Kosova

Britania e Madhe dënon deklaratat e ministres serbe për Kosovën: Janë krejtësisht të neveritshme

Londra u bëri thirrje liderëve politikë të refuzojnë një gjuhë të tillë, duke theksuar se deklaratat që përmendin spastrimin etnik nxisin tensione dhe minojnë përpjekjet për paqe në rajon.

Mbretëria e Bashkuar ka dënuar ashpër deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila bëri referenca për spastrimin etnik të Kosovës, duke i cilësuar ato si të papranueshme, përcjell albinfo.ch.

Në një deklaratë, zëdhënësi i Zyrës për Punë të Jashtme, Commonwealth dhe Zhvillim (FCDO) tha se komentet e ministres serbe janë “krejtësisht të neveritshme dhe nuk kanë vend në shoqërinë e sotme”.

Sipas autoriteteve britanike, në një kohë kur vendet e Ballkanit Perëndimor po përpiqen të ndërtojnë një të ardhme paqësore, stabile dhe multietnike, deklarata të tilla vetëm sa rihapin ndarjet e së kaluarës dhe nxisin tensione.

Londra u bëri thirrje liderëve politikë që ta refuzojnë qartë dhe pa mëdyshje një retorikë të tillë, duke theksuar rëndësinë e përgjegjësisë politike për ruajtjen e stabilitetit në rajon.

Në fund të deklaratës, Mbretëria e Bashkuar theksoi se ka marrë parasysh edhe distancimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, nga komentet e ministres Snezhana Paunoviq./Albinfo.ch