Kosova
BE-ja ia rikujton Hotit që sa më parë ta emërojë kryenegociatorin e Kosovës për dialog
Bashkimi Evropian dëshiron që sa më parë të rifillojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe që qëllimi i këtij rifillimi të jetë edhe përfundimi sa më i shpejtë i këtij dialogu përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.
Këtë e ka thënë të enjten një zyrtar i lartë i BE-së, duke thënë se BE-ja po ashtu pret që Qeveria e Kosovës, e kryesuar nga Avdullah Hoti, të emërojë një kryenegociator për dialog dhe një ekip të Kosovës për këtë.
Në BE pohojnë se u takon kosovarëve të vendosin se kush do t’i përfaqësojë, e po ashtu edhe BE-ja vendos se kush do ta përfaqësojë atë.
Kjo u tha duke pasur parasysh pohimet e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi se ai nuk do të marrë pjesë në dialogun që e ndërmjetëson i dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak.
Ky i fundit thuhet të ketë biseduar me shumë zyrtarë të Kosovës, por jo edhe me presidentin Thaçi, i cili ka dërguar porosi se “nuk ka kohë, sepse është i zënë duke u përballur me pandeminë”.
Në BE konsiderojnë se tash kanë një person, duke aluduar në të dërguarin e posaçëm, i cili do të merret me dialog 24 orë në ditë dhe kjo dëshmon se BE-ja e ka kuptuar se kësaj teme, si dhe tërë rajonit, duhet kushtuar më shumë kujdes.
Po ashtu, në qasjen e re të dialogut, BE-ja dëshiron të jetë më konkrete e jo duke pasur një qasje të dykuptimësisë së qëllimshme siç ka pasur më herët.
Ndryshimi i kufijve, thonë tashmë shumë burime në BE, nuk do të jetë në tryezë, sepse është kuptuar se një ide e tillë ka ndikim negativ, është kundër vlerave evropiane dhe zakonisht pasohet me lëvizje edhe të njerëzve në baza etnike.
Pikërisht për shkak të ndikimit që mund të ketë në rajon, si dhe në të ardhmen evropiane të rajonit, BE-ja nuk do t’ua lërë Beogradit dhe Prishtinës krejtësisht në dorë se çfarë mund të jetë marrëveshja.
Prandaj insistojnë që marrëveshja, e cila do të duhej të arrihej mes palëve, të jetë e pranueshme edhe për BE-në, të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe të ketë ndikim pozitiv dhe stabilizues në rajon. Një marrëveshje, e cila do të nënkuptonte ndryshimin e kufijve, nuk besohet se do të ishte e tillë.
Burimet e BE-së pohojnë se i dërguari i posaçëm Miroslav Lajçaku planifikon që sa më parë të vizitojë Prishtinën dhe Beogradin, për të pasur kontakte personale me partnerët, në mënyrë që të rifillojë dialogu. Ky dialog pritet të zhvillohet në Bruksel.
BE-ja e mirëpret rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog. Në BE pohojnë se SHBA-ja ka pasur rol në dialog edhe në të kaluarën, si dhe një rol të pazëvendësueshëm edhe në rajon, krahas BE-së.
Por, në BE presin që të ketë më shumë transparencë edhe nga ajo që çfarë po bën administrata amerikane me ndihmën e palëve që të arrijë normalizimin e raporteve.
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Fehim Abazi, kryetar i ri i Komunitetit Musliman Shqiptar të Zvicrës Zgjedhja u bë gjatë Kuvendit të rregullt të mbajtur të dielën në xhaminë e Friburgut, ku... -
Maqedoni: Mjekët e diasporës do të përfshihen në trajtimin e pacientëve përmes telemjekësisë -
Lozanë: Veshjet tradicionale shqiptare, mesazh i fortë për identitetin dhe rininë -
Inovatori i ri shqiptar në Zvicër: Projekti i tij për motor me hidrogjen në garën kombëtare shkencore -
Berlin
Rinia shqiptare në Berlin organizon për herë të parë Albanian Film Festival
Jeta në Zvicër
-
Vjedhjet e identitetit online rriten ndjeshëm në Zvicër Brenda dy vitesh, numri i rasteve ka shkuar nga 478 në 8,102, të cilat kanë pasoja... -
Mungesa e vendeve në shtëpi vë në rrezik dhjetëra të mitur në Zvicrën frëngjishtfolëse -
Ushtria zvicerane merr pjesë në stërvitjen e NATO-s në Greqi -
Organizata Birdlife Switzerland fton njerëzit të numërojnë zogjtë në kopshte -
Amazon, Zalando dhe Temu së shpejti do të detyrohen të kenë një kontakt në Zvicër















