Lajme

Pse mund të vazhdojë rritja e çmimeve të gjërave ushqimore gjatë këtij viti ?

Të gjitha prodhimet ushqimore – nga kafeja deri te mustarda – do të shtrenjtohen në vitin 2022.

Çmimet janë rritur edhe gjatë vitit të kaluar, por do të rriten edhe pesë për qind në gjysmën e parë të këtij viti, vlerëson firma kërkimore IRI e Shteteve të Bashkuara, shkruan Wall Street Journal.

Niveli i rritjes do të ndryshojë, varësisht dyqaneve dhe rajoneve.

Pandemia e koronavirusit, në fakt, ka pasur efekt të papritur në çmime. Në fillim të vitit 2020, kur pjesa më e madhe e botës është izoluar, ka pasur shqetësime se mbyllja e kufijve do të shkaktojë rritje çmimesh, por ato gati se nuk kanë lëvizur fare.

Vetëm disa muaj më vonë, kur pandemia dukej se ishte qetësuar në botën e pasur dhe kur ekonomitë kanë nisur të rihapen, çmimet kanë filluar të rriten me shpejtësi alarmante.

Viti me rritjen më të lartë të çmimeve

Deri në maj të vitit 2021, ato kanë arritur pikën e tyre më të lartë qysh në vitin 2011, pasi, sipas indeksit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi, janë rritur për 40 për qind brenda një viti.

Në vitin 2022, të njëjtat forca që kanë shkaktuar këtë rritje, do të vazhdojnë të krijojnë probleme, shkruan Economist, që do të thotë se ka pak mundësi që çmimet të bien.

Faktori kryesor që e shpjegon rritjen, është shpërthimi i gripit të derrit në Kinë në vitin 2018, i cili ka përgjysmuar numrin e derrave.

Kjo e ka detyruar këtë vend të importojë shumë mish derri dhe burime alternative të proteinave, gjatë viteve 2019 dhe 2020, gjë që i ka reduktuar furnizimet globale.

Situata është dukur si më e qetë kah mesi i vitit 2021, por përhapja e koronavirusit ka rritur frikën për valë të reja.

Kjo frikë do të vazhdojë në vitin 2022 dhe do t’i mbajë të paqëndrueshme tregjet ushqimore, shkruan Economist.

A mund ta ndalë Kosova rritjen e çmimeve?

Faktor tjetër që ka rritur çmimet kanë qenë disa vonesa logjistike, të shkaktuara nga rihapja e tregtisë ndërkombëtare në kohën kur pandemia vazhdonte t’i ngufaste disa aktivitete.

Mungesa e kontejnerëve, si dhe mosqarkullimi i shumë avionëve, që shpesh transportojnë ushqime më delikate, bëjnë që transporti i frutave dhe perimeve të freskëta të jetë ende i vështirë.

Ushqimet kryesore, si drithërat dhe sheqeri, transportohen me shumicë në anije të mëdha, por edhe atje kapaciteti është i kufizuar.

Nuk ndihmon as fakti që çmimet e naftës janë rikuperuar. Inflacioni është rritur në çdo gjë, nga plehrat dhe kimikatet deri te kostot e transportit tokësor dhe oqeanik.

Kushtet e motit, problemi kryesor

Megjithatë, burimi më i madh i pasigurive – si gjithmonë në bujqësi – është moti.

Në fillim të vitit 2021, çmimet janë rritur pjesërisht si rezultat i thatësirës në rajonet prodhuese të drithërave të Amerikës Veriore dhe Jugore.

Kushtet e mbjelljes dhe korrjes janë përmirësuar gjatë vitit të kaluar, por shkencëtarët tani mendojnë se ka një probabilitet të lartë që një tjetër telash i këtij lloji, siç është fenomeni La Nino, i cili ka prishur modelet klimatike një vit më parë, të ndodhë gjatë dimrit.

Ndërkohë, fatkeqësitë që janë bërë më të shpeshta, të tilla si përmbytjet dhe zjarret në pyje, tani mund t’i dëmtojnë më seriozisht prodhimet në hambarë.

Ngjarjet ekstreme të motit në vitin 2021 kanë shkaktuar rritje të çmimeve të produkteve bujqësore, të cilat do të mbesin të tilla edhe në vitin 2022, për shkak se kushtet e pazakonta që kanë dëmtuar të korrat, kanë sjellë mungesa të vazhdueshme, shkruan Financial Times.

Çmimet e mallrave që përfshijnë kafenë braziliane, patatet belge dhe bizelet e verdha kanadeze, janë rritur ndjeshëm vitin e kaluar, për shkak të temperaturave ekstreme dhe përmbytjeve.

Shkencëtarët kanë paralajmëruar se këto kushte do të bëhen më të shpeshta dhe më intensive, si pasojë e ndryshimeve klimatike./REL


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI