Lajme

LAPSH: Diplomoi gjenerata e mësimit plotësues në gjuhën shqipe, kantoni i Cyrihut

10 korrik, 2021, 16:30, Riedmattstrasse 7, 8153 Rümlang ZH, Rinora 4.

Diplomimi i gjeneratës së nxënësve të mësimit plotësues të LAPSH-së në gjuhën shqipe në kantonin e Cyrihut Koha e ndryshueshme por kryesisht me diell e kësaj dite jo edhe fort të nxehtë, ishte e mirëseardhur pas shumë ditëve me shi dhe temperaturave të ulëta në Cyrih.

Fëmijë, prindër nxënës e të ftuar të tjerë ishin grumbulluar në oborrin e Rinora 4, një ndërmarrje kjo e suksesshme dhe e madhe shqiptare në Zvicër, e cila na e kishte vënë infrastrukturën e saj po ashtu të madhe në shfrytëzim, për të organizuar ceremoninë e ndarjes së diplomave për Vitin shkollor 2020/21 për gjeneratën e fëmijëve shqiptarë në kantonin e Cyrihut, të cilët këtë vit përfundojnë mësimin plotësues në gjuhën shqipe, i cili organizohet që prej 30 vjetësh nga LAPSH-i (Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në kantonin e Cyrihut). Fëmijë, prindër e mësues dhe mësuese po grumbulloheshin në oborr. Në fytyrat e tyre vërehej një lumturi dhe entuziazëm me rastin e këtij manifestimi.

Kjo sigurisht edhe për faktin se njerëzit, si në tërë botën, kaluan më shumë se një vit nëpër vështirësitë pandemike dhe i gëzoheshin takimit fizik me njëri-tjetrin dhe mundësisë që për pak kohë të jenë së bashku. Kryetari i LAPSH-it për kantonin e Cyrihut z. Naser Ulaj, i cili njëherësh është edhe mësues i LAPSH-së, përshëndeti personalisht prindërit dhe nxënësit dhe të pranishmit tjerë në oborrin e Rinora 4 dhe u uroi mirëseardhje në këtë manifestim. Rreth orës 16:40 filloi manifestimi. Hapësira brenda objektit ishte mjaft e madhe për të mbajtur distancën për sa u përket rregullave pandemike. Defilimi i fëmijëve të vegjël me veshje kombëtare e hapi manifestimin e sotëm.

Duartrokitjet e të pranishmëve e bënë edhe më madhështor këtë prezantim, sikurse edhe muzika popullore shqiptare e cila ishte lëshuar në prapaskenë si për t’i dhënë jetë këtij parakalimi të nxënësve, me të cilin i përshëndetën të gjithë të pranishmit, duke përfshirë këtu edhe disa recitime me motive atdhetare. Pas parakalimit, mësuesja Dafina Haziraj shpalli takimin të hapur, duke iu uruar mirëseardhje, nxënësve, prindërve, arsimtarëve dhe kryesisë së LAPSH-it për kantonin e Cyrihut si dhe të pranishmëve të tjerë. Një përshëndetje e posaçme iu drejtua po ashtu edhe udhëheqësit të Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Sami Kastratit – ministër këshilltar, si dhe zonjës Bahrije Sylejmani, sekretare e dytë, konsulle dhe përgjegjëse për arsim dhe kulturë pranë kësaj konsullate. Emocionuese ishin fjalët e mësueses Dafinë për nxënësit që po diplomonin sot.

“Të dashur nxënës- iu drejtua ajo fëmijëve, ju që po diplomoni sot, ne si mësues dhe si LAPSH ju urojmë juve shumë shëndet, shumë suksese dhe shumë dashuri për gjuhën dhe vendin nga vijmë”. “Paçi fatin e mbarë “- uroi mësuesja nxënësit që po diplomoheshin. Ajo, ftoi pastaj në skenë z. Naser Ulaj, kryetar i LAPSH-it për një fjalë të shkurtër përshëndetëse. Zoti Ulaj përshëndeti të pranishmit duke iu uruar mirëseardhje dhe çaste të këndshme. Edhe ai u uroi shumë fat e mbarësi nxënësve që sot po diplomonin duke u shprehur se: “Gjuha shqipe duhet të kultivohet, mësohet e përvetësohet edhe pas mbarimit të shkollës dhe se ajo është një urë lidhëse ndërmjet atdheut dhe vendit ku jetojmë”.

