Lajme

Carla del Ponte merr çmimin “Prix Courage” për vepër jetësore

Me "Prix Courage" të rregullt këtë vit është vlerësuar 28-vjeçarja Iluska Grass, e cila pati shpëtuar një hebre ortodoks nga dhuna e neonazistëve

Prokurorja kontroverse zvicerane, Carla Del Ponte, e njohur sidomos për postin e saj të kryeprokurores së Tribunalit të Hagës për krimet në ish-Jugosllavi, ka marrë çmimin për guxim qytetar “Prix Courage” që në Zvicër ndahet për çdo vit, shkruan srf.ch.

Këtë çmim, në versionin e zakonshëm, e ndan prej vitesh magazina “Beobachter”. Ndërsa këtë vit ai i është ndarë Del Pontes si çmim për vepër jetësore.

Me “Lifetime Award” ajo është nderuar për “luftën e saj të përjetshme kundër princërve mafiozë dhe kriminelëve të luftës”, ka njoftuar redaksia e “Beobachter”.

Me “Prix Courage” të rregullt këtë vit është vlerësuar 28-vjeçarja Iluska Grass. Kjo grua nga Cyrihu, para katër vjetësh pati shpëtuar një hebre ortodoks nga dhuna e neonazistëve.

Në zgjedhje të ngushtë për këtë çmim, i cili në Zvicër ka një reputacion të madh, për çdo vit ka pasur edhe shqiptarë të vlerësuar për guximin e tyre qytetar të treguar në momente të rrezikshme për ta, shkruan albinfo.ch.

Për më tepër, katër prej tyre e kanë fituar këtë çmim.

Në vitin 2004 çmimin “Prix Courage” e kishte fituar bashkë me një person tjetër, shqiptari nga Kosova Naser Zubaku. Në vitin 2012 ishte Shqiprim Olluri dhe Dines Xhaferi së bashku me një shok të tyre zviceran që e kishin ndarë këtë çmin. Ndërsa në vitin 2014 Fitore Kastrati e kishte ndarë çmimin në fjalë me një shoqe të saj zvicerane.