Integrimi

Brunner: “SVP/UDC kurrë nuk ka zhvilluar fushatë kundër kosovarëve”

bruner2
Toni Brunner, kryetar i partisë më të madhe të Zvicrës, SVP/UDC në intervistën për albinfo.ch shpalos qëndrimet e kësaj partie lidhur me krizën aktuale të refugjatëve në botë, qasjen që mban Zvicra ndaj gjithë kësaj dhe që, sipas SVP-së do të duhej ta mbante etj. Ai thotë se zgjidhja më efikase e kësaj krize do të ishte dërgimi i ndihmave në fqinjësi me rajonet prej nga vijnë refugjatët dhe jo ardhja e tyre në perëndim për t`u strehuar. Brunner mohon që SVP/UDC të ketë zhvilluar fushata kundër të huajve dhe në mënyrë specifike  kosovarëve:  “ne kemi tërhequr vërejtjen për incidentet  si për shembull ai kur dy kosovarë patën therur një zviceran. Por kjo ka pasur të bëjë vetëm me këtë rast eksplicit…”, thotë ai në intervistën për albinfo.ch

Albinfo.ch: Çfarë mendimi keni për krizën aktuale me refugjatët/emigrantët që po marrin në sy Evropën. Sipas jush, cilat janë zgjidhjet më të  përshtatshme për këtë situatë? 

Brunner: Në këtë pikë duhet bërë dallimi i qartë në mes të refugjatëve dhe migrantëve ilegalë. Para së gjithash migrantët nga Afrika e Veriut dhe nga Eritrea, sipas legjislacionit tonë të azilit, nuk janë refugjatë prandaj dhe nuk duhet të trajtohen si të tillë. Refugjatët e luftës, sikur për shembull ata nga Siria, duhet ndihmuar në radhë të parë në regjionin e prejardhjes. Atje mund të arrihet te të gjithë refugjatët dhe me shumën e njëjtë të parasë mund të ndihmohet shumë më shumë se në Zvicër. Veç kësaj është me rendësi që refugjatët e luftës sërish të kthehen sa më shpejt që të jetë e mundur në atdheun e tyre pasi t¨përfundojë lufta dhe të kontribuojnë në rindërtimin e vendit. Kjo gjë është shumë më e thjeshtë të realizohet në regjionin e prejardhjes se sa kur të gjithë ata të jenë të shpërndarë nëpër Evropë.

albinfo.ch: Cili është opinioni i partisë tuaj në lidhje me integrimin e të huajve në Zvicër? Si e shihni evolucionin e mëtejshëm të popullsisë me origjine shqiptare ?

Brunner: Integrimi është një detyrë kryesore e migrantëve. Shumica e të huajve janë integruar mirë në Zvicër. Për fat të keq, natyrisht që ka edhe raste të tjera  të atyre që nuk duan t`u përmbahen ligjeve dhe rregullave zvicerane. Për personat e tillë kriminelë, SVP pati lansuar “Iniciativën për dëbimin e të huajve kriminelë”, e cila qe votuar nga populli i Zvicrës. Dhe kjo tash duhet të jetësohet në mënyrë konsekuente. Nuk bën të ndodhë që të huajt e kriminalizuar rëndë të kenë të drejtë për të mbetur në Zvicër. Kjo është edhe në interes të shumicës së madhe të të huajve të ndershëm dhe të integruar, imazhi i të cilëve vuan nga kjo pakicë.

Lidhur me procesin e integrimit të shqiptarëve unë nuk mund të jap vlerësim meritor.

albinfo.ch: Çfarë pozicioni mban partia juaj mbi temën e rishikimit të ligjit për natyralizimin ?

Brunner: SVP e ka mbështetur në parlament rishikimin e Ligjit mbi Natyralizimin. Ne do të dëshironim më shumë që të mbahej koha minimale prej 12 vitesh për natyralizimin e të huajve por ndryshimet tjera të realizuara si për shembull vendosja e statusit të qëndrimit të përhershëm (viza C) si parakusht për natyralizim shkonin në favor të kërkesave tona kështu që në fund ne nuk e hodhëm poshtë revizionin. Tashti duhet siguruar që para së gjithash edhe parakushtet për integrim si për shembull njohja e gjuhës, të futen edhe në rregullore. Në këtë drejtim është duke u zhvilluar procedura përkatëse e konsultimit.

albinfo.ch: A duhet, sipas jush, të përforcohet statusi i personave me origjinë të huaj  që kanë imigruar në Zvicër, në veçanti për sa i përket pjesëmarrjes në jetën politike dhe sociale të vendit ?

