Kosova

Çfarë do të ndryshojë në votimin e diasporës për zgjedhjet e 9 shkurtit

KQZ ka miratuar numrin prej gjithsej 47 vendvotimeve dhe ka caktuar numrin e votuesve për secilën përfaqësi diplomatike, nga 1,000 për çdo vendvotim

Me Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme kanë ndryshuar shumë aspekte të procesit zgjedhor, si brenda, por edhe jashë Kosovës. Lidhur me këto ndryshime, për albinfo.ch flet zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valmir Elezi.

Për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës, më 8 shkurt 2025, pra një ditë para votimit në Kosovë, do të organizohet votimi për shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit dhe që do të regjistrohen për të votuar në përfaqësi diplomatike. Gjithashtu, votimi do të mundësohet edhe përmes postës, sqaron Elezi. Pra, në momentin e regjistrimit, votuesit mund të përcaktohen individualisht për mënyrën e votimit: 1. Të votojë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës; 2. duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ në Kosovë; 3. duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës.

KQZ ka caktuar periudhën e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfunojë më 26 dhjetor 2024. Gjatë kësaj periudhe 120 ditore, shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës përmes (1) platformës elektronike http://diaspora.kqz-ks.org ose përmes (2) postës në kutinë postare të KQZ-së.

Nga 1000 votues për çdo vendvotim

KQZ ka miratuar listën e Qendrave të Votimit në 19 ambasada dhe 16 Konsullata të Republikës së Kosovës që janë të vendosura në 22 shtete të ndryshme. Gjithashtu, KQZ ka miratuar numrin e vendvotimeve, gjithsej 47 vendvotime, si dhe ka caktuar numrin e votuesve për secilën përfaqësi diplomatike, nga 1,000 për çdo vendvotim.

Në rast të plotësimit të numrit maksimal të votuesve në një përfaqësi të caktuar diplomatike, aplikuesi do të udhëzohet për regjistrim për mënyrat tjera të votimit përmes postës. KQZ, në një fazë të mëvonshme të procesit zgjedhor, do të publikojë adresat e kutive postare të hapura jashtë Kosovës përmes dhe me lehtësimin e përfaqësive diplomatike.

Lista e përfaqësive diplomatike të cilat do të shërbejnë si Qendra Votimi më 8 shkurt 2025 dhe në të cilat do të mund të votojnë shtetasit që arrijnë të regjistrohen suksesshëm për votimin në përfaqësi diplomatike është publikuar në ueb faqen e KQZ-së: Njoftime > Lajme, ose në vegzën direkte: https://kqz-ks.org/lista-e-qendrave-te-votimit-per-cdo-perfaqesi-diplomatike-dhe-numri-maksimal-i-votuesve-ne-secilen-prej-tyre

Faza e dytë e votimit jashtë Kosovës

Gjatë fazës së dytë, që do të vlejë vetëm për shtetasit që kanë arritur të regjistrohen si votues jashtë Kosovës, varësisht se për cilën nga mënyrat e votimit është përcaktuar votuesi, do të jetë edhe periudha kur votuesi do të mund të votojë. – Votimi në përfaqësi diplomatike organizohet një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë, pra kësaj radhe më 8 shkurt 2025.

Votimi fillon në ora 07:00 dhe mbyllet në ora 19:00, sipas orës lokale të vendit përkatës. Numërimi i këtyre fletëvotimeve bëhet në Kosovë. – Vota përmes votimit jashtë Kosovës, e dërguar me postë në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë, pranohet nga KQZ-ja deri të nesërmen e ditës së zgjedhjeve në orën 16:00, me kusht që të ketë vulën e dërgimit para ditës së zgjedhjeve. – Ndërsa, votat e dërguara përmes postës në kutinë postare jashtë Kosovës, të hapur nga përfaqësitë diplomatike, me autorizim të KQZ-së, pranohen nga ekipet që dërgon KQZ-ja, vetëm ato që kanë arritur në kutinë postare, më së voni deri në orën e mbylljes së vendvotimeve në përfaqësinë diplomatike.

Çfarë ndodh me emrat e votuesve që regjistrohen si votues jashtë Kosovës? A vazhdojnë të mbesin në listën e votuesve brenda vendit apo si është e paraparë kjo çështje?

Lista e votuesve për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, 9 shkurt 2025, do të përmbajë të dhënat e votuesve që mund të votojnë në Kosovë dhe të dhënat e atyre votuesve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës.

Në paragrafin 9 të nenit 96 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme është paraparë që KQZ secilin votues të regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, ta largojë nga Lista e Votuesve brenda Kosovës. Është detyrim ligjor për KQZ-në që secilin votues i cili regjistrohet për të votuar nga jashtë Kosovës, ta largojë nga Lista e Votuesve brenda Kosovës e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve. Pra, një shtetas që regjistrohet për të votuar jashtë Kosovës, do ta gjejë emrin e tij për votim vetëm në listën e votuesve jashtë Kosovës.

Këtë informacion ne ia transmetojmë individualisht çdo shtetasi që aplikon dhe regjistrohet për të votuar jashtë Kosovës, qoftë për të votuar në përfaqësi diplomatike apo përmes postës. Mund të ndodhë që ndonjë shtetas i cili pasi është regjistruar për të votuar jashtë Kosovës të kërkojë të çregjistrohet nga kjo mënyrë votimi dhe të kthehet në Listën Votuese brenda Kosovës për të votuar fizikisht në vendvotim. Kësaj situate, KQZ i ka dhënë zgjidhje me anë të Rregullores Zgjedhore për Votimin Jashtë Kosovës. Pra, votuesi i regjistruar për votim jashtë Kosovës, i cili kërkon të kthehet në listën votuese brenda Kosovës, ka kohë të paraqesë kërkesën e tij deri në 24 orë para përfundimit të periudhës së kundërshtimit, në këtë proces zgjedhor deri më 27 dhjetor 2024, përfundon zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valmir Elezi,