Fjalën zoti Ulaj më pastaj ia përcolli fillimisht konsulles dhe sekretares së dytë të konsullatës e cila njëherësh është edhe përgjegjëse për arsimin dhe kulturën, zonjës Bahrije Sylejmani. Ajo në fjalën e saj të shkurtë përshëndeti të pranishmit e sidomos nxënësit dhe u uroi atyre fat e mbarësi.

Pas saj fjalën e mori z. Sami Kastrati, udhëheqës i misionit konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih -ministër këshilltar, i cili në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve tha: “Të dashur nxënës, prindër dhe të pranishëm të tjerë, unë ju përshëndes në emër të konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih me urimet më të mira për të gjithë ju e sidomos për nxënësit që vijojnë mësimin plotësues të gjuhës shqipe në kuadër të LAPSH-it, por në veçanti ata të cilët diplomojnë sot”.

Ai përshëndeti, kryetarin e LAPSH-it kantonal, z. Naser Ulaj sikurse edhe kryetarin e LAPSH-it qendror, z. Nexhat Maloku, njëherësh edhe mësuesit/set në kantonin e Cyrihut dhe kryesinë e LAPSH-it të Cyrihut, për organizimin e këtij manifestimi dhe falënderoi LAPSH-in në tërësi për punën e palodhshme që e bëjnë që më se 30 vjet, në shërbim të komunitetit dhe fëmijëve shqiptarë.

Udhëheqësi i misionit konsullor në Cyrih bëri apel tek të gjithë prindërit që t’i dërgojnë fëmijët në mësimin plotësues në gjuhën shqipe, i cili mësim organizohet nga LAPSH-i, sepse aty fëmijët mësojnë të lexojnë, të shkruajnë dhe të kuptojnë gjuhën shqipe. Ata aty njihen me bashkëmoshatarët e tyre nga të gjitha trevat e atdheut dhe kjo është një përparësi shumë e madhe, pra njohja me njëri-tjetrin.

Në fund fjalën e mori edhe z. Nexhat Maloku, kryetar i LPASH-it qendror në Zvicër, i cili pasi përshëndeti të pranishmit, theksoi rolin dhe rëndësinë që ka mësimi i gjuhës shqipe në mërgim për fëmijët shqiptarë dhe përparësitë që u krijohen atyre në fushat e ndryshme të jetës dhe në fund u uroi të gjithë të rinjve suksese të reja në shkollimin e mëtejshëm dhe në jetën profesionale. Pas përshëndetjeve të rastit manifestimi vijoi me dorëzimin e diplomave nxënësve që këtë vit mbarojnë me mësimin shqip, ku secili mësues apo mësuese ftonte nxënësit e vet në skenë dhe u dorëzonin diplomat. Të diplomuarit merrnin edhe nga një lule nga fëmijët e vegjël të cilët parakaluan në fillim të manifestimit në skenë.

Nexhat Maloku mësues dhe kryetar i LAPSH-it-qendror u dhuroi të gjithë të diplomuarve nga një libër. Në fund manifestimi u mbyll me dy valle instrumentale të ekzekutuara me violinë si dhe dy recitale të interpretuara nga nxënësit që vijojnë mësimin shqip.

Këtë shkrim po e përcjellim edhe me disa fotografi të shkrepura me këtë rast.Për më shumë informata rreth punës së LAPSH-it për kantonin e Cyrihut dhe pikat shkollore mund të informoheni në:

https://lapsh-zh.ch/kuadri_mesimor.html

https://www.lapsh-zh.ch/paralelet.html

https://www.lapsh-zh.ch/donatoret.html

LAPSH- i për kantonin e Cyrihut

Gëzim Kasumaj, nënkryetar 

albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch