islam zviceran” me frymë konsensusi

Në emrin e Komisionit Federal për Migracion ka folur Simone Prodolliet. “Në fakt, zotimi që bëhet në këtë deklaratë do të duhej të ishte diçka e vetëkuptueshme për jetën në një shoqëri demokratike dhe me sundim ligji, çfarë është Zvicra. Por megjithatë imamët shqiptarë kanë vendosur të ngrenë zërin e tyre për të përqafuar shtetin e së drejtës dhe për t`iu kundërvënë ekstremizmit fetar, dhe ne duhet ta vlerësojmë lart këtë akt. Duhet falënderuar angazhimin e tyre për një “islam zviceran” me frymë konsensusi por në të njëjtën kohë duhet pritur edhe nga shoqëria zvicerane më shumë mirëkuptim dhe më pak paragjykime ndaj pjesëtarëve të saj të besimit mysliman”, ka thënë po ashtu Prodolliet.

Ambasadori i EDA-s Stephan Hussy ka evokuar fillesën e idesë e cila të hënën po kurorëzohej. Kjo ka ndodhur disa vite më parë, kur ai me ambasadorin e atëhershëm të Kosovës, Naim Malaj po bisedonin lidhur me paraqitjet shqetësuese të ekstremizmit islamik si udhëtimet xhihadiste etj. Përveç si çështje e sigurisë së brendshme, kjo po trajtohej edhe nga politika ndërkombëtare ndërsa edhe Zvicra adoptonte qëndrimet e OKB-së dhe instancave tjera ndërkombëtare lidhur me këtë rrezik.   “Më gëzon fakti se Malaj, edhe pas përfundimit të mandatit të ambasadorit ka vazhduar angazhimin e tij në atë drejtim”, ka thënë Hussy.

Imami i xhamisë që funksionon në “Shtëpinë e religjioneve, Mustafë Memeti thotë  se nënshkrimi kësaj deklarate ka qenë më se i nevojshëm. “Sfidat që vijnë si rezultat i ndikimeve nga jashtë në mesin e myslimanëve të Zvicrës, sot janë të mëdha. Ne si shqiptarë jemi komuniteti më i madh mysliman në Zvicër, prandaj ishte e domosdoshme të bashkoheshim që të merremi vesh se si do të organizohemi për t`u ballafaquar në mënyrën më të mirë me këto sfida. Kjo deklaratë shërben edhe për të qetësuar opinionin zviceran të shqetësuar me të drejtë por edhe për t`i ikur stigmatizimit tonë si besimtarë myslimanë”, thotë me tutje Memeti për albinfo.ch. “Në këtë drejtim ne si myslimanë shqiptarë kemi një përparësi në krahasim me komunitetet tjera myslimane pasi që kemi një përvojë bashkëjetese në mes të besimeve të ndryshme. Kështu, kjo deklaratë e plason përvojën shqiptare në Zvicër dhe mund të shërbejë si shembull edhe për të tjerët të bëjnë diçka të tillë në të ardhmen”.

Ndërsa imami Nehat Ismaili, kryetar i UISHZ thotë se Unioni… “duke u nisur nga parimet e tij bazë të ndërtuara mbi kozmopolitizmin islam dhe vlerat progresive europiane, si dhe nga praktika e tij e dëshmuar në jetësimin e konceptit universal të vlerave njerëzore dhe integruese, jo vetem që është i vetëdijshëm për rëndësinë kruciale të nënshkrimit të një deklarate të këtillë, por edhe zotohet se do ta kryejë rolin e detektuesit dhe korigjuesit të ngecjeve në zbatimin e saj”.

Bashkimi në mes të dy subjekteve duhet të ndodhë sa më shpejt!

Lidhur me bashkimin e mundshëm të dy subjekteve shqiptare myslimane të Zvicrës, Memeti thotë se ai duhet të ndodhë gjithsesi dhe sa më shpejtë. “Unë personalisht nuk i besoj shumë ngjyrës së shkruar në letër nëse ajo nuk pasohet me veprime konkrete. Prandaj ne duhet patjetër që të punojmë për të ndërtuar struktura që do të çojnë deri te bashkimi. Madje unë, si kryetar i njërit krah të organizimeve fetare të shqiptarëve do të ndihesha fajtor në mesin e komunitetit, në rast se bashkimi nuk do të ndodhë”, thotë Mustafë Memeti, kryetar i Bashkësisë Islame të Shqiptarëve të Zvicrës.

Shqiptari katolik në mesin e pjesëmarrësve

“Kam ardhur këtu i shtyrë nga interesimi për atë se vëllezërit e mi të besimit mysliman e kanë nënshkruar një dokument zyrtar para autoriteteve zvicerane. Dikush këtu e përmendi islamin shqiptar. Prandaj, nëse është islam shqiptar ai është edhe imi, por po ashtu edhe nëse krishterimi është shqiptar, ai është edhe i juaji. Mendoj se duhet t`i ndajmë bashkë vlerat që kemi. Kam qenë fare i ri kur kam marrë pjesë në pajtimin e gjaqeve dhe ende i kam në kokë ato imazhet kur priftërinjtë dhe imamët shqiptarë përqafoheshin para masës. Kemi vërtet nevojë për imazhe të tilla, për unitetin”, tha Anton Pjetraj nga Gjakova, i cili bëri edhe disa fotografi me imamët shqiptarë dhe hyri së bashku me të tjerët në xhaminë që e udhëheq Imami Mustafë Memeti.