Lajme

BE-ja arrin marrëveshje me Tunizinë për frenimin e azilkërkuesve

Bashkimi Evropian dhe Tunizia nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për një “partneritet strategjik gjithëpërfshirës” për energjinë e rinovueshme, zhvillimin ekonomik dhe emigracionin e paligjshëm.

Tunizia është një pikë nisjeje për dhjetëra-mijëra emigrantë që kalojnë Mesdheun për të arritur Evropën.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mirëpriti marrëveshjen që, sipas saj, synon të investojë dhe të ndajë prosperitetin.

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, dhe kryeministri holandez, Mark Rutte, shoqëruan Von der Leyen në Tunizi, një muaj nga vizita e tyre e parë, gjatë të cilës propozuan këtë partneritet, transmeton euronews, përcjell albinfo.ch.

“Ky është një hap i rëndësishëm përpara në përballjen me krizën e emigracionit, në një mënyrë të integruar”, deklaroi Meloni, e cila ftoi presidentin tunizian në një samit mbi fenomenin që do të mbahet të dielën e ardhshme në Romë.

Nga ana e tij, Rutte u shpreh se nga marrëveshja do të përfitojnë si Bashkimi Evropian edhe populli tunizian, duke qenë se BE është partneri kryesor tregtar i Tunizisë.

Akordi përfshin lëvrimin e 105 milionë eurove për të luftuar emigracionin e paligjshëm dhe 150 milionë të tjerë në formë ndihme buxhetore, në një kohë kur Tunizia është e mbytur nga borxhi i lartë dhe ka mungesë likuiditeti.

Vendit do t’i ofrohen edhe 900 milionë euro në formë huaje në vitet e ardhshme.