Lajme

Cili rajon i Zvicrës ka taksat më të larta për turistët?

Nëse jeni duke pushuar në Zvicër këtë vit, kini kujdes që taksat turistike ndryshojnë shumë në varësi të destinacionit tuaj. Kjo është ajo që duhet të dini

Edhe në një festë nuk do të mund të shpëtoni nga taksat.

Taksat turistike – tarifat e vendosura për mysafirët nga hotelet dhe ofruesit e tjerë të akomodimit – përdoren për të financuar infrastrukturën dhe objektet në komunitet.

Pagesa e taksës turistike gjithashtu mund t’ju japë të drejtë të përdorni disa lehtësira në rajone, të tilla si transporti publik dhe vizita në vendet kulturore, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Ato shtohen në faturën e dhomës dhe duhet të paguhen në fund të qëndrimit.

Por, në varësi të vendit ku shkoni dhe sa kohë qëndroni në destinacionin tuaj, këto tarifa mund të heqin një pjesë të madhe të buxhetit tuaj të pushimeve.

Ky është zbulimi i një studimi të ri nga faqja zvicerane e konsumatorëve Comparis.ch, e cila krahasonte taksat në 80 komuna më të frekuentuara nga turistët.

Në Zvicër, shuma mesatare e kësaj takse për një të rritur është 3.75 franga për natë. Por, kjo shifër maskon pabarazi të mëdha rajonale, raportoi Comparis, transmeton albinfo.ch.

Taksat variojnë nga më të ulëtat, 90 centë për natë në Zug, deri tek ato më të shtrenjtat – një tarifë e rëndë 7 franga për një natë në komunitetet Valais të Saas-Fe dhe Saas- Almagel, si dhe në Montreux, Vaud.

Nga ana tjetër, Cyrihu, i cili është qyteti më i shtrenjtë i Zvicrës dhe ndër më të çmuarit në botë, është nën mesataren e vendit, me 2.50 franga për natë.

Interesant është fakti se ka pabarazi të konsiderueshme edhe midis komunave në të njëjtin kanton.

Për shembull, ndërsa në Saas-Fe dhe Saas- Almagel taksa turistike është 7 franga çdo natë, është vetëm 2 franga në Brig-Glis.

Dhe Davos në Graubünden kërkon 5.90 në natë, ndërsa në Scuol, që ndodhet në të njëjtin kanton, kjo tarifë është 2.70.

Por hotelet nuk kanë faj, pasi këto tarifa përcaktohen nga bashkitë, jo nga ndërmarrjet akomoduese.

Leo Hug, nga Comparis, tha se një arsye kryesore për ndryshimet e rëndësishme është se politikanët e fshatrave zakonisht vendosin normat pa marrë parasysh fushat e tjera.

Edhe nëse kërkohet një normë e lartë e taksës turistike, banorët lokalë nuk ka gjasa të kundërshtojnë, pasi rritjet e taksave nuk ndikojnë drejtpërdrejt tek ata, zbulon Comparis.

Ndërsa shumat nuk duken të konsiderueshme, për një periudhë kohe shumat e vogla shtohen – veçanërisht për familjet.

Një familje prej katër anëtarësh për pushime në Saas-Fe për një javë do të paguante 140 franga.

Agjencia zvicerane e lajmeve Watson raporton se disa komuna kanë vendosur që sidoqoftë të heqin taksën turistike, përfshirë Andermatt (Uri), Celerina, Flims dhe Val Müstair (Grisons) dhe Engelberg (Obwalden).