Tematike

“Çfarë shkolle dëshiron Zvicra?”, një studim që po bën bujë

Në intervistën e mëposhtme, ndajmë një pasqyrë emocionuese për studimin "Çfarë shkolle dëshiron Zvicra?" me Daniel Auf der Maur, (Stiftung Mercator Zchweiz)

Realiteti arsimor zviceran nuk qetësohet asnjëherë dhe është subjekt i ndryshimeve të vazhdueshme. Në mes të këtyre diskutimeve të nevojshme dhe të rëndësishme, Fondacioni “Mercator Schweiz” ka ngritur një pyetje qendrore përmes një studimi përfaqësues: Cilën shkollë dëshiron në të vërtetë Zvicra? Rezultatet e këtij studimi jo vetëm që kanë shkaktuar një mbulim të gjerë mediatik, por na prekin edhe ne të gjithëve – nxënësit, prindërit, mësuesit dhe politikëbërësit.

Albinfo.ch ka vendosur të hyjë në thelbin e kësaj pyetjeje dhe në veçanti të hedhë dritë mbi nevojat që qëndrojnë prapa dëshirës për arsim të qëndrueshëm. Në intervistën e mëposhtme, ne kemi privilegjin të ndajmë një pasqyrë emocionuese për studimin “Çfarë shkolle dëshiron Zvicra?” me Z.  Daniel Auf der Maur, (Stiftung Mercator Zchweiz).

albinfo.ch: Cili është roli juaj në Fondacionin M.S. dhe a mund të na tregoni pak për formimin tuaj?

Auf der Maur: Unë kam 5 vite që punoj mbi temën e shkollës dhe të mësuarit në Fondacionin “Mercator” në Zvicër. Para kësaj kam qenë drejtor në një shkollë sekondare (cikli i lartë i fillores) për 6 vjet, dhe në fillim kam qenë mësues i një shkolle të tillë, për shumë vite.

albinfo.ch: Çfarë ju shtyu për të sjellë në jetë studimin “Cilën shkollë dëshiron Zvicra?”  dhe çfarë synimesh po ndiqni me këtë?

Auf der Maur: Ne kemi vërejtur vazhdimisht se tema e së ardhmes së shkollave po diskutohet në shumë nivele – në politikë, administratë arsimore, mes mësuesve. Por objektivi më i rëndësishëm, krahas fëmijëve, ai i prindërve, në të shumtën është lënë jashtë. Ne donim t’i jepnim zë këtij grupi në veçanti dhe popullatës së rritur në përgjithësi. Qëllimi ynë është të përfshijmë sa më shumë pjesë të popullsisë civile në këtë diskutim. Rezultatet e pasurojnë diskursin rreth asaj se çfarë lloj shkolle parashikojmë në të ardhmen.

albinfo.ch: Si do ta përshkruanit situatën aktuale të shkollave publike në Zvicër?

Auf der Maur: Kjo është një pyetje komplekse. Më duket se askush nuk është vërtet i kënaqur me gjendjen. Shumë prej të përfshirëve ndodhen nën një presion të madh – fëmijët dhe të rinjtë në radhë të parë, por më pas edhe prindërit e tyre, mësuesit dhe shumë drejtorë shkollash. Të gjithë “vrapojnë” nëpër material, por me pak gëzim, mbizotëron frika se kjo nuk do të mjaftojë.
Megjithatë, diskutimi në media sillet gjithmonë rreth të njëjtave tema si p.sh. madhësia e klasëve, sjellja e vështirë (e nxënësve) dhe mungesa e mësuesve. Ne mendojmë se mënyra e zymtë se si shikohet e gjithë kjo është për të ardhur keq, sepse ka edhe mjaft shembuj shumë të bukur, dhe të jesh mësues ose trajner ose udhërrëfyes mësimi është në të vërtetë një punë e mrekullueshme!

albinfo.ch: Cilat nevoja të prindërve i shihni si veçanërisht të paplotësuara në lidhje me sistemin shkollor?

Auf der Maur: Studimi është relativisht i qartë në këtë drejtim, ne identifikojmë dy fusha kryesore: Prindërit duan që fëmijët e tyre të jenë në gjendje të mësojnë sipas aftësive të tyre individuale. Ata ende nuk e shohin të përmbushur mjaftueshëm, këtë nevojë .

Një çështje e dytë e rëndësishme është komunikimi: prindërit presin komunikim më transparent nga shkolla dhe duan të jenë më të përfshirë kur bëhet fjalë për vendimet për fëmijën e tyre. Kjo dëshirë është më e theksuar tek prindërit me fëmijë në shkollën fillore. Është e qartë se ky pohim lidhet me kalimin nga shkolla fillore në ciklin e lartë ose në gjimnaz.

albinfo.ch: Në studimin tuaj, çfarë arsyesh kanë dhënë prindërit më shpesh për dërgimin e fëmijëve të tyre në shkolla private ose nëpërmjet shkollimit në shtëpi?

Auf der Maur: Po kufizohem në shkolla private, sepse shifrat për shkollimin në shtëpi janë shumë të vogla. Prindërit i vlerësojnë shkollat ​​private sikur ato kanë kompetenca më të mëdha për t’u marrë me diversitetin. Ata shohin se mësimi i individualizuar zbatohet më mirë në shkollat ​​private. Një arsye tjetër është besimi më i madh tek mësuesit dhe sipas vlerësimeve të tyre komunikimi në shkollat ​​private është më transparent.

albinfo.ch: Dhe si lidhen këto arsye me aspektet financiare të sistemit shkollor, veçanërisht me financimin nga qeveria?

Auf der Maur: Një shumicë e vogël prej 53% është shprehur në favor që vetëm shkollat ​​publike të financohen nga paratë e taksave, pra nga shteti. Por shumica nuk është më aq e madhe siç ishte në sondazhet e mëparshme. Rezultati është megjithatë i rëndësishëm për ne. Ne e interpretojmë ashtu që do të thotë se, për të anketuarit, shkolla fillore duhet të jetë ende një shtyllë e shoqërisë.

albinfo.ch: Çfarë prindër dëshiron Zvicra kur bëhet fjalë për regjistrimin e fëmijëve me gjuhë amtare të ndryshme nga gjermanishtja?

Auf der Maur: Studimi nuk shprehet lidhur me këtë. Por ne do të dëshironim që prindërit e fëmijëve që nuk flasin gjermanisht të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë e tyre. Për fëmijën është shumë e rëndësishme që prindërit të përfshihen aktivisht në zhvillimin gjuhësor dhe akademik.

(Intervistoi: Driter Gjukaj)