Tematike

Çfarë duhet të dimë për “Raserët”

Sipas ligjit në Zvicër, “Raser” (ngasës të çmendur) quhen të gjithë ata ngasës që në mënyrë të qëllimshme dhe të vetëdijshme, ngasin automjetet e tyre në një shpejtësi shumë më të lartë se ajo e lejuara

Me 8.5 milionë banorët e saj, një ndër vendet më të zhvilluara në botë, Zvicra numëron mbi 4.6 milionë vetura të regjistruara.

Edhe përkundër kufizimeve të mëdha të shpejtësisë, ligjeve të rrepta, e po ashtu mbi 4300 pajisjeve për regjistrim të shpejtësisë (radarëve), shpesh shohim në faqet e para të gazetave se si „Vozitësit e çmendur“, apo si njihen në gjuhën lokal „Raser“, kanë tejkaluar shpejtësinë e përcaktuar me ligj.

Shumë ngasës automjetesh përjetojnë atë „goditjen e vetëtimës“, që në këtë rast është drita që lëshohet nga radarët kur tejkalohet shpejtësia. E në këtë rast, shikimi i ngasësve menjëherë i drejtohet treguesit të shpejtësisë, në bazë të të cilit edhe përcaktohet dënimi i mundshëm.

Ishte „vetëm „pak mbi 120 km/h më shumë se shpejtësia e lejuar në atë aks rrugor. Me një shpejtësi marramendëse prej 249 KM/H, një gjerman me banim në Kantonin e Baselit, u kap nga radarët e policisë kantonale të Thurgau, në autostradë ku shpejtësia e përcaktuar është 120 km/h. Pra mbi dyfishin. Si pasojë pas ndaljes nga policia, si masë e përkohshme, shoferi arrestohet dhe i konfiskohen leja e ngasjes si dhe automjeti, ndërsa lënda procedohet për në gjykatë, ku priten masa të reja.

Rekordi i palavdishëm i ngasjes së çmendur

Ky ishte një rekord negativ vetëm për këtë fillimvit, por jo edhe më skandalozi. Rekordin për shpejtësi të tilla e mban padyshim një shofer tjetër, i cili në vitin 2014 me një Bentley Continental kishte rënë pre e radarëve me shpejtësi prej 324 km/h. E sikur të mos i mjaftonte kjo, e tëra ishte filmuar nga ai me anë të telefonit. Në këtë rast, ngasësi i Bentleyt, si pasojë edhe e përdorimit të substancave narkotike gjatë ngasjes, dënohet me 36 muaj burgim.

Por edhe gjobat për rastet e tilla, shpesh janë marramendëse, si në rastin e një „vozitësi të çmendur“ apo „Raseri“, i cili për shpejtësinë prej 290 km/h, ishte dënuar me 27.000 franga zvicerane si dhe masa tjera. Apo edhe dënimi i një francezi në kantonin e Freiburgut, i cili në vitin 2009, për shkak të shpejtësisë prej 250 km/h, gjobitet me një dënim rekord sa i përket rasteve të tilla, me 70.000 franga.

Ndërsa kur jemi tek të huajt me lejeqëndrim të përkohëhshëm apo edhe të përhershëm në Zvicër, kemi pasur shumë raste në të cilat, si pasojë e delikteve të tilla, është bërë edhe përzënia apo kthimi i tyre i pavullnetshëm të vendet e prejardhjes.

Pos dënimit me të holla, apo edhe konfiskimit të automjeteve, ka pasoja edhe të tjera si heqja e lejes së ngasjes nga 1 muaj e deri në periudha të ndryshme kohore.

Deri 4 vjet heqje lirie

Nëse një „Raser“ zihet në vepër, atij mund t`i merret patenta e shoferit deri në 2 vite. E në rast të përsëritjes së veprës, deri në heqjen e përhershme të së drejtës për patentë shoferi. Për delikte tjera në komunikacion, e që ndërlidhen me „vozitje të çmendur“, mund të shqiptohet dënimi me heqje të lirisë apo burgim nga 1 deri 4 vite.

Po çka janë në vërtetë „vozitësit e çmendur“ (Raser), apo në çfarë rastesh cilësohen si të tillë.

Sipas Ligjit për „Raser“, i cili është si pjesë e Ligjit për Komunikacion Rrugor, i hyrë në fuqi në vitin 2013, Raser quhen të gjithë ata ngasës që në mënyrë të qëllimshme dhe të vetëdijshme, ngasin automjetet e tyre në një shpejtësi shumë më të lartë se ajo e lejuara. Në raste të tilla, mundësitë për fatkeqësi në komunikacion janë shumë të larta, ku raserët, pos vetes, vënë edhe ngasësit e tjerë në rrezik.

Në tabelën më poshtë mund të shihen edhe shembujt se në çfarë rastesh mund të quhet një tejkalim shpejtësie të lejuar si një  „Raser“ Delikt:

Shpejtësia e lejuar   Raser delikt                 Tejkalimi

30 km/h                   prej 70 km/h               40 km/h

50 km/h (në vendbanime) prej 100 km/h   50 km/h

80 km/h (Jashtë vendbanimeve) prej140 km/h  60 km/h

120 km/h (Autostradë) prej 200 km/h      80 km/h

Prej hyrjes në fuqi të ligjit për „ Raser“, deri më tani zyrtarisht janë regjistruar mbi 1500 raste të tilla. Gjatë vitit 2015 kemi pasur kemi një rritje drastike të të rasteve të „raserëve”, ku vetëm në Kantonin e Zürichut, ka pasur 75% raste më shumë se në vitin paraprak. Sipas zyrtarëve policorë, një arsye për këtë ka qenë se shumë nga këto delikte janë filmuar nga vetë ngasësit apo pasagjerët e tjerë në veturë. Kjo ka bërë të mundur edhe kapjen e më shumë rasteve, pas kontrollimit të telefonave, si mjet më i shpeshtë i filmimeve.

Policët që kujdestarojnë në facebook!

Si pasojë e kësaj, nga viti 2016, ka edhe një njësit të policisë që merret me mbikëqyrjen e rrjeteve sociale, ku „Raser“-ët, mund të postojnë filmimet e tyre. Rezultat i kësaj ishte padyshim aksioni i vitit të kaluar, ku pas një hetimi ndërkantonal, është bërë e mundshme kapja e 21 ngasësve “të çmendur”.

Edhe pse Zvicra është ndër vendet me rregullat më të rrepta sa i përket ngasjes, e sidomos pas hyrjes në fuqi të Ligjit për “Raserët” më 2013, gjithmonë ka pasur zëra për një zbutje të masave të tilla. Për këtë gjë tashmë janë të bindur edhe Qeveria dhe Parlamenti federal, që mendojnë se një ligj i tillë është shumë i ashpër. Ata duan që në shumë raste duke u nisur nga rrethanat, apo shumë gjëra tjera, gjykatësit të kenë më shumë hapësirë për interpretim të ligjit, pra të jenë më fleksibël në raste të tilla.

Sa zviceranë kanë mbetur pa patentë shoferin e tyre

Rreth 5.9 milionë njerëz në Zvicër posedojnë një patentë shoferi zviceran për ngasjen e veturave (Kategoria B) në vitin 2018. Për arsye të ndryshme, rreth 80 mijë ngasës kanë dorëzuar apo iu janë hequr patentë shoferët e tyre vitin e kaluar. Por, jo me dëshirën e tyre dhe kjo korrespondon me një rënie prej gjashtë për qind në krahasim me një vit më parë. Shkaktar ishte veçanërisht shpejtësia e madhe dhe ngasja në gjendje të dehur e automjetit të tyre.

… dhe sa kanë humbur edhe makinat

Sipas Zyrës Federale të Rrugëve (ASTRA), për shkak të shpejtësisë së madhe kanë humbur 27.503 shoferë edhe automjetet dhe patentë shoferët  e tyre. Kjo është 3 për qind më pak se vitin e kaluar. E nëse e llogarisim në bazë të statistikave, del se nga ky numër vetëm në vitin 2018 kemi pasur perafërsisht 100 rast që cilësohen si “Raser” delikte, ndërsa kantonet më të prekura nga ky fenomen janë Vaud, Zürich, Gjeneva, Berna, St.Gallen e të tjerë.