Opinione

Curri, Kadri Veseli dhe Tribunali Ndërkombëtar për krimet e Serbisë në Kosovë*

Derisa sot e gjithë vëmendja është kthyer kah aksioni i Policisë së Kosovës në disa lokacione në Veriun e Kosovës dhe në një lokacion tjetër në Drenicë, po jepet përshtypja se dikush po krijon situata të tilla vetëm që vëmendja e opinionit publik të shpërqendrohet nga skandalet e fund të Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, zotit Kadri Veselit dhe të zyrtarëve të partisë të cilën ai e udhëheq.

Zoti Veseli duke parë se autoriteti i tij është në rënie dhe gjithashtu duke parë se autoriteti i Partisë Demokratike të Kosovës në sy të opinionit publik nuk ka qenë asnjëherë më i dobët, siç duket ka vënë në lëvizje atë, së bashku me institucionet tjera të drejtësisë të cilat ai personalisht dhe miku i tij, Presidenti i Kosovës zoti Thaçi i kontrollojnë në tersi.

Të kthehemi në temë

Arrestimi i grupit të Ismet Osmanit i njohur si “Curri” ka detyruar zotin Veseli të dezinformoj opinionin publik me një konferencë për media në të cilën tha se ai nuk ishte në dijeni për këtë grup dhe se nuk ka asnjë lidhje dhe nuk e njeh asnjërin nga këto personazhet e grupit kriminal të Currit të cilët u arrestuan për mashtrim, fajde dhe detyrim.

Por në fakt Kryetari i Kuvendit nuk e tha të vërtetën! Ai e njeh “Boss-in” e këtij grupi kriminal Ismet Osmanin, me të cilin ka edhe një foto së bashku me Sami Lushtakun dhe disa personalitete të tjera gjithashtu të dyshuara për krim të organizuar.

Në mes të arrestimit të Currit dhe publikimit të një fotografie nga deputetja e Kuvendit të Kosovës zonjës Flora Brovina, zoti Veseli kishte paralajmëruar se do të sulmohej edhe më shumë pasi që sipas tij ideja e krijimit të tribunalit ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë ka turbulluar ujërat e qeta të armikut.  Duke aluduar në shërbimet sekrete serbe në Kosovë, zoti Veseli kishte thënë se do të publikohen edhe lajme të tjera të cilat do ta sulmonin direkt zotin Veseli.

Por çka dëshmon kjo?

Kjo dëshmon që si njeri i nëntokës që është zoti Veseli, ai ishte i informuar paraprakisht për skandalet e tij dhe të partisë të cilën ai udhëheq mund të dilnin nga kontrolli, duke i shtuar këtu edhe frikën e tij nga Tribunali Special të cilin do ta elaborojmë më vonë.  Kështu që ai doli me një ide që edhe ai vetë e di se është e pa realizueshme, ideja për krijimin e një tribunali i cili do ti dënonte krimet e gjenocidit serb në Kosovë.

Njëzet vite pas luftës në Kosovë, ku në total janë vrarë 10 mijë e 812 persona, dhe 2.131 pjesëtarë të formacioneve ushtarake, mijëra persona të zhdukur, mijëra gra e burra të cilët ishin viktimë e dhunës seksuale vetëm për periudhën nga 1 janari i vitit 1998 deri më 31 dhjetor 2000, zoti Veseli vjen me një ide për krijimin e këtij tribunali që në fakt ne as që do të kemi mundësi që ta ngrisim si kërkesë pranë Këshillit të Sigurimit në OKB pasi që nuk jemi antarë të kësaj organizate.

Partia Demokratike e Kosovës duke u munduar që para opinionit publik të dëshmoj dhunimet seksuale në luftën e Kosovës autorizoj deputeten Flora Brovina të publikoj një fotografi për të cilën zonja Brovina gënjente se e njeh viktimën dhe ka autorizimin e familjes për publikimin e kësaj fotoje e që më vonë doli se ajo fotografi ishte marrë nga një faqe pornografike në Irak dhe fotografia e njëjtë ishte përdorur nga ekstremistet islamik për të akuzuar forcat Amerikane duke pretenduar se të njëjtit kanë kryer edhe dhunë seksuale, krijoi një situatë të pa këndshme duke e kompromituar të gjithë këtë proces të zotit Veseli.

Flora pasi ishte intervistuar nga Prokuroria e shtetit kishte pranuar se kishte gënjyer se e njeh viktimën por që ajo nuk tregoi se nga e kishte marrë fotografinë por që kishte pohuar se të njëjtën foto ajo e kishte përdorur edhe në disa raste tjera.

Zoti Veseli përmes tribunalit për krimet serbe në Kosovë po mundohet ti bëjë presion bashkësisë ndërkombëtare për Tribunalin Special të cilin tribunal vetë partia e tij e ka sjellë në Kosovë. Ai pasi që ka kuptuar se mund të jetë cak i këtij tribunali po mundohet ta bëjë të pamundurën që të shpëtoj, dhe e vetmja mënyre në kokën e tij është presioni ndaj bashkësisë ndërkombëtare.

Sqarim: i gjithë populli i Kosovës e edhe unë jemi për tu dënuar kriminelët e serb për vrasjet dhe gjenocidin në Kosovë, por që tallja me familjet e viktimave, me familjet e të pagjeturve dhe personat e dhunuar seksualisht gjatë luftës është krejtësisht e pa pranueshme dhe si e tillë është jo njerzore.

Ka ardhur koha që kjo kastë politike të ik nga pushteti dhe kështu do të çkapej edhe drejtësia, sepse Gjykatat dhe Prokuroria nuk janë në shërbim të drejtësisë por në shërbim të Kadrisë.

Arlind Imeri

* Pikëpamjet e shprehura në këtë opinion shprehin mendimet e autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë.