Futboll

Betim Fazliji: Do ta mundim Zvicrën me rezultat 2:1

“Për Kosovën golat do t`i shënojnë Vedat Muriqi dhe Milot Rashica. Kurse për Zvicrën, ndoshta Shaqiri, por nëse shënon, duhet të kërkojë falje”, thotë duke qeshur mbrojtësi kosovar, me prejardhje nga Presheva, Betim Fazliji

Zvicra dhe Kosova do të përballen më 29 mars në Cyrih. Është vetëm një miqësore, por shumë speciale, qofshin për ata të Kosovës, që janë rritur, zhvilluar e luajnë në klube zvicerane apo për djemtë tanë të “humbur” që na kanë bërë në shumë raste krenarë me Zvicrën. Nga të dyja anët do të ketë shumë emocione, mirepo Shaqiri e Xhaka nuk do të jenë në këtë ndeshje të ledhatuarit e mërgatës shqiptare. Rashica, Muriqi, Fidani, Betimi e të tjerë janë emra që do t`i brohorasë mërgata shqiptare

Albinfo.ch ka realizuar një intervistë ekskluzive me Betim Fazlijin, lidhur me përshtypjet e tij për ndeshjen Kosovë – Zvicër, përgatitjet, pritshmëritë, rezultatin e mbi të gjitha emocionet e kësaj përballjeje.

Albinfo.ch: Aktualisht jeni në top formë në ekipin St. Gallen, e po ashtu edhe kapiten i këtij klubi futbollistik, çfarë do të thotë kjo për ju?

Betim Fazliji: Për mua është një nder i madh që më është dhënë mundësia të luaj për këtë klub, ku edhe jam bërë profesionist. I kam shokët dhe familjen këtu dhe me vjen shumë mirë që më është dhënë mundësa dhe besimi që të jem kapiten i këtij ekipi, si 22-vjeçar, pavarësisht se ka lojtarë me më shumë eksperiencë dhe më të moshuar. Jam shumë i kënaqur që më kanë dhënë këtë mundësi dhe, në fakt, jam duke e shijuar çdo moment. 

Albinfo.ch: Në ndeshjen e fundit kundër Sion-it, tifozët vazhdimisht kanë brohoritur emrin tuaj, për shkak se jeni luftarak apo për angazhimin tënd?

Betim Fazliji: Në ndeshjet e fundit që jam edhe kapiten në këtë skuadër. Shumë fansa më kanë shkruar mesazhe pozitive, motivuese, duke qenë se e jap maksimumin në lojë, jam lojtar gjaknxehtë dhe hyj në duele. Fansat në ST. Gallen i vlerësojnë shumë lojtarët luftarakë dhe mendoj që kjo është arsyeja që tifozët, sidomos në tri ndeshjet e fundit, kanë brohoritur emrin tim.

Albinfo.ch: Ndeshjen e ardhshme e keni kundër Cyrihut, kundër bashkëlojtarëve shqiptarë, si: Fidani, Mirëlindi, Blediani dhe Blerimi, me të cilët luani bashkë për kombëtaren e Kosovës. Çfarë komunikimi mban me këta lojtarë, ku në fakt jeni rival në ligën zvicerane?

Betim Fazliji: Të them të drejtën, loja më e dëshirueshme për mua është kur jam kundër Cyrih-ut, sepse e di që aty është Mirlind Kryeziu, Fidan Haliti, Blediani dhe Blerim Xhemajli. Dhe, normale që me këta lojtarë mbaj kontakte, shkruajmë mesazhe, bëjmë shaka. Është shumë kënaqësi, pasi që edhe pak kohë do të luajmë për Kosovën kundër Zvicrës dhe e komentojmë shumë këtë ndjeshje, duke u ngacmuar se kush do të fitojë, në sensin e shakasë. Edhe pse unë nuk do të luaj për shkak të kartonit të katërt kundër Cyrihut.

Albinfo.ch: Jo shumë kohë më parë mbase keni ëndërruar të luani për Zvicrën, por realiteti është se luan për Kosovën, kundër Zvicrës. A mund të na përshkruani përjetimin tuaj, çfarë do të thotë ndeshja kundër Zvicrës për ju si një djalë mërgimtari që jeni rritur dhe shkolluar në Zvicër.