Brunner: Jo, për mendimin tim, nuk nevojitet një „trajtim” i veçantë i personave me prejardhje të huaj. Ata mund të përfshihen në politikë ashtu sikurse edhe të gjithë banorët tjerë të Zvicrës. Sistemi ynë është i hapur për të gjithë. Ata që duan të jenë aktivë edhe në zgjedhje dhe në referendume por edhe janë të integruar, mund të bëjë edhe natyralizimin (ta fitojë shtetësinë zvicerane).

albinfo.ch: Në gjirin e partisë tuaj a ekzistojnë kandidatë për zgjedhjet federale me origjine ballkanike, edhe në veçanti nga  Kosova ?

Brunner: Ne nuk e kemi trajtuar këtë çështje në mënyrë të veçantë. Te ne tashmë ka disa parlamentarë aktivë ashtu sikurse dhe kandidatë që kanë prejardhje të huaj. Ne nuk i trajtojmë këta ndryshe nga të tjerët dhe për këtë arsye nuk i procedojmë ata në mënyrë të veçantë.

albinfo.ch: Për mendimin tuaj, çfarë vendi zë rajoni i Ballkanit, në aspektin e politikës së jashtme të Zvicrës ?

Brunner: SVP përfaqëson në mënyrë të qartë mendimin se Zvicra duhet të mbetet neutrale në të gjitha çështjet. Politika e jashtme është politikë interesash, qeveria e vendit duhet ta marrë sërish më shumë në konsideratë këtë gjë. Në rastin e negociatave në radhë të parë duhet të përfaqësohen interesat e Zvicrës dhe të popullit të saj dhe jo të bëhen përpjekje për t`u pëlqyer shteteve dhe bashkësive të tjera. Në bazë të këtij qëndrimi dhe të idesë sonë për neutralitetin, Këshilli Federal duhet të marrë një qëndrim neutral edhe në çështjen e Ballkanit.  

albinfo.ch: Migrantët me prejardhje nga Ballkani (veçanërisht kosovarët) kanë qenë shpesh objekt i fushatave të partisë suaj. A ka ndryshuar ky diskurs?

Brunner: SVP nuk ka udhëhequr kurrë ndonjë fushatë kundër njerëzve nga Ballkani ose në mënyrë të veçantë, kundër kosovarëve. Më e shumta që ne kemi bërë edhe në të kaluarën, është se kemi tërhequr vërejtjen për incidentet  si për shembull ai kur dy kosovarë patën therur një zviceran. Por kjo ka pasur të bëjë vetëm me këtë rast eksplicit. Ne edhe në të ardhmen do t`i adresojmë hapur këto abuzime, pavarësisht nga prejardhja e bartësve të tyre.

 

“Dëbimi i të huajve kriminelë ndihmon shumicën e të huajve të ndershëm”
SVP pati lansuar “Iniciativën për dëbimin e të huajve kriminelë”, e cila qe votuar nga populli i Zvicrës. Dhe kjo tash duhet të jetësohet në mënyrë konsekuente. Nuk bën të ndodhë që të huajt e kriminalizuar rëndë të kenë të drejtë për të mbetur në Zvicër. Kjo është edhe në interes të shumicës së madhe të të huajve të ndershëm dhe të integruar, imazhi i të cilëve vuan nga kjo pakicë.

“Kundër abuzimeve, pavarësisht nga prejardhja e bartësve të tyre”
SVP nuk ka udhëhequr kurrë ndonjë fushatë kundër njerëzve nga Ballkani ose në mënyrë të veçantë, kundër kosovarëve. Më e shumta që ne kemi bërë edhe në të kaluarën, është se kemi tërhequr vërejtjen për incidentet  si për shembull ai kur dy kosovarë patën therur një zviceran. Por kjo ka pasur të bëjë vetëm me këtë rast eksplicit. Ne edhe në të ardhmen do t`i adresojmë hapur këto abuzime, pavarësisht nga prejardhja e bartësve të tyre.