Kosova

Deklaratat e ambasadorëve, mesazh për pushtetarët në Kosovë

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se vlerësimet që i kanë dhënë ambasadat e vendeve mike në Kosovë lidhur me dukuritë negative, përputhen me gjetjet dhe vlerësimet që i bën kjo organizatë

Deklaratat e ambasadorëve të vendeve mike dhe partnere në Kosovë, përmes të cilave tash e sa kohë po kritikojnë institucionet e Kosovës për dukuritë negative si: korrupsioni, keqmenaxhimi i parasë publike, nepotizmi dhe punësimet partiake, nuk janë të pamenduara dhe të papeshuara, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve në Kosovë. Për më tepër, sipas tyre, reagimet ndaj këtyre deklaratave, nga zyrtarë të caktuar të institucioneve të larta të Kosovës, janë të pamatura dhe rrezikojnë raportet mjaft të mira me miket e saj.

Ambasadori i Zvicrës në Prishtinë, Jean-Hubert Lebet, gjatë përurimit të sistemit të ujësjellësit që lidh 10 fshatra të Komunës së Skenderajt, projekt ky i financuar nga shteti i tij, të mërkurën ka thënë se “nuk është normale që Qeveria e Zvicrës të financojë ujësjellësin” ndërkohë që sipas tij, “nëse ruhen paratë dhe nuk financohen veteranët e rrejshëm, do të mund të ndërtoheshin më shumë se një ujësjellës”, raporton “Radio Evropa e Lirë”.

Ministri i Infrastrukturës i Qeverisë së Kosovës, Pal Lekaj, të enjten, në një emision televiziv vendor, ka reaguar ndaj deklaratës së ambasadorit zviceran, duke thënë se sikur të ishte ai që merr vendime, do ta kishte dërguar ambasadorin zviceran në shtëpi, përcjell albinfo.ch.

Ilir Ibrahimi, analist i çështjeve politike dhe zhvillimeve në Kosovë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që shteti i Kosovës është projekt në të cilin janë angazhuar një numër i madh i shteteve mike, të cilat kanë kontribuar për çlirimin, shpalljen e shtetit të pavarur dhe ndërtimin e këtij shteti. Sipas tij, për çdo cent që shpenzohet në Kosovë nga këto shtete, kërkohet përgjegjësi, sepse paratë janë nga taksapaguesit e vendeve që investojnë. Në këtë pikë, Ibrahimi thotë se ambasadori zviceran kishte të drejtë në deklaratën e tij, ndërkohë që reagimet e zyrtarëve të institucioneve të Kosovës nuk janë, siç i quan ai, më të mirat.

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se vlerësimet që i kanë dhënë ambasadat e vendeve mike në Kosovë lidhur me dukuritë negative, përputhen me gjetjet dhe vlerësimet që i bën kjo organizatë.

“Çdo ndihmë që vjen nga ambasadorët, për të çrrënjosur këtë mentalitet qeverisës dhe këtë veprimtari korruptive, është e mirëseardhur për popullin e Kosovës. Prandaj, kritikat e politikanëve në adresë të këtyre ambasadorëve, janë tërësisht të papranueshme dhe besoj që ato do të duhej të pasoheshin me pasoja, për heqjen e këtyre politikanëve, të cilët e kanë zbehur të ardhmen e Kosovës”, tha Musliu.

Në përkrahje të ambasadorit zviceran ka dalë ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ruairi O’Connell. Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, të premten, ai ka theksuar se ambasadori zviceran e ka thënë atë që të gjithë e mendojnë.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Shabert, përmes një shkrimi në Twitter, ka thënën se “Ambasada e Francës e mbështetë plotësisht ambasadorin e Zvicrës”, duke shtuar se “korrupsioni dhe nepotizmi janë plagë për Kosovën”.

Deklaratat mbështetëse të ambasadorëve tjerë për ambasadorin zviceran Lebet, por edhe deklaratat tjera të tyre që kritikojnë dukuritë negative, Ibrahimi i sheh të natyrshme.

Por, Musliu shpreh mendimin që prapa fjalorit të ashpër nga ana e përfaqësuesve institucionalë të Kosovës në adresë të ambasadorëve, fshihen dështimet e tyre.

Të premten, ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj,ka pritur ambasadorin e Zvicrës, Lebet. Kjo ministri, përmes një komunikate për media ka thënë se ministri Lekaj ka sqaruar se deklarata e tij, e së enjtes, është nxjerrë nga konteksti nga mediat e shkruara.

“Lekaj, në asnjë moment nuk ka kërkuar largim të Ambasadorit të Zvicrës në Kosovë, e aq më tepër të kundërshtojë një shtet mik për Kosovën”, thuhet në komunikatën për media.

Ndërkaq, më 28 mars, Ambasada e Britanisë së Madhe, ka tërhequr mbështetjen për rekrutimin e pozitës së kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), si pasojë e, siç thuhet, zhgënjimit me vendimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për mosvotimin e asnjërit nga kandidatët e rekomanduar nga partneri zbatues i Projektit të Rekrutimit.

Lidhur me emërimin e anëtarëve në bordet e ndërmarrjeve publike, javë më parë kanë reaguar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, ambasada e Gjermanisë dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Ata kanë reaguar ndaj emërimit nga Kuvendi i Kosovës, të Naser Shalës në pozitën e drejtorit të Sekretariatit të Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës.

Pas kësaj, ambasadori i Britanisë së Madhe, O’Connell, në shenjë pakënaqësie, kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Bordit të kësaj agjencie.