Betim Fazliji: Kjo ndjenjë është shumë e veçantë për mua. Zvicra ka bërë shumë për mua, jam rritur këtu, jam shkolluar këtu, familjen, shoqërinë e kam këtu, pra Zvicra është vendlindja e dytë për mua, pas Kosovës, Preshevës. Besoj që do të jetë një lojë shumë interesante, sepse unë kam luajtur më parë edhe për grupmoshat e reja në Zvicër, që sot janë në ekipin e Zvicrës. Për mua është një ndjenjë dhe emocion i veçantë, me një fjalë “Një festë futbolli”, ku shumë mërgimtarë shqiptarë do të jenë të pranishëm në stadium, bashkë me zviceranë. Jam duke e pritur me shumë qejf.

Albinfo.ch: Betim, ju i keni dhënë shumë futbollit të Zvicrës si sportist në St. Gallen, e po ashtu edhe Kosovës. Duke qenë se vini nga Lugina e Preshevës, si e përjetoni ju dhe të gjithë preshevarët angazhimin tënd për Kosovën. A është për ju një ndjenjë e dyfishtë?

Betim Fazliji: Për mua, deri më tani, vendimin më të mirë që e kam marrë ndonjëherë ka qenë të luaj për Kosovën. Pavarësisht në fillim, kur kam shkuar, nuk e kam pritur që do të shkojë aq mirë. Mirëpo, më është dëshmuar e kundërta, që gjithçka ishte mirë dhe është ndjenjë ekstra e veçantë, kur e di që publikun kosovar e kam pas vetes, pastaj edhe komunikimin e mirë me bashkëlojtarët kosovarë. E gjitha kjo është ndjenjë e bukur që të luaj për Kosovën dhe jap 120% më shumë mund nga vetja, se sa për për St.Gallen ndoshta, sepse zemra më rrah ndryshe për Kosovën.

Albinfo.ch: Kur shkoni për pushime në Kosovë, veçmas në Preshevë, a e vëreni tërheqjen e shqiptarëve që krenohen për ju si futbollist?

Betim Fazliji: Tepër! Pasi jam rritur në Miratovc dhe i njoh thuajse të gjithë, të rinj e të moshuar. Kur shoh se krenohen me mua, të them të drejtën, po më kënaqet zemra, sepse kur e sheh edhe një të moshuar që të lavdëron dhe të respekton, është një ndjenjë e veçantë. I falënderoj të gjithë për respektin që më dhurojnë aty.

Albinfo.ch: Çfarë mendimi keni për ndeshjen që do të zhvillohet mes Kosovës dhe Zvicrës? Me lojtarët shqiptarë dhe me të tjerë që luajnë për Zvicrën, keni kontakt me ta, keni filluar të bisedoni për ndeshjen që do të përballeni?

Betim Fazliji: Një kontakt konkret nuk kam me lojtarët nga Zvicra. Përveç me Ardian Ajetin, me të tjerët kam komunikim vetëm kur takohem, pra njihemi dhe besoj që edhe për ta është ndjenjë e veçantë ndeshja Kosovë-Zvicër.

Albinfo.ch: Cili lojtar të pëlqen në ekipin e Zvicrës?

Betim Fazliji: Më pëlqen shumë Granit Xhaka, sepse pozicionin e ka sikurse unë, mesfushor. Është shembull dhe duke parë atë duke luajtur futboll, unë jam rritur. Po ashtu edhe Xherdan Shaqiri, por duke qenë se nuk është në pozicionin që luaj unë, është më pak.

Albinfo.ch: Cili është mesazhi juaj për lojtarët shqiptarë të Zvicrës?

Betim Fazliji: Ka për t’i pritur një ndeshje shumë interesante, e fortë, një Kosovë që edhe do të sulmojë dhe do të krijojë lojë të mirë kundër kombëtares zvicerane.

Albinfo.ch: Po rezultati, si do të jetë për mendimin tënd?

Betim Fazliji: Unë si optimist besoj që Kosova do ta mundë Zvicrën me rezultat 2 me 1.

Albinfo.ch: Po golat, kush do t’i shënojë?

Betim Fazliji: Nga Kosova golat do t’i shënojnë Vedat Murqi dhe Milot Rashica, ndërsa nga ana Zvicrës mendoj, ndoshta Shaqiri dhe nëse shënon, duhet të kërkojë falje (qeshet).

Më kënaqet zemra kur shoh preshevarët që krenohen me mua

Pasi jam rritur në Miratovc dhe i njoh thuajse të gjithë, të rinj e të moshuar. Kur shoh se krenohen me mua, të them të drejtën, po më kënaqet zemra, sepse kur e sheh edhe një të moshuar që të lavdëron dhe të respekton, është një ndjenjë e veçantë. I falënderoj të gjithë për respektin që më dhurojnë aty.

 

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI