E-Diaspora

Diaspora bashkon politikanët kosovarë në Cyrih

Për të dëgjuar sugjerimet e diasporës dhe për të kuptuar dallimet në mes të ligjit të tanishëm për diasporën dhe projektligjit të ri, Ministria e Diasporës organizoi një takim të dielën me mërgimtarë në Konsullatën e Kosovës në Cyrih

Deputetë kosovarë nga opozita dhe pozita kanë dëgjuar për problemet e shumta që kanë mërgimtarët në raport me institucionet e Kosovës.

Nëse merren parasysh sugjerimet e tyre, mbase do të kenë shumë punë gjatë amendamentimit të ligjit të ri të diasporës, për të cilin Ministria e Diasporës kishte organizuar konsultime publike me qytetarët e saj në Gjenevë, Bernë dhe së fundi në Cyrih.

Sido që të jetë, këto takime me mërgimtarë i kanë bërë bashkë deputetët nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, Time Kadriaj, nënkryetare e parë e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike (AAK), si dhe anëtarët e këtij komisioni, Fitore Pacolli (Vetëvendosje), Doruntinë Maloku (LDK) dhe Glauk Konjufca (Vetëvendosje), raporton albinfo.ch.

© 2018 ALBINFO.CH

Pjesë e delegacionit ishte edhe Afrim Bekteshi, zëvendësministër nga ky dikaster, që ka thënë në këtë takim se ligji i ri synon të definojë statusin e pjesëtarëve të diasporës, si dhe do të definojë përgjegjësitë e autoriteteve qeveritare në raport me diasporën.

Ai tha se ndryshimet e draftligjit po bëhen konform nevojave të mërgatës dhe në funksion të ruajtjes së vlerave kulturore të pjesëtarëve të mërgatës dhe, në të njëjtën kohë, një kornizë e tillë ligjore shërben si urë lidhëse ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe mërgimtarëve, shkruan albinfo.ch.

Për deputeten e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Parlamentin e Kosovës, Time Kadrija, trajtimi i mirë i diasporës me ligj është më se meritori krahas kontributit të tyre në periudha të ndryshme për Kosovën.

«Me rekomandimet tuaja do të hartohet ligji i ri i diasporës. Mësimi plotësues i gjuhë shqipe, si do të funksionojnë qendrat kulturore, votimet jashtë vendit nga qytetarët kosovarë do të ngërthehen në këtë ligj që të jetë sa më i zbatueshëm në praktikë”, tha deputetja Kadrija, shkruan albinfo.ch.

© 2018 ALBINFO.CH

Ndërsa Glauk Konjufca, deputet nga Vetëvendosja, tha se shteti i Kosovës duhet t’u dalë zot mërgimtarëve në tri aspekte: për gjuhën, kulturën dhe historinë.

“Popujt e mençur mendojnë gjatë edhe ne duhet të mendojmë se ku do të jenë fëmijët tanë pas 30 vjetëve”, deklaron Konjufca, sipas të cilit, ligj i diasporës tashmë ekziston dhe i ka diku 20 nene, ndërsa projektligjit të ri iu kanë shtuar edhe 10 nene të tjera. Janë bërë punë më të mira. Por, për Konjufcën, ky ligj nuk mjafton në raport me nevojat e diasporës. Ai ka premtuar se do të angazhohen si deputetë të avancojnë në përmirësimin e ligjeve karshi pjesëtarëve të diasporës, që të jeni të kënaqur me shtetin e Kosovës.

Doruntinë Maloku nga LDK-ja tha se do të kenë më lehtë në plotësimin e ligjit të ri, pasi të kenë dëgjuar vërejtjet dhe sugjerimet e mërgimtarëve kosovarë në Zvicër, në mënyrë që të avancojnë me ligj statusin e tyre, ndërsa kolegia tjetër nga Vetëvendosje, Fitore Pacolli, thotë se remitencat e diasporës nuk janë kanalizuar si duhet. “Se si mund të bëhet kanalizimi i remitencave të diasporës kur në ligj nuk janë përmendur dhe për këtë arsye ne kemi nevojë për eksperiencën tuaj”, tha Pacolli, ndërsa për mësimin e gjuhës shqipe për deputetën ligji i ri nuk dallon nga ai aktual.

“Këtu duhet të qartësohet, edhe pse nuk kanë funksionuar mirë shkollat shqipe deri tani, pastaj si të funksionojnë qendrat kulturore. Do të thotë, duhet të gjejmë modele të qendrave që bëhen vetëm për shqiptarët apo për ato që shkojnë përtej shqiptarëve. Për këtë arsye ne jemi këtu që të jepni këshilla dhe sugjerime”, tha deputetja e Vetëvendosjes.

© 2018 ALBINFO.CH

Krejt në fund nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Mentor Borovci, drejtor i Zyrës ligjore, tha se kanë ardhur në një moment që duhet të bëjë shteti më shumë për diasporën.

Zyrtari ligjor ka përmendur disa nga ndryshimet që ka pësuar ligji aktual konform nevojave të mërgatës.

“Statusi i Qendrave Kulturore do të ndryshojë dhe ato të udhëhiqen nga diplomatët e shtetit të Kosovës, të cilët kanë lidhje të drejtpërdrejtë me institucionet e Kosovës. Diplomati do të ketë gradën e atasheut kulturor dhe do të ketë lidhje me të gjitha organizatat kulturore”, tha zyrtari ligjor nga Prishtina.

Për mësimin plotësues tha se ende po bisedohet për një ide që të inkorporohet në vendet përkatësi si lëndë zgjedhore.

“Për mësimin e gjuhës shqipe, specifikisht do të veprohet për çdo shtet ku jetojnë mërgimtarët kosovarë”, tha Borovci.

Debat kanë zgjuar nenet me të cilat është paraparë të rregullohet me ligj çështja e mësimit plotësues të gjuhës shqipe.

Përfaqësues nga LAPSH-i thanë se me vite kanë kontribuar në ruajtjen e gjuhës shqipe te fëmijët mërgimtarë në Zvicër, ndërsa nuk janë përfshirë fare në këtë projektligj, madje nuk është inkorporuar si komponent as aspekti gjuhësor. Më tutje është kërkuar që për organizimin e mësimit plotësues të koordinohen edhe më Shqipërinë.

“LAPSH-i është shembulli më i mirë se si mund të bashkohen shqiptarët në Zvicër”, tha Riza Demaj nga LAPSH-i të Kantonin e Aargau.

Kërkesa nga mërgimtarët për plotësimin e projektligjit ishin nga më të ndryshmet, si për përfaqësimin politik të pjesëtarëve të diasporës nëpër institucione, vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës, mundësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje duke votuar në konsullata dhe ambasadat kosovare.

Ligji aktual për mërgatën është miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2010. Zbatimi i tij shumë pak është parë në praktikë.

© 2018 ALBINFO.CH