E-Diaspora

Bujar Berisha: Në botën e artit, çdo gjë është riciklim

“Trupi im është instrumenti im. Duart e mia më mundësojnë të ndërtoj, ndërsa koka, që të planifikoj”, thotë Bujar Berisha, roker, fotograf, videograf etj.

Ka qenë një manifestim kushtuar 28 Nëntorit, diku në vitet e para pas luftës. Në mesin e grupeve të shumta folklorike, mes vallesh, ngjyrash dhe tingujsh të muzikës burimore shqiptare, para publikut, si papritur dhe disi jashtëkohshëm, u paraqit një rok bend. “Manesh” e kishte emrin dhe dy nga katër anëtarët e tij ishin shqiptarë: Bujari dhe Besarti, dy djemtë simpatikë të aktivistit dhe krijuesit Bardhec Berisha, të cilin e njihja që më parë. Repertori që kënduan atë ditë nuk më kujtohet dhe nuk ka shumë rëndësi. Por, që nga ajo kohë, Bujari dhe Besarti janë pjesë e skenës së rokut dhe aktiviteteve tjera artistike në Lucern dhe më gjerë, në Zvicër e në Kosovë.

 

Pas grupit “Manesh”, dy vëllezërit bashkë me një koleg zviceran themeluan dhe drejtuan grupin tjetër të rokut, “Who`s Electra”, me të cilin arritën një shkallë më të lartë popullariteti dhe realizuan edhe albume të suksesshme të një roku alternativ e “Underground”… Paralelisht dhe ndërthurur me muzikën, Bujari gjatë gjithë kohës ka qenë edhe fotografi, grafisti dhe video-artisti i talentuar, që ka bërë emër përtej grupeve muzikore ku bënte pjesë.

Prandaj, lajmi i publikuar në fillim të nëntorit të këtij viti, se komuna Emmen e Kantonit të Lucernit po i ndante çmimin vjetor për kulturë Bujar Berishës, nuk ishte më as i papritur dhe aq më pak, i jashtëkohshëm.

Çmimi në fjalë këtë vit ka nderuar Bujar Berishën “për artin e tij multidisiplinar” sepse Bujarin në fakt nuk mund ta përthekosh brenda një zhanri të ngushtë arti, ai është një talent artistik i shumanshëm. Të paktën. “Bujar Berisha është unik si një artist i gjithanshëm dhe dallohet në skenën kulturore të Emmenit pikërisht për shkak të punës së tij multidisiplinare, shkruan albinfo.ch. Punimet e tij mbështesin angazhimin kritik të individit në raport me shoqërinë”. Kështu thuhet, veç tjerash në laudation me rastin e ndarjes së këtij çmimi.

 

“Ky çmim më jep një shtysë të mëtejshme për punën time, ndihem i kuptuar dhe i vënë re”, përshkruan ndjenjat e tij Bujar Berisha ndërsa flet për këtë nderim. “Kjo më tregon se jam në rrugën e duhur dhe se arti im pranohet”, shprehet ai në një bisedë të zhvilluar për magazinën albinfo.ch

Albinfo.ch: Publiku ju njeh më shumë si anëtar dhe themelues i bendit “Who`s Electra” dhe më herët, i atij “Manesh”. Na flitni rreth përvojave tuaja me këto dy bende gjegjësisht rreth pjesës muzikore të veprimtarisë suaj.

Bujar Berisha: “Manesh” ishte bendi im i parë që krijuam me miqtë moshatarë. Ne asokohe patëm dhënë shumë koncerte në Lucern dhe patëm nxjerrë po ashtu një album. Më pas madje patëm bërë edhe një turne në Kosovë. Ne ishim një nga grupet e para që kemi luajtur në Kosovën e pasluftës. Më pas e mbyllëm historinë me këtë bend, sepse jo të gjithë brenda tij kishin ambicie të njëjta. Pastaj vëllai im (Besarti) dhe unë themeluam rok grupin tjetër, “Who’s Elektra” së bashku me Julian Wettach. Me këtë bend, ne kemi luajtur shumë, jo vetëm në Lucern, por në të gjithë Zvicrën. Kemi qenë disa herë në Gjermani, Poloni, Itali, Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni.

Madje, ne kishim fatin të prodhonim albumin e parë me producentin legjendar Roli Mosimann. Ai njihet si personi që ka bërë produksionin edhe për legjendat si: Marylin Manson, Faith no More, New Order, ndër të tjera. U bënë gjatë asaj kohe shumë videoklipe, shumicën e të cilave i kam bërë unë sepse jam fotograf dhe videograf. Përfundimisht edhe ky grup u prish dhe edhe kësaj here për shkak të ambicieve të anëtarëve, që ishin të ndryshme.

Ka pak vite që jeni aktiv me projektin “die Diebe”. Me çfarë ka të bëjë ky projekt dhe çfarë domethënie ka ky emërtim shumë specifik (Diebe, shqip: Hajdutët).

Ne quhemi “Die Diebe” sepse nuk është filozofikisht e qartë nëse fare po krijohet diçka e re, d.m.th. gjithçka në arte është në një mënyrë, “e vjedhur”, e përsëritur, tashmë e njohur. Gjithashtu, në botën tonë njerëzit më shumë preferojnë të vjedhin diçka sesa të prodhojnë vetë. Dhe, në fakt: a është kjo që po them me të vërtetë ideja ime? Apo është një rezultat nga mjedisi i përmendur?

Pas grupit “Who’s Elektra” fillova projektin tim “Königswasser”. Doja të krijoja një agjenci muzikore në mënyrë që të tregtoja më mirë këtë “produkt” që e kisha regjistruar dhe “përzier” vetë, në studion time. Për të realizuar këtë u takova me Lili Vanilly dhe më pas krijuam së bashku agjencinë muzikore “Die Diebe”. Ne ndërtuam studion tonë dhe më në fund, lindën projekte të reja. Një libër për fëmijë, një libër me zë dhe me figura, “Libri i Gjetjeve 1-3”… Ne prodhuam shumë këngë në studion tonë, disa kalendarë vjetorë, realizuam një turne “Liri për Kosovën”, “Danachrichten” (transmetim satirik i lajmeve), një revistë të vogël, me emrin “Propaganda” dhe shumë më tepër.

Me “Die Diebe” keni pasur ndonjë aktivitet edhe në Kosovë?

Po, kemi qenë pjesë e Festivalit të fjalës së folur dhe të kënduar Spoken and Sungword Festival) në Doberdol, Kosovë (vendlindja e Bujarit). Pastaj turneu

“Liri për Kosovën”. Po kështu kemi realizuar një libër me zë dhe fotografi në shqip ndërsa kemi bashkëpunuar edhe me projektin në Kosovë, “Garazh” etj.

Jeni marrë dhe merreni me muzikë, me video, me fotografi, grafikë etj. Ku jeni më shumë vetvetja?

Trupi im është instrumenti im. Duart e mia më mundësojnë të ndërtoj, ndërsa koka, që të planifikoj. Zotëroj disa instrumente më mirë se disa të tjera. Por nuk brengosem shumë për këtë sepse ajo që më intereson është ideja që lidhet me atë deklarimin e njohur “për ta bërë botën një vend më të mirë”. Dhe, unë e shoh artin si formën më të volitshme shkencore për të bërë këtë.

Keni qenë anëtar i asamblesë së komunës Emmen nga Partia Socialdemokrate. Cilat janë ambiciet tuaja politike?

Unë nuk u rizgjodha më në zgjedhjet e radhës Asamblenë e komunës së Emmen-it dhe për këtë arsye nuk jam më në parlament. Por, gjatë kësaj kohe mësova diçka të re dhe themelova partinë DNGP (Die Nicht Gewählte Partei) që në shqipe i bie: Partia e Pazgjedhur (e pavotuar). Është fjala për një projekt tjetër satirik politik të Bujar Berishës (http://dngp.ch)

Ndryshe, sa u përket ambicieve politike: Kush e di se çfarë do të sjellë e ardhmja. Secila prej punëve të mia është politike në kuptimin e ngushtë ose të gjerë.

Përse pikërisht “Die Diebe”? (hajdutët)

Projekti dhe grupi ynë mbajnë emrin “Die Diebe” (hajdutët) sepse nuk është filozofikisht e qartë nëse fare po krijohet diçka e re, d.m.th. gjithçka në arte është në një mënyrë, “e vjedhur”, e përsëritur, tashmë e njohur. Gjithashtu, në botën tonë njerëzit më shumë preferojnë të vjedhin diçka sesa të prodhojnë vetë. Dhe, në fakt: a është kjo që po them me të vërtetë ideja ime? Apo është një rezultat nga mjedisi i përmendur?

Pak biografi

Bujar Berisha punon si shkrimtar, skenarist për “Danachrichten”, muzikant në DIE DIE BE (https://diediebe.ch/artist/die-die-be/) dhe producent i muzikës në studion e tij (https://diediebe.ch/das- studio /). Po ashtu është i angazhuar në “Naturfreundehaus Brünig” që tani është duke u krijuar si një qerthull i ri kulturor. Në periudhën 2005-2008 ka bërë praktikën si fotograf (ku ka bërë shumë përvojë praktike në fotografi, filmim dhe shitje) në Foto Pro Ecker, Lucern. Në vitin 2006 ka mbaruar Shkollën e Teatrit, Filmit dhe Regjisë, “A. Moisiu”, Adliswil, Cyrih. Ndërsa në vitin 2004 kursin paraprak të dizajnit në Farbmühle, Lucern.