Lajme

BE nuk njeh pasaportat ruse

Bashkimi Evropian ka refuzuar të njohë pasaportat e reja ruse të lëshuara për ukrainasit, njoftoi sot kryediplomati i bllokut, Josep Borrell.

Borrell njoftoi në Twitter se masa ishte një shkelje tjetër flagrante e sovranitetit të Ukrainës ndersa përsëriti kundërshtimin e BE-së ndaj kësaj politike.

Të hënën, presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një dekret për të zgjeruar rregullat e përshtatshmërisë për pasaportat ruse për banorët që jetojnë në të gjitha pjesët e Ukrainës.

Mbi 800 000 banorë në rajonet separatiste të Ukrainës lindore kanë marrë nënshtetësinë ruse përmes një procedure të thjeshtuar gjatë tre viteve të fundit, sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS.

Gjithashtu, Rusia ka filluar të ofrojë pasaporta për banorët në rajonet që ka pushtuar që nga shkurti pas pushtimit të Ukrainës, duke rritur frikën se po planifikon aneksime të ngjashme me atë që ndodhi në Krime në 2014.