Lajme

Dekreti i Presidentes dhe interpretimi i neneve 82 dhe 86 lidhur me shpërndarjen e Kuvendit

Ky opinion juridik paraqet një analizë të shkurtër lidhur me përcaktimin e momentit kur konsiderohet se fillon procedura për zgjedhjen e Presidentit sipas dispozitave të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ndikimin që ky moment ka në aplikimin e nenit 82 paragrafi 1 pika 3 që rregullon shpërndarjen e Kuvendit në lidhje me zgjedhjen e Presidentit. Çështja thelbësore është nëse procedura për zgjedhjen e Presidentit konsiderohet se fillon me fillimin e afatit kushtetues, me ndërmarrjen e veprimeve përgatitore, apo vetëm në momentin kur Kuvendi hyn në seancë dhe është në gjendje të ushtrojë kompetencën e tij vendimmarrëse. Interpretimi duhet të mbështetet në parimet themelore të interpretimit kushtetues, duke respektuar tekstin e normës, logjikën sistematike të Kushtetutës dhe qëllimin e dispozitave përkatëse.

 

Neni 82 dhe 86

Neni 86 i Kushtetutës thotë që zgjedhja e Presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual. Pastaj përcakton mënyrën e zgjedhjes së Presidentit nga Kuvendi dhe procedurën e votimit në 3 votime. Nëse Presidenti nuk zgjidhet as në votimin e tretë, shpërndahet Kuvendi. Ndërkohë, neni 82 parashikon në mënyrë eksplicite rastet kur Kuvendi mund të shpërndahet, përfshirë situatat që lidhen me dështimin e procesit të zgjedhjes së Presidentit. Interpretimi i këtyre dispozitave kërkon një analizë sistematike dhe funksionale të Kushtetutës, në mënyrë që të përcaktohet momenti kur fillon realisht procedura e zgjedhjes së Presidentit.

Disa momente të mundshme të fillimit të procedurës së zgjedhjes së Presidentit

Nga një analizë e shkurtër mund të identifikohen disa momente potenciale që mund të konsiderohen si fillim i procedurës:

  1. Fillimi i periudhës 30-ditore para përfundimit të mandatit të Presidentit.
  2. Thirrja e seancës së Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit.
  3. Propozimi i kandidatëve për President në Kuvend.
  4. Hapja e seancës së Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit me verifikimin e kuorumit.

Analiza e varianteve të lartcekura

Teksti i nenit 86 rregullon mënyrën se si zhvillohet zgjedhja e Presidentit në Kuvend përmes votimit. Dispozita i referohet drejtpërdrejt veprimit të votimit nga deputetët, çka presupozon ekzistencën e një seance të Kuvendit që është formalisht e hapur dhe funksionale.

Në një interpretim tjetër të Kushtetutës duhet të merret parasysh roli i Kuvendit si organ kolegjial që ushtron kompetencat e tij vetëm në seancë dhe me kuorum. Pa përmbushjen e këtij kushti, Kuvendi nuk mund të ndërmarrë asnjë veprim juridikisht të vlefshëm. Prandaj, veprimet paraprake si thirrja e seancës apo diskutimet politike për kandidatët apo propozimi i kandidatëve në Kuvend përbëjnë vetëm faza përgatitore dhe jo fillimin e procedurës kushtetuese në kuptimin e plotë të saj. Afati 30-ditor nuk e përcakton fillimin e procedurës, sepse vetëm thotë që Presidenti duhet të zgjidhet brenda këtij afati.

Procedura mund të konsiderohet se fillon vetëm në momentin kur Kuvendi hyn në seancë me kuorum. Kështu është në gjendje të ushtrojë kompetencën e tij për zgjedhjen e Presidentit.

Nëse procedura për zgjedhjen e Presidentit konsiderohet se fillon me hapjen e seancës së Kuvendit dhe verifikimin e kuorumit, atëherë çdo vendim për shpërndarjen e Kuvendit para këtij momenti nuk do të mund të justifikohej me argumentin se procedura kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit tashmë ka filluar. Kjo qasje nuk është në përputhje me parimet e funksionimit të demokracisë parlamentare.

Përfundim

Në përfundim, duke u bazuar në interpretimin e dispozitave të Kushtetutës, rezulton se procedura për zgjedhjen e Presidentit duhet të fillojë në momentin kur Kuvendi hap seancën për këtë qëllim dhe konstaton ekzistencën e kuorumit. Si rrjedhojë, çdo veprim për shpërndarjen e Kuvendit para këtij momenti duhet të konsiderohet në kundërshtim me Kushtetutën. Por, edhe nëse i marrim variantet tjera të lartcekura si fillim të procedurës, përsëri në asnjërin variant nuk ka kaluar afati 60-ditor. Në variantin e parë dhe më të hershëm të mundshëm nga variantet e lartcekura, afati do të kalonte më 5 prill dhe prapë paraqet shkelje të Kushtetutës.

Interpretimi i shpërndarjes së Kuvendit bazuar në nenin 86

Interpretimi i vetëm që mund të përdoret në mbështetje të dekretit për shpërndarjen e Kuvendit lidhet me nenin 86 të Kushtetutës, i cili parasheh se Presidenti duhet të zgjidhet më së voni 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual. Një interpretim literal i kësaj dispozite mund të sugjerojë se moszgjedhja e Presidentit brenda këtij afati krijon bazë për ndërhyrje nga Presidenti, përfshirë edhe shpërndarjen e Kuvendit. Megjithatë, një interpretim i tillë nuk rezulton bindës kur analizohet në raport me strukturën e përgjithshme të Kushtetutës dhe me dispozitat e tjera relevante.

Së pari, neni 82 i Kushtetutës përcakton në mënyrë të qartë rrethanat në të cilat Kuvendi mund të shpërndahet në lidhje me çështjen e zgjedhjes së Presidentit. Ky nen e lidh shpërndarjen e Kuvendit me dështimin e procesit të zgjedhjes së Presidentit pasi të ketë filluar procedura. Kjo do të thotë se për të arritur në shpërndarjen e Kuvendit duhet të ekzistojë një procedurë e filluar dhe e përfunduar pa sukses brenda 60 ditëve nga fillimi i procedurës.

Së dyti, vetë neni 86 i Kushtetutës parashikon procedurën e zgjedhjes së Presidentit dhe përcakton qartë se nëse Presidenti nuk zgjidhet edhe pas raundit apo votimit të tretë, atëherë Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhje të reja. Ky formulim tregon se Kushtetuta e konsideron shpërndarjen e Kuvendit si një pasojë të një procesi të dështuar zgjedhor brenda Kuvendit pas votimit të tretë. Në rastin konkret, nuk është zhvilluar as raundi i parë i votimit për zgjedhjen e Presidentit. Për rrjedhojë, nuk mund të thuhet se është konsumuar procedura e paraparë nga Kushtetuta, e aq më pak se është arritur në një dështim definitiv të procesit pas raundit të tretë.

Po ashtu, neni 86 nuk përcakton në mënyrë të shprehur momentin kur duhet të fillojë procedura e zgjedhjes së Presidentit. Dispozita që kërkon zgjedhjen e Presidentit më së voni 30 ditë para përfundimit të mandatit mund të interpretohet si një afat brenda të cilit institucionet duhet të ndërmarrin përpjekje konkrete për realizimin e këtij procesi. Ky afat nuk mund të interpretohet si një mekanizëm automatik që prodhon pasoja kushtetuese në formën e shpërndarjes së Kuvendit pa u zhvilluar më parë procedura e votimit.

Neni 86 paragrafi 2 i Kushtetutës nuk e parasheh që Kuvendi shpërndahet nëse brenda atij afati nuk zgjidhet Presidenti. As paragrafi 6, i cili flet për shpërndarje, nuk përmend afatin prej 30 ditëve.

Një interpretim sipas të cilit Kuvendi shpërndahet automatikisht pas kalimit të afatit prej 30 ditësh do të çonte në përfundimin se dispozita e nenit 82 paragrafi 1 pika 3 do të bëhej e pakuptimtë ose e panevojshme. Një nga parimet e interpretimit kushtetues duhet të jetë që dispozitat të interpretohen në mënyrë që të ruhet koherenca e sistemit kushtetues dhe që çdo normë të ketë funksion dhe kuptim brenda rendit juridik.

Në këtë kuptim, interpretimi që i jep përparësi nenit 86 paragrafi 2 do ta bënte dispozitën e nenit 82 paragrafi 1 pika 3 të tepërt dhe si pasojë do të duhej sipas të gjitha gjasave të largohej nga Kushtetuta. Pra, do të duhej që një pikë e një paragrafi të një neni, e cila e rregullon në mënyrë eksplicite dhe të qartë shpërndarjen e Kuvendit dhe parasheh një afat kohor, të largohej për një paragraf të një neni i cili nuk thotë asgjë për shpërndarjen e Kuvendit dhe nuk jep ndonjë afat për shpërndarje. Neni 82 paragrafi 1 pika 3 është shumë i qartë, kurse neni 86 paragrafi 2 është i paqartë. Edhe për këtë arsye neni 82 duhet të ketë përparësi.

Një argument tjetër që mund të përdoret në mbështetje të dekretit lidhet me mungesën e kuorumit në përpjekjet për zgjedhjen e Presidentit. Sipas këtij interpretimi, mungesa e kuorumit që në fillim mund të konsiderohet si dështim i procesit dhe si konsumim i raundeve ose 3 votimeve të parashikuara në nenin 86 të Kushtetutës. Megjithatë, edhe ky argument mbetet i dobët nga pikëpamja juridike. Kushtetuta flet në mënyrë të qartë për zhvillimin e tri votimeve apo tre raundeve të votimit. Por, nëse kushtetutshkruesit do të kishin synuar që mungesa e kuorumit të konsiderohej si dështim automatik i procesit, do të kishin paraparë një gjë të tillë shprehimisht në tekstin e nenit 86.

Në përfundim, interpretimi i neneve 82 dhe 86 të Kushtetutës çon në konstatimin se shpërndarja e Kuvendit mund të ndodhë vetëm pasi të ketë filluar procedura dhe të ketë dështuar zgjedhja e Presidentit brenda 60 ditëve. Në mungesë të fillimit të procedurës dhe zhvillimit të tri raundeve, nuk mund të konsiderohet se procedura është konsumuar dhe rrjedhimisht nuk ekziston bazë kushtetuese për shpërndarjen e Kuvendit. Për pasojë, një dekret i tillë rezulton të jetë në kundërshtim me rendin kushtetues.

Orhan Spahiu
Jurist