Kosova

Deklarimi i Kurtit lidhur me SHBA-në nxit reagime të shumta

Partitë opozitarë e analistët politikë e kanë kritikuar kryeministrin Albin Kurti për deklarimet e tij, ku tha se e njeh më mirë Serbinë sesa Shtetet e Bashkuara dhe se nuk pret që SHBA-ja ta shohë Serbinë me sytë e tij. Këto deklarime janë quajtur joserioze, e që nuk e përfaqësojnë qëndrimin e qytetarëve të Kosovës.

Deklarimi i kryeministrit Albin Kurti se “Serbinë nuk e sheh me sytë e SHBA-së, e as nuk pret që SHBA-ja ta shohë me sytë e tij” dhe se “SHBA-ja është dëshmitare e jo viktimë e gjenocidit të Serbisë”, ka nxitur kritika të shumta në vend. Në një intervistë të shtunën dhënë në emisionin “Public Sqare” që e moderon ish-ministri i Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, kryeministri Kurti fajësoi ish-kryeministrat se kanë dhënë e nuk kanë marrë në raportin me SHBA-në.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, duke e quajtur cinik kryeministrin Kurti, ka thënë se SHBA-ja e sheh Kosovën të çliruar e duke u zhvilluar.

“Po, Albin, Amerika nuk e sheh Serbinë me sytë e tu. E kuptueshme kjo. Po me sytë e tu nuk e sheh as Kosovën.  Se në sytë e tu, Kosova është shkatërruar qe dy dekada.  Në sytë e Amerikës, Kosova është çliru, pavarësu, zhvillu, ndërtu. Nihilist, cinik. Kaq je, dhe ke me mbetë pa asnjë rezultat”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

E kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara ishin ato që ia siguruan ekzistencën popullit të Kosovës në momentin më të vështirë.

“Albin Kurti flet në emër të vetin, e jo të Kosovës. Ai ka kohë që nuk e përfaqëson qëndrimin e këtij populli. Duhet të jesh shumë smirëzi të thuash “mos të presë Amerika që unë ta shoh Serbinë me sytë e saj”! Sytë e Amerikës kanë qenë pilotët e saj që e kanë shpëtuar një popull nga zhdukja, o i mjerë!”, ka shkruar Haradinaj menjëherë pas intervistës, të shtunën mbrëma.

Pos partive politike, si deklarime problematike të kreut të ekzekutivit i kanë vlerësuar edhe analistët politikë. Politologu Artan Muhaxhiri e ka parë si joserioz deklarimin e kryeministrit.

“Të thuhet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e kuptojnë aq mirë sa Kosova Serbinë, mendoj që nuk është serioze, sepse SHBA-ja e kupton Serbinë njëjtë apo ndoshta edhe më mirë sesa Kosova dhe e kuptojnë Kosovën njëjtë ose edhe më mirë sesa që e kupton Serbia. Duket që nevoja për t’iu kthyer një lufte retorike me ish-kryeministrat  është një shenjë e hyrjes në një fushatë zgjedhore dhe e kapitalizimit të secilit element i cili mund të kapitalizohet”, ka thënë ai.

Muhaxhiri ka thënë po ashtu se përpjekja për t’u lënë faj qeverisjeve paraprake për marrëdhëniet me SHBA-në është tregues për afrimin e zgjedhjeve.

“Gjithashtu kryeministri Kurti nuk guxon të jetë selektiv në krahasimin e tij me kryeministrat e tjerë, pra që t’i potencojë vetëm gjërat negative ndërsa gjërat positive t’i anashkalojë. Hapësira të cilën e ka pasur kryeministri Kurti gjatë këtij mandati ka qenë e pakrahasueshme me të gjithë kryeministrave e tjerë, pra asnjë kryeministër tjetër nuk e ka pasur më shumë se 50 për qind, nuk ka pasur mundësi të tillë për vendimarrje të patrazuar nga partitë e tjera politike, mirëpo duket kjo që nevoja për t’iu kthyer një lufte retorike me ish-kryeministrat  është një shenjë e hyrjes në një fushatë zgjedhore dhe e kapitalizimit të secilit element i cili mund të kapitalizohet”, ka deklaruar Muhaxhiri.

Ndërkohë, Albinot Maloku, po ashtu politolog, është shprehur se theksi i kryeministrit duhet të jetë vazhdimisht te pikat e përbashkëta me Shtetet e Bashkura. Ai e sheh të gabuar thellimin te mos-pajtimet.

“Raporti i Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është ai që është ndërtuar me mund e me sakrificë, me vizion të lidershipit të kaluar dhe përmes këtij vizioni, është parë Kosova nga SHBA-ja dhe ka ardhur liria dhe ka ardhur pavarësia dhe ky raport duhet të përmendet maksimalisht dhe të tregohet, duhet të ruhet ky raport për arsye edhe të së ardhmes politike dhe gjeopolitike të Kosovës…Është kryeministri Albin Kurti ai që e ka pasur tentimin për t’i shpjeguar dhe për t’i ekspozuar maksimalisht dallimet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës më shumë sesa pikat afruese që i kemi pasur dhe që kanë qenë në vazhdimësi”, ka thënë Maloku.

Kryeministri Albin Kurti në intervistën për ish-ministrin e Jashtëm, Bushati, u shpreh se dëshmitari dhe viktima nuk janë e njëjta gjë, derisa ka kujtuar se vetë është viktimë e krimeve të Serbisë. Ka thënë se më shumë dallon me SHBA-në për nga rruga sesa pikësynimet.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të kujdesen në të gjithë planetin dhe unë e kuptoj që ata nuk kanë mjaftueshëm kohë dhe unë gjithashtu e kuptoj se kohë ka gjithnjë e më pak, jo vetëm për ata, por për të gjithë ne. Prandaj, kur këtu shtohen edhe konsideratat gjeopolitike dhe strategjitë e caktuara, natyrisht që mund të ketë nganjëherë edhe mos-pajtime më shumë në aspektin, do të thosha, strategjik e taktik sesa parimor e vleror. Sido që të jetë, unë një gjë ua kam bërë të qartë të gjithëve, as nuk pres nga SHBA që ta shohin Beogradin zyrtar me sytë e Albin Kurtit, por as ata nuk duhet të presin që unë ta shoh Beogradin zyrtar me sytë e State Department-it amerikan.  Unë kam qenë rob lufte, i burgosur politik. Unë njoh dhjetëra njerëz të cilët janë vrarë në luftë e i kam njohur të gjallë dhe e di historinë mbi mesataren e serbëve dhe të shqiptarëve për raportet e kombit shqiptar në përgjithësi me Serbinë si shtet në veçanti. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Serbia kanë njohje reciproke. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. Shtetet e Bashkuara janë dëshmitare, nuk janë viktimë. Ne jemi viktima. Viktima dhe dëshmitari nuk janë e njëjta gjë”, ka deklaruar Kurti në  intervistë.

Ai po ashtu ka thënë se ish-kryeministrat në udhëheqjen e dialogut e kanë pasur një rrugë një-kahore të kompromiseve. Ka thënë se Kosova po synojë edhe të përfitojë prej marrëdhënieve me SHBA.

“Prandaj, unë besoj që Serbinë e njoh më mirë dhe nuk mund ta kem të njëjtin as qëndrim e as ndjeshmëri sesa State Department-i Amerikan. Kjo do të thotë që duhet të bashkëbisedojmë, marrëdhënia jonë duhet të jetë e aleatëve, e partnerëve dhe miqve, mirëpo kjo nuk do të thotë që të jemi identikë: e para. Ndërkaq, e dyta, unë jam bërë kryeministër pas një plejade të kryeministrave që ishin shumë të ngjashëm me njëritjetrin e bukur të ndryshëm prej meje dhe kjo ma vështirëson mua punën për raportin që unë dua të ndërtoj me të gjithë partnerët tanë perëndimore. E kjo është një rrugë dykahore e jo vetëm njëkahore. Në marrëdhënie, edhe merr edhe jep. E jo vetëm të japësh. Pra kjo është arsyeja pse unë besoj që tej-publikohen, super-afirmohen, dallimet e rastit për çështje të caktuara kohë pas kohe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka deklaruar Kurti.

Kurti është shprehur po ashtu se marrëdhëniet me miqtë e Kosovës janë të pazëvendësueshme dhe se synimet e Kosovës për veten duhet të shkojnë përtej synimeve të aleatëve.