Tematike

Diaspora, politika dhe integrimi

Deri në fund të luftërave në Ballkan, dhe në veçanti në Kosovë, Maqedoni si dhe në Luginën e Preshevës, diaspora shqiptare në Zvicër ka qenë fuqimisht e mobilizuar në raport me vendet e saj të prejardhjes, dhe atë, sikurse para, gjatë dhe sidomos pas konflikteve si dhe gjatë fazës së rindërtimit të këtyre hapësirave.

Fundi i mobilizimit i shqiptarëve në mërgatë u përcoll me një shuarje kuazi-totale të aktiviteteve shoqërore si dhe politike në vende të ndryshme perëndimore. Kjo reflektonte dy dimensione: në njërën anë organizimin e deriatëhershëm të diasporës në funksion ekskluziv të vendeve të prejardhjes, dhe në anën tjetër, lodhjen e saj nga kontributet shumëvjeçare dhënë vendeve të prejardhjes si dhe nevojën e përkushtimit objektiv të pjesëtarëve të diasporës ndaj familjeve të tyre respektive.

Pas një qetësie disavjeçare, dhe me përjashtim të manifestimeve kolektive që u lidhën me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, muajve të fundit, diaspora shqiptare është vënë sërish në fokus të aktiviteteve të ndryshme shoqërore dhe politike që kanë të bëjnë sikurse me vendet e prejardhjes, në veçanti Kosovën, ashtu dhe me vendin e pritjes, Zvicrën.

Ripërtëritja politike

Ndër aktivitetet në fjalë, bie në sy një lloj ripërtëritje politike ndaj Kosovës. Disa shembuj na shtyjnë të mendojmë në këtë drejtim. Së pari, shumë kandidatë të dalë nga diaspora paraqiten në garën zgjedhore të Kosovës. Disa nga ata jane të deleguar nga degët e partive politike në diasporë, por edhe disa nga ata llogariten si kuadër i shkolluar jashtë, sidomos në suaza të formacioneve të reja politike që thirren në kuadro që i kanë kthyer në Kosovë nga vendet perëndimore (Anglia, Zvicra, etj.). Një hap i tillë i kandidimit në kushtet aktuale ka kosto personale dhe siç duket, disa individë janë të gatshëm të përballen me sfidën që paraqet kandidimi në Kosovë në kushtet aktuale. Më konkretisht, kuadri ligjor aktual pamundëson përfaqësimin politik të pjesëtarëve të diasporës dhe të konsideruarit e tyre si kandidat të diasporës. Kriteret ligjore të tanishme janë të pavolitshme per kandidatët nga diaspora sepse në rregullore të Kuvendit thuhet se është e obligueshme pjesëmarrja e deputetëve së paku dy herë në javë. Kjo zatën edhe i shtyri disa kandidatë nga Zvicra që të tërhiqen nga gara zgjedhore. 

Së dyti, në Zvicër, liderë të formacioneve politike opozitare kërkojnë qartazi mbështetjen e diasporës për të ndikuar tek votat e të afërmve të tyre në Kosovë dhe se premtojnë trajtim serioz të nevojave, të potencialit si dhe të përfaqësimit adekuat institucional të mërgatës kosovare. Së treti, për ilustrim, para ca ditëve, akterë politik nga Kosova negociuan me disa përfaqësues të diasporës shqiptare për mbështetje të tyre për në zgjedhje, me kundëvlerë të garancioneve për përfaqësim adekuat të interesave të mërgatës.

Së fundi, të rinjtë e gjeneratave të dyta, të arsimuar në Zvicër, kanë filluar të preokupohen dhe tu qasen seriozisht rrjedhave politike në Kosovë duke u aktivizuar në suaza të formacioneve politike të reja të Kosovës.

Shembujt e një rikonfigurimi politik të diasporës nuk mungojnë. Përkundrazi, ato dëshmojnë, sikurse edhe në të kaluarën, se diaspora ka luajtur dhe ende luan një rol specifik në rrjedhat e përgjithshme shoqërore, politike dhe sidomos ekonomike në Kosovë si dhe në hapësirat tjera shqiptare në vendet e Ballkanit.

Organizimi i diasporës: imperativ i kohës

Impakti i involvimit të diasporës në politikën kosovare është pozitiv sepse mund të jetë një shtytje drejt demokratizimit dhe evropianizimit të Ballkanit. Mirëpo, për ta rritur impaktin e saj, diaspora duhet së pari të organizohet më mirë, t`i definojë si dhe t`i artikulojë qartazi kërkesat e saj në raport me vendet e prejardhjes por edhe me vendin pritës.

Prandaj, për tu pozicionuar më mirë në lojën politike në këto dy plane, dhe pse jo edhe për tu futur në biseda dhe negociata për mbështetje ndaj akterëve të caktuar politikë në shkëmbim të një statusi të respektueshëm të diasporës në vendin e prejardhjes, nevoja e strukturimit të saj dhe që reflekton kërkesat e saj shtrohet më shumë se kurrë. Është pra një imperativ i kohës.

Në mungesë të strukturave përfshirëse të mirëfillta shoqërore, mbetet e paqartë se ç’dëshiron diaspora. Diaspora shqiptare mbetet ende e paorganizuar dhe në emër të saj bisedojnë aktorë të ndryshëm individual të pamandatuar nga kolektiviteti i tyre dasporik. Siç thuhet në kulturën tonë, tani për tani diaspora shqiptare është sikurse një shtëpi pa nikoqir. Veq kësaj, personat që paraqiten në cilësinë e «përfaqësuesve» të diasporës për të negociuar dhe artikuluar pritjet dhe nevojat e saj karshi vendit të prejardhjes, mirëpo edhe karshi vendit pritës, duhet të gëzojnë legjitimitet, të fituar në mënyrë demokratike dhe transparente.

Rreziqet e polarizimit të diasporës dhe Integrimi

Legjitimiteti në kolektivitetin diasporik është një kusht demokratik i pacenueshëm si dhe formë e shkëlqyeshme për të evituar polarizimin e diasporës sipas interesave të formacioneve të vendit të prejardhjes apo edhe liderëve të tyre politikë respektivë. Në këtë plan, diaspora shqiptare në Zvicër ka përvoja të hidhura të shumta në të kaluarën e afërt, prandaj edhe duhet bërë çmos për të evituar situata të tilla.

Duhet po ashtu pasur shumë kujdes rreth stër-politizimit të diasporës si dhe fokusimit të tepërt ndaj skenës politike në vendin e prejardhjes. Në fakt, kjo mund të bëhet në dëm dhe të ndikojë në neglizhim të procesit të integrimit si dhe të kyqjes në rrjedhat politike dhe shoqërore të vendit pritës, sidomos për gjeneratat e dyta shqiptare. Këto të fundit duhet të integrohen në mënyrë të mirëfilltë në vendin e tyre pritës, pra edhe në pikëpamje të angazhimit politik, dhe përmes këtij integrimi, të ndikojnë në mënyrë efektive në zhvillimin e vendit të tyre të prejardhjes si dhe në afrimin e tij me vendet perëndimore.

Të shpresojmë se nismat e reja shoqërore të diasporës do të kontribuojnë po ashtu në favor të një angazhimi më të madh individual dhe shoqëror të ekuilibruar ndaj vendit të prejardhjes si dhe ndaj vendit pritës. Kur themi Diasporë shqiptare në Zvicër, mendojmë në pjesëtarë individualë dhe shoqërorë shqiptaro-zviceranë, pra me identitete të dyzuara ndaj vendit të prejardhjes si dhe ndaj vendit pritës.

Lexoni poashtu mbi këtë temë shkrimin tonë : ” Subjektet politike në shuarje apo përtërirje në Zvicër