CH-Ballkani

Devijohet fluturimi nga Tirana për në Beograd pas bllokimit të aeroportit

Mbyllja e përkohshme e Aeroportit “Nikola Tesla” në Beograd është bërë si pasojë e disa problemeve teknike të një avioni të kompanisë “Egypt Air”

Mbi 30 shqiptarë kanë mbetur të bllokuar në një aeroport në Rumani, pasi një incident ka ndodhur në Beograd dhe të gjithë pasagjerët e nisur nga Tirana kanë devijuar që në ajër për në Timisoara në Rumani.

Në një lidhje telefonike për Fax News një nga pasagjeret Dorina Prethi shprehet se të gjithë pasagjerët që janë nisur nga Tirana me “Air Serbia” kanë përfunduar në Timisoara.

“Shumë nga pasagjerët kanë fluturime të tjera pas Beogradit dhe asnjë informacion nuk është dhënë për shtetasit shqiptarë. Janë mbi 30 shqiptarë që kanë tre orë që ndodhen në aeroport të bllokuar duke rrezikuar dhe fluturimet e tjera”, ka thënë ky pasagjer.

Mbyllja e përkohshme e Aeroportit “Nikola Tesla” në Beograd është bërë si pasojë e disa problemeve teknike të një avioni të kompanisë “Egypt Air”.

Lajmi konfirmohet nga autoriteti aeroportual serb, që sqaroi se avioni “Boeing 737-800” zbriti pa pasagjerë në orën 4:11 në aeroportin e kryeqytetit serb. Avioni mbeti i ndalur në pistë për shkak të problemeve teknike.

Disa ekspertë teknikë kanë ndërhyrë sipas procedurave të parashikuara në të tilla raste. Të gjithë avionët e linjës serbe “Air Serbia” janë devijuar nëpër aeroporte të ndryshme të rajonit.

Fluturimet nga Tirana e Athina u devijuan në Timisoara të Rumanisë; ato nga Nju Jorku në Zagreb të Kroacisë; nga Bejruti në Sofje të Bullgarisë; ndërsa fluturimet nga Larnaka (Qipro), Selaniku, Shkupi dhe Bukureshti drejt Nishit. Drejt Timisoarës janë devijuar edhe fluturimet nga Abu Dhabi, ndërsa në Budapest u dërgua fluturimi i mëngjesit nga Hurghada.

Ndërkohë, të gjithë ata që kishin planifikuar nisjen nga Beogradi për në destinacione të tjera do të informohen nga autoriteti aeroportual në vend.