Lajme
Cilat janë objektet kyçe bërthamore të Iranit?
Pas sulmeve ajrore të fundit të Shteteve të Bashkuara mbi objektet bërthamore dhe instalimet ushtarake në Iran, vëmendja botërore është kthyer te infrastruktura bërthamore e këtij vendi dhe përmasat e zhvillimit të programit të tij atomik, shkruan SRF, transmeton albinfo.ch.
Sipas vlerësimeve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) dhe SHBA-së, Irani kishte një program sekret të armëve bërthamore deri në vitin 2003. Teherani e mohon kategorikisht një gjë të tillë, duke deklaruar se aktivitetet e tij bërthamore janë për qëllime paqësore.
Marrëveshja bërthamore e vitit 2015, e cila kufizonte kapacitetet e Iranit në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare, u rrëzua në vitin 2018, kur administrata e parë e Donald Trump u tërhoq njëanshëm dhe vendosi sanksione të reja kundër Teheranit. Pas kësaj, Irani rifilloi pasurimin e uraniumit me intensitet të shtuar, duke e reduktuar ndjeshëm kohën e nevojshme për të prodhuar material të mjaftueshëm për një bombë bërthamore – nga një vit në vetëm disa ditë, transmeton albinfo.ch.
Dy qendrat më të rëndësishme të pasurimit të uraniumit në Iran janë:
- Natanz, pranë Isfahanit, ku ndodhen dy impiante: një nëntokësor (FEP) me rreth 13,000 centrifuga aktive dhe një tjetër mbi tokë (PFEP), ku pasurimi arrin deri në 60 përqind.
- Fordow, pranë Qom-it, një strukturë e ndërtuar brenda një mali, më e mbrojtur nga sulmet ajrore, ku funksionojnë rreth 2,000 centrifuga.
Sipas IAEA-s, Irani ka tashmë sasi të mjaftueshme uraniumi të pasuruar për të prodhuar materialin bërthamor të rreth gjashtë bombave.
Në qytetin Isfahan ndodhet një nga qendrat më të mëdha të teknologjisë bërthamore në Iran, ku përpunohet heksafluoridi i uraniumit dhe prodhohet metali i uraniumit, një komponent që mund të shfrytëzohet për ndërtimin e bërthamës së një bombe atomike. Edhe në Teheran, kryeqytet, operon një reaktor kërkimor.
Një tjetër element me potencial ushtarak është reaktori i ujit të rëndë në Chondab (i njohur më parë si Arak). Edhe pse marrëveshja e vitit 2015 ndalonte ndërtimin e tij, autoritetet iraniane kanë njoftuar IAEA-n se reaktori është në fazat përfundimtare dhe pritet të nisë funksionimin në vitin 2026. Ky reaktor mund të prodhojë plutonium, një tjetër material kyç për armët bërthamore.
Aktualisht, centrali i vetëm bërthamor aktiv në vend ndodhet në Bushehr, në brigjet e Gjirit Persik. Ky central funksionon me karburant bërthamor rus, i cili, sipas marrëveshjes, kthehet në Rusi pas përdorimit për të shmangur përdorimin e tij në qëllime ushtarake.
Sulmet e fundit kanë rritur ndjeshëm tensionet në rajon dhe shqetësimet globale për një përshkallëzim të mëtejshëm. Zyrtarët ndërkombëtarë vazhdojnë të bëjnë thirrje për maturi dhe rikthim në tryezën e negociatave, transmeton albinfo.ch.
E-Diaspora
-
Një ditë e bukur plot gëzim dhe kujtime të paharrueshme ...një shëtitje me karakter shkollor të nxënësve të disa shkollave shqipe dëshmoi edhe njëherë se organizimet... -
Ilirët sjellin shpirtin shqiptar në Festën e Ngjyrave në Aigle -
Dy motrat shqiptare që humbën jetën në aksident ishin nga Zvicra – flet babai i tyre -
Kthehet nga Gjermania, mërgimtari përballet me vjedhje në shtëpinë e tij -
Manifestim kulturor shqiptar në Bavari, nderohet figura e komandantit Bekim Berisha – “Abeja”
Jeta në Zvicër
-
Ilirët sjellin shpirtin shqiptar në Festën e Ngjyrave në Aigle Shoqata Kulturore dhe Artistike Ilirët nga Lozana do të përfaqësojnë kulturën shqiptare në edicionin e 26-të... -
Zvicra planifikon batalion me dronë dhe robotë luftarakë deri në vitin 2028 -
Si po ndihen të rinjtë zviceranë? Studimi zbulon sfidat kryesore -
Alba Festival 2026 solli atmosferë festive dhe yjet e muzikës shqiptare në Cyrih -
Anëtari zviceran i ekuipazhit të MV Hondius është liruar nga karantina











