Lajme

Demokratët akuzojnë Trumpin lidhur me sulmin ndaj Kongresit

Demokratët në Shtetet e Bashkuara planifikojnë të prezantojnë një nen inkriminimi kundër presidentit Trump, lidhur me rolin e tij në ngjarjet e së mërkurës.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, deklaroi se do të avancojë me procesin e inkriminimit nëse Trump nuk jep menjëherë dorëheqjen, shkruan Euronews, përcjell Albinfo.ch.

Akuza për “nxitje të kryengritjes”, me pasojë vdekjen e 5 personave pritet të paraqitet nga demokratët në Kongres ditën e hënë.

Nga ana e saj, Shtëpia e Bardhë e cilësoi nismën e demokratëve si të motivuar politikisht dhe që do të përçajë më tej Shtetet e Bashkuara.

Thuajse 160 anëtarë demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve kanë nënshkruar nismën, e hartuar nga kongresmenët Ted Lieu nga Kalifornia dhe David Cicilline nga Rhode Island.

Nëse procesi do të vazhdojë, kjo do të jetë hera e dytë që Dhoma e Përfaqësuesve inkriminon Trump.

Në dhjetor të 2019-s, Dhoma e Ulët e ndërmori një hap të tillë nën akuzat e “abuzimit me pushtetin” dhe “pengim të Kongresit”, por Senati e shfajësoi atë në shkurt të 2020-s.

Asnjë president amerikan nuk është inkriminuar dy herë. Sidoqoftë, perspektiva që këtë herë Trump të dënohet duket e largët, pasi ai gëzon ende një mbështetje të gjerë në Senat.