Integrimi

Dëbohen në Kosovë dy familje rome, pas 17 vitesh qëndrimi

Krahas problemeve tjera, një arsye për dëbim është, sipas gjykatës, fakti se prindërit edhe pas 17 vitesh qëndrimi në Gjermani, pothuaj nuk e njohin gjermanishten

Dy familje rome nga Kosova duhet të braktisin Gjermaninë edhe pse këtu kanë jetuar prej 17 vitesh. Mungesa e vullnetit për integrim në shoqërinë gjermane ka qenë arsyeja për të cilën një gjykatë në Göttingen ka vendosur për dëbimin e familjeve shumanëtarëshe.

Bëhet fjalë për dy familje me gjithsej 13 fëmijë, shumica e të cilëve janë të lindur në Gjermani. Prindërit e tyre, edhe pse kanë të drejtë pune, nuk e sigurojnë jetesën nga puna e tyre, respektivisht janë në varësi të ndihmave sociale. Ndërsa një numër i këtyre fëmijëve nuk ndjekin shkollimin në mënyrë të rregullt ndërsa prindërit nuk kanë ndërmarrë asgjë për të përmirësuar gjendjen, shkruan welt.de. Për shkak të mungesave të shumta në shkollë, u janë shqiptuar dënime të shumta me gjobë, transmeton albinfo.ch. Po ashtu kryefamiljarët e dy familjeve kanë qenë të dënuar me burg për shkaktim lëndimesh trupore.

Një arsye tjetër për dëbim është, sipas gjykatës, fakti se prindërit edhe pas 17 vitesh qëndrimi në Gjermani, pothuaj nuk e njohin gjermanishten.

Dy familjet kishin ardhur në Gjermani nga fundi i viteve `90. Ato nuk e kishin fituar azilon ndërsa leja e qëndrimit u ishte hedhur poshtë në mënyrë të përsüeritur, disa herë. Po ashtu edhe komisioni për raste të rënda kishte hedur poshtë dy herë ankesat e familjeve të përmendura.

Situata në Kosovë nuk është pengesë për kthimin e familjeve rome atje, ka vendosur gjykata. Edhe pse gjendja e romëve në Kosovë është e vështirë dhe diskrimninuese, kjo nuk është arsye për ndalimin e riatdhesimit. Një ndalim i tillë do të ishte i mundur vetëm nëse personat në fjalë do të dëboheshin në një vend ku i kërcënon vdekja ose ku do tu nenshtroheshin rreziqeve të rënda shëndetësore. Familjet e përmendura rome nuk janë në rrezik nga asnjëra prej këtyre.

Megjithatë, një zëdhënës i Këshillit të refugjatëve thotë se përkundër argumenteve të parashtruara për dëbim, mbetet pikëpyetja nëse dëbimi është në shpërputhje me